
Nga Agron MEMA
Një titull që metarofikon peisazh jetësor dhe brendashkruan të gjithë kolorin e këtij peisazhi . Është libri poetik “ E kam shtëpinë mbi liman” i shkrimtarit dhe poetit Koço F Kosta. Kështu shprehet duke titulluar librin e tij të vetëm me poezi shkrimtari sarandjot Koço F Kosta. Kjo dëftore nuk është deklaratë gjeografike e vendndodhjes së banesës së autorit, por vendndodhja e shpirtit dhe frymëzimit të tij. Si gjetje metafore i gjithë qyteti i Sarandës qëndron madhështor dhe gjigand mbi Liman, karta e identitetit të qytetit të ujrave joniane. Mendimi poetik vizaton peisazhet, shpirtin njerëzor, thjeshtësinë e jetës së qytetit, rrugën e jetës me përjetimet. Tingujt e këtyre poezive janë si tingujt ëmbëlsorë të telave të kitarës në një serenatë melankolike në pragperëndimet buzëdetare akorduar me solin e zemrave. Zbresin ëndrrat nga qiejt e imagjinatës duke marë pikiadë për të zbritur në aeroportin e folderit zgjimëtarë të kujtimeve për rifreskim. Kujtimet jo vetëm kanë efekte rikthimi, por edhe rinovimi. Qenia jote jeton me vitet dhe vitalitetin e kohës së kujtimeve ku e bukura e ndjenjave fluturon mbi lulet e lëndinës së shpirtit, sepse metafora ka dalur si mjet I shprehjes ku shpirti të jetojë pa brenga. Ditari i trurit është ditari më i sakt e më i shtrenjt , patjetër edhe i shenjt. Është një efekt horizontaliteti trunor që vertikalizohet me shpirtin. Një fjalëkryq jetësor. Poeti brenda poezisë ka veten, të gjithë, shpirtin, ndjenjën, merakun, jetën…Muze i ndjenjave…E bukura e këtyre sheqeros estetikisht vargun, fjalën, strofën, poezinë e Koços. Libri hapet me përkushtime. Dhe përkushtimi i parë i përket gëzimit, përgjegjësisë prindërore në veçanti dhe asaj njerëzore në përgjithësi; Fëmijët. Ndaj poeti e hap librin me poezinë “ Kam dy vajza”:
“ Kam dy vajza…
Tërë galaktikat
Dy porta hyjnë e dalin
Jetë japin e marrin….”
Dhe vijon të përcjellë emocionet e kënaqësisë dhe krenarisë për To duke mos harruar se:
“ Kam dy vajza…
Nga e ëma mjaltin e gjirit kanë marë,
Polenin që rrugët kanë shtruar,
Dete qetuar në sy
Lëndina më mbajnë në duar….”
Pra, me një realitet të qenies së botës shpirtërore, jepet bukuria e tërësishme e jetës dhe familjes, kontributi i përbashkët në krijimin e harmonisë dhe lumturisë. Vijon përkushtimi tek ëmbëlisa e mjaltit të mjaltit tek ai që “ sa tërësia prushëroi”, nipi Viktori, Nefeli që “ Çdo gjë diellonte e ngrohte”, Izmini si lule blini dhe Iliana si manxurana të cilat i priti siç “ pret dita mëngjezin”. Dhe pas përkushtimit familjar i drejtohet edhe të dashurës së parë, asaj që i zgjoi dhe nuk i I la në gjumë ëndrrat e bukurisë së jetës; POEZISË , që mendonte se “ për shumë vite thashë se të braktisa”, por jo, ajo jetonte në “ astarin e zemrës”, ndaj për të gjith andrallat Poeti ka besim se “ Nuk do të skuqesh për çdo të lë trashëgimi”. Dhe vijojnë poezitë lirike për mallin e së shkuarës, për të gjitha ç’ka ndjerë e jetuar në përjetime, të cilat vijnë si imazh i pikturuar me penelin e kujtimeve që për të “ nuk do të mbyllë sytë”. Bukuria e Sarandës e magjeps e mba me vete, e bën njerëzorë, e bën poet aq sa mbi syprinën e valëve të detit i del e magjishme “fytyra e gruas”. Vjen meraku i vonesës së vajzës pas orëve të vona të mesnatës, sepse dashuria nuk është mbledhje numerike që një plus një bëjnë dy, por është shumatore shpirtërore që një plus një bëjnë NJË. Ndaj nuk ndalet dot ndaj trëndafilit të buzëve të dashuruara dhe për këtë kërkon jo vetëm përkushtim dhe besim, por edhe Bekimin e Zotit në “ zemrën e bërë furnaltë”. Pasi arrin deri këtu në rrugëtimin ndjesor poetikë, nuk harron edhe meritën e atyre që e lindën, e sollën në jetë dhe investuan gjithshka kishin për të që të merrte hovin dhe vrullin e duhur jetësor. BABAI, ai që “ thjerëzën e ndante nga gruri i fushës në lëm” dhe NËNA që:
“ Krëhër flokët tek pravazi I dritares
Dhe një shall si ëndërr blu mbëshjellë
Mbrëmjet
Me çukitje buzësh mbi ball të fëmijës, nuk i përcjell”
Lirikat ndjekin njëra-tjetrën edhe në detaje ku duket padukshmëria, kuptueshmëria e pakuptueshmërisë, dashuria si sfidë përballë indiferencës, marrëzia e çmendurisë njerëzore aq sa:
“ Në makinën e varrimit
Do të lindej pranvera atë vit
O dimër
Një mijë herë me kollaren tënde të flamosur
Se sa në përzhitje funerale të të përcillnim çdo ditë”
Ato momente që i kthenin “ Nënëzezat në pisë të zezë”. Kjo është mbytja njerëzore e vitit të mbrapsht 1997, ku dhimbja që la është aq e madhe sa poetit i thyhet lapsi kur shkruan:
“ Kur ai sipar u gremis
Maja e lapsit tim
Mu thye më dysh”
Por përsëri e ëmbëlson Ana Maria dhe merr rrjedhë tjetër poezia…
Trasmentimi i mendimit nëpërmjet vargjeve gurgulluese me tinguj jetësorë aq sa të dhimshme, aq të gëzueshme, romantike, të lumtura e të trishtuara, vizatimet poetike të gjeografisë së vendlindjes dhe vendbanimit të poetit, zënë vend të dukshëm e të veçantë në brendësi të përmbajtjes poetike të kësaj vepre letrare të Koço F Kostës, në momente sentimentale të përjetimit të shijes së çdo gjëje në qytet. Por pa harruar të jap mesazhet filozofiko-sociale që poeti I përcjell bukur dhe thjeshtë poetikisht e ndjesisht tek lexuesi si të domosdoshme, si një përvojë dhe praktikë jetësore që mundohet ta kthejë në model dhe modul sjelljeje dhe etike në komunikimin dhe veprimtarinë e përditëshme. Pas këtyre mrekullive poetike, vijmë tek perla e këtij vëllimi poetikë, poema “ NIVICËS” kushtuar nënës së tij, Izminit, bijë nga ky fshat, por edhe banorëve të këtij fshati me mirënjohje dhe respekt. Shpaloset në këtë poemë-hymn, mes vargjesh historia, bukuria natyrore, personazhe të spikatur, karaktere dhe personalitete, njerëz të thjeshtë me bëma e probleme, mjegull e kthjelltësi, , huti e qartësi, jepet e gjithë qenia dhe vetëdija si dhe materja nivicjote vetëm në këto vargje të kësaj poeme-hymn për të cilën nuk dua të zgjatem shumë në koment sepse nuk dua të shuaj kuriozitetin e leximit dhe as mos të prish kënaqësinë e ndjeshme nga leximi i kësajë poeme, i bindur se , kur ta lexoni dhe nga ajo që do përjetoni, patjetër do ti riktheheni edhe njëherë ta rilexoni sepse diçka keni anashkaluar në kuptueshmërinë e plotë të poemës.
Urime miku im dhe koleg i nderuar Koço F Kosta
Sarandë; 04-08-2026