Për novelën ‘Krisma n’Çarshi’ që promovohet së shpejti! Boris Miska   

Për novelën ‘Krisma n’Çarshi’ që promovohet së shpejti!
 
Novela ime ‘Krisma n’Ҫarshi’mori udhë rastësisht teksa kthehesha në shtëpi me urbanin e Porcelanit. Ulur në sedilje qëndroja indiferent, si ndaj njerëzve që më rrethonin, ashtu edhe vargëzimit monoton të dyqaneve që lëpiheshin skej syve të mi përgjatë rrugës Hoxha Tahsim.
Prej këtij vetmimi më shkundi zilja e celularit të dikujt, ishte një prekje e telit të çiftelisë e ngjashme me ngasjen që të bëjnë kur të tërheqin nga hutia. Tringu qe i fortë dhe kumbues, tamam si një piskam lajmëtare, aq sa pa kuptuar më treti në tjetër realitet.
I rrëmbyer nga notat endesha në mjedisin e muzikës popullore, pikërisht tek këngët me çifteli, i qarkuar nga rapsodë që shoqëria moderne pa mëshirë po u pluhuros harresë.
Qasa në kujtesë një plejadë artistësh veriorë; që nga gjakovari me sharki Dervish Shaqa e çika e Dragobisë Fatime Sokoli, bashkëkohësit Frrok Haxhia e Sali Mani, Fran e Zoje Pali nga Berisha, dibranin Azis Ndreu, Dava Gjergjin, etj, por ‘gogla’ e fatit u ndal bash tek rapsodi iballas, Tom Nikolla.
Pukjanin e kisha dëgjuar që i vogël në radio Tirana, pothuajse mësova përmendësh të gjitha këngët e tij. Edhe pse vargjet e rapsodive ishin shumë të gjata, si të butat edhe të trimërisë, ato mbartin brenda boll ngarkesa; me histori, ngjarje, humor, tragjedi e dashuri të përçuara nga njëri brez tek tjetri.
Toma shquhej ndër të tjerë sepse pati të spikatur këndimin me zë të ngrohtë dhe tonalitet të plotë, nuk ‘piskante’ asnjëherë edhe pse fjalët shpesh e kishin të fortë epizmin. Kënga i buronte nga brendia, kumbonte nga thellësia e shpirtit, vokal i lindur e kultivuar, i pastër kristal dhe i pandikuar nga ritmi zëngritur i kohës.
Rasti e solli që ta njihja nga afër, dhe zbulova ngjashmëri të habitshme mes artistit të gatitur për skenë dhe njeriut të zakonshëm në rrugë. Përshëndeteshim pothuaj përditë mëngjeseve kur unë nxitoja për në fakultet e rapsodi në ansamblin e këngëve popullore.
E ruaja aq të ngulitur në kujtesë sa edhe në ato momente, aty në urban isha në gjendje ta vizatoja rapsodin me veshjen karakteristike të Pukës, t’ia stiloja jelekun e kadifenjtë me gjysmëngët që vareshin si shelgje poshtë krahut gjersa e ceknin instrumentin, tirqet e leshta burrërore dhe brezin plot ngjyra qarkuar hijshëm rreth mesit. Ishte malësor tipik me shtat mesatar, fytyrë të rrumbullakët, i mbajtur mirë, portret të qetë, mustaqet e pakta mbi buzë dhe ecjen pa bujë, lëkundej lehtë në hapa, dukej sikur zbriste nga bjeshkët e Munellës me qeleshen kresë e çifteli në dorë.
Pas pak se ndjeva pse vetëvetiu, aty në autobus, nisa të këndojë me zë të brendshëm një nga të tijat, atë të Halil Gashit!     
Ngjante duet i supozuar me Tom Nikollën dhe dalëngadalë po përshfaqej figura ime në sfond, një hap pas rapsodit të njohur, në tjetër intonacion duke u kujdesur mos stonoja.
Gradualisht si pa kuptuar fillova t’i prek më nga afër vargjet, ta analizojë subjektin, ngjarjen.
Nga kjo ndjesi e ngrohtë lutesha që kënga të zgjatej sa më tepër, ishte si një argëtim për të larguar vëmendjen nga rrugëtimi i mërzitshëm, kohë pata jo pak për të fantazuar.
Me sa duket të risjellit pas një periudhe bajagi të gjatë mosdëgjimi, pos nostalgjisë e harresës më bëri më gjykues, ndaj po e shijoja ndryshe rrëfenjën, baladën e kënduar ngeshëm prej rapsodit.
Aty për aty ngrita disa dyshime në kulmoret e tregimit dhe nga frika mos m’i ngucte kush ‘piketat’ renta t’i shkruaj në mesazh kritikes sime.
Teksti dukej pak i ‘çartun’ dhe natyrshëm erdhi menjëherë reagimi i saj.
-Çfarë është kjo Boris!!! 
-Ta them pastaj, janë disa përjetime, i ‘depozitova’ nga meraku mos i humbas, i’u përgjigja menjëherë pa e shqitur vëmendjen prej vargjeve.
-Ok!
Për habi ato pak rrjeshta të kursyera në WhatsApp më pas u bënë tharmi i librit të ardhshëm, i cili mori shumë kohë derisa e solla atje ku e binda veten se e meritonte.
Sa hyra në shtëpi e para gjë pas heqjes së këpucëve ishte kërkimi në You Tube i këngës së Halil Gashit, e lypa si atë gotën e dhallës me borë bjeshke për ta shuar etjen dhe padurimin.
Siç u theksua në krye të herës, penza e lëkurës së qershisë që nguci telin e veglës popullore u bë lavër për mua, ngjante me zanat e bjeshkëve që më ftonin t’i ndiqja pas dhe padashur qulla veten poshtë një ujëvare, i përpirë nga hurdha e saj, prej së cilës nuk munda të bregoja aq lehtë.
-E çuditshme, mërmërisja ndër buzë!
Si ka mundësi që një notë, instrument, një ngjarje, një ndryshim, një përballje rutin ditore, një këngë, një e shtënë pushke, lajm kronikash të zeza, baladë a histori, të t’i trazojë me kaq lehtësi; vitet, dekada edukimi, shkollë dhe emancipim, libra, filozofi e kulturë plot dritë !
M’u kujtua citimi që një pedagog i sociologjisë n’a e sillte vazhdimsht në vemendje:
-Mos harroni djema, tradita është një forcë e tmerrshme…!
Mendimtari me mjekërr që ai i referohej u duk sikur ishte fare pranë në ato çaste e po tallej vërtetë me perëndimizimin tim.
Pati mjaftuar një zile, fragment i tingullit muzikor të celularit të dikujt për ta kuptuar se sa ngushtësisht qenë mpleksur me të kaluartën dhe pse ajo me bëmat e veta po e mban ende kaq të kontraktuar kapërcylljen e shoqërisë drejtë emancipimit real.
Teksti i rapsodisë dhe përpjekjet për t’i justifikuar e mbështetur marrëzitë mbi ‘trimërime’ të shekujve e dekadave të shkuara, e përpinë në vorbull e po vërtitej sikur të ish një lodër.
Përgjumja pakdekadshe e Kanunit për shkaqe e transformime prej të cilave u mendua se s’kishte për të ngritur më krye përjetë, doli fare e gabuar sapo u përcoll ndryshimi politik në vitet nëntëdhjetë.
Mjaftoi një thyqafje e shtetit, ligjeve e institucioneve të drejtësisë, që të ngrinte kokë nga sundykët vetëgjyqësia e mbështetur tek ‘procedurat e së drejtës zakonore’.
Nga kjo gjykova se nuk ishte thjeshtë e kaluar apo ‘harrim’! 
Gjatë rrugëtimit për skeletimin e librit m’u desh ta përdorja bukur mirë fantazinë, të zgjoja kujtesën, të gjeja personazhin kryesor, studiuesin dhe historianin, të konsumoja analiza, biseda me miq, kundërshti, ekspertime, krahasime, vëzhgime, hulumtime mbi dokumenta, tradita, doke e zakone.
U lyp të përballesha me ‘kryeligjin’ e kohës, kanunin e maleve, kodin kryeshkam, ndëshkimet, armët, interesat, dallimet sociale, folklorin, kulturën dhe traditën kombëtare, të kërkoja autorin e vargjeve, vendin e ngjarjes, ‘kafen e vogël’ n’Ҫarshi, t’i ngërtheja figurat, t’ua këmbeja rolet, ta sillja historinë në kohë për ta bërë të prekshëm dhe të besueshëm për lexuesin e sotëm.
Për çudi dita-ditës subjekti sa vinte e zgjerohej, prej kësaj më bëhej sikur s’do mundesha kurrë ta urtojë, ta mbajë ‘nën zap’, sepse pas çdo dritare hapej një tjetër, ngjyrat shpërbëheshin, e ndieja veten gjithnjë e më të pafuqishëm për ta ndalur shpërthimin e magjishëm.
Ngjasoja me urtuesin e kuajve, i cili me durim tërheq e lëshon kapistallin, derisa e zbut egrërsinë dhe hazdisjen e hamshorit.
Hap pas hapi hedhjen në kompjuter të materialit e konsiderova detyrim të brendshëm për vendin ku u rrita dhe jetova në mjediset me këto tradita.
Ndaj për mua novela ‘Krisma n’Ҫarshi’ doli një lloj vetërrëfimi, rrjedhë me ngjarje, vargje, këngë, vegla muzikore, vende, krahina, kulturë, njerëz, shtëpi, dasma, rite, jetesën, të folurën, gjuhën, dialektin, tregime e përjetime të përditëshme, prekje nga afër e zakoneve dhe besimeve, sjelljeve e mendësive, shpesh magjike, disa herë të pakuptimta, pse jo edhe të çartuna e absurde.
Shkrimi arriti me mjeshtëri t’i tërheq nga brendia, qenia e formimi të gjitha sa shtypa në tastier, duket priste me padurim momentin e çeljes së portës, t’më çlironte nga barra e së shkuarës.
E gjithë kjo rrokadë, trill e narrativ letrare, padyshim do zgjojë kureshti e diskutim tek lexuesi, mundet reflektim, padakortësi me atë ç’ka shkruajta.
Subjekti i librit ngjason me rihapjen e procesit rreth një krimi të pazbuluar, për pushkën e krisur dikur atje n’Ҫarshi, kënduar dhe duartrokitur, me shumë gjasë hetuar përciptazi nën trysninë e pushtetit të traditës dhe politikës.  
Kreshniku personazh dominues në libër, historian i ri, ‘detektiv’ i apasionuar, shfleton dosjen, shqyrton provat, kërkon të tjera, lyp dëshmi e dokumenta, ngre pista dhe jep versione të ndryshme për historin e bujshme.
E analizon ngjarjen e trilluar ‘n’kafe t’vogël’ me ligjet, doket e zakonet e atëhershme, rreket s’e ka zbuluar të vërtetën, kohën kur ndodhi vrasja, gjen dobësi, deformime, të çara, mospërputhje, paaftësi, fshehje provash, shkelje procedurash, bën plotësime, e ‘rivendos në afat’ derisa në fund e lëshon me përulësi mbi tryezën e rigjykimit. 
Shumë njerëz jetonin duke rrëfyer balda, gojëdhëna, legjenda, përralla, bile paguheshin për t’i krijuar, transformuar dhe sajuar ndryshe, jo ashtu siç kanë ndodhur në të vërtetë.
Sepse u lypej që secili ta kishte një biografi, shenjë, lapidar, famë, emër, që më pas të këndohej, të tregohej, të shkruhej, të mbetej në kujtesën e pasardhësve, ishte investim i pasurisë shpirtërore e materiale, në mall e para, trashëgimi, mburrje, vlerë, derë e madhe, famë e fryrë për sytë e botës.
Kjo është e vërteta, e kaluara, realiteti i hidhur, mbiprodhimi i ngjarjeve, inflacion historie!
Rapsodia e Tom Nikollës është e hershme, një nga të shumtat, ashtu mësuar, sepse zakonorja nuk u thyeka lehtë, i ngjan llastikut që sado ta tërheqësh, sërisht kthehet tek shtogu i parë.
Qëllimi im nuk është analiza në vetëvete e një kënge apo rapsodie, por përcjellja e mesazhit për ta parë e trajtuar çdo ngjarje e ndodhi, të sotmes e së kaluarës me ftohtësi e dyshim, profesionalizëm, me syrin real, larg fryrjeve e shtrembërimeve, shumëfishimeve, zbukurimeve, mërive, dallimeve krahinore, politike dhe fetare.
Ashtu si folklori popullor edhe historia me ‘takëmet’ e saj ka dritëhijet dhe koloritin e vet, ajo s’ka ndodhur e s’mund të jetë asnjëherë ‘bardh e zi’, s’ka pse shërben për ndarje, të përdoret për vetëmburrje, rrahje gjoksi.
Kahjet ekstreme janë s’i patericat për dikë që s’mund të qëndoj vetë në këmbë pa ndihmën e tyre.
Kjo sfidë më bëri kërkues, më zhbirues, më dha nxitjen të shkoja më tej, me drojen e dështimit dhe tutjen se mund të marr mbi vete kritika, nënqeshje, zemërata e kundërshti.
Fundja ky shquhet të jetë synimi tek unë; grishja e debatit, nëse vërtetë do arrija ta zgjoja !
 
Autori- Boris Miska.