
Shikimi u mboll
nëpër lëkurë
Ta kesh kujtim,
nga largësitë…
(Alfons Zeneli)
Impresion nga Migel Flor
Katër vargje, katër zëra simfonie, që mërmërijnë me zë-blete në “kosheren” e një muzeu. Është një poezi-kujtesë e “thënë me vete”, në tri kohë, kur dy qenie njerëzore ngjizen çmendurisht dhe, me shpejtësi vetëtimash, ndodh fat-largimi i tyre…
“Shikimi u mboll
nëpër lëkurë.”
Këtu ndodh vetëlëvizja më e bukur poetike:
Shikimi del nga syri si qerpikë agu, për të pirë dritën e lëndinës, për të “puthur” akuj a për t’u mbjellur në shikimin mahnitës…
“Mbjellur” është një fjalë-magji për një shikim marramendës të syrit, të një mbjelljeje e mbirjeje befasuese; një kohë-pritje e një jete që vazhdon “lëvizjen”, edhe pasi dora që hodhi farën të jetë larguar në kohë dhe hapësirë…
Pra….
Shikimi bëhet farë rimbirjeje, lëkura bëhet tokë ku mbruhet kujtimi dhe shpon koren, për të lastarizuar.
“Lëkura”, ajo “delikatja”, nuk është zgjedhur rastësisht. Ajo është “membrana” e njeriut me mjedisin, është barometri i “temperaturave”, i prekjeve, i dridhjeve, i pasioneve, i “etheve”.
Si e tillë, ajo nuk është më thjesht një imazh syri, por një përjetim fiziko-kimik, sepse ka nisur ajo e pashmangshmja energji, ku vlon rryma dhe, për rrjedhojë, fjala, vargu, poezia nis këngën në ujëvarën shpirtërore, duke mbjellur gjurmë…
Një shikim mund të “përgjërohet” gjatë, por mbetet thjesht një lodhje; ndërsa shikimi që “ndez xixa” mbetet prushi, flladi e flaka dhe i ngjan fishekzjarres që ngrin në qiell e kthehet në yllësi përjetësie…
Dhe më pas ujëvarojnë vargjet si diamant….
“Ta kesh kujtim
nga largësitë.”
Këtu poezia end krahët drejt hapësirës pa fund të mungesës dhe zbehet fuqia e shprehjes, nëse thua: “ta kujtosh praninë time”, kur më bukur do të tingëllonte: “ta ruash si kujtim këtë”.
Ky është intimitet i thellë; ndjesitë nisin “valsin e valëve”, ndërsa kujtimi mbetet “hajmali” e shenjtë që e mban me vete, ku largësia bëhet sa meditim e “lloi”, aq brengë e vuajtje dëshpërimi të kulluar…
Poeti me shpirt-qiellor, dhe pse distanca rritet, në valët magnetike, ajo afrohet si fllad maji; ajo bëhet shtrat dëbore, bëhet ëndërr e rri zgjuar..!?
Ky është përgjërimi…
Kur s’mund të japësh praninë, jep ngjyrimin e saj dhe kështu bien kufijtë gjeografikë dhe nis pikëpjekja, takimi me frymë i “frymorëve”.
Këndvështrimi metafizik..!
“Shikimi mbillet nëpër lëkurë”
Kur dy shpirtra janë takuar për një çast hyjnor, trupi është thjesht përkohshmëri, ndërsa ajo që ka depërtuar në këtë “dërstilim” shqisash mund të bëhet kujtesë shpirti.Prandaj poezia nuk hedh dritë vetëm për një të dashur që mungon, por në gjurmën që lë një qenie në një qenie tjetër, në “çastin magjik”.
Njeriu mund të largohet në heshtjen e “zezë”; duart apo buzët mund të mos preken më, por “silueta” është konturuar, ajo ka mbirë e mbetet gjallë.
Sa më shumë tërhiqet “litari” i largësisë, aq më shumë bëhet “gongël” kujtimi, sepse…
Afërsia konsumon praninë, ndërsa “lozonja” e shndërron atë në limfë shpirtërore.
Në katër vargje të prillta feks dhe një erotizëm i ylbertë, ku ngjyrat duket sikur vlojnë dhe “shikimi” dhe “lëkura” mbeten pika intime:
Syri prek atë që edhe syri i diellit nuk mund ta prekë, as edhe ndonjë fuqi tjetër e kozmosit.
Ai ka një metamorfozë enigmatike, ku nuk ka rreze të depërtojë aty; ajo është sa e prekshme, aq hyjnore, dhe kjo e bën atë të perëndishme…
Katër vargjet duken si një “pigment” dashurie…
“nëse një ditë largësia të ndan, mos kërko më rikthimin; mjafton të mos harrosh, të kujtosh se njëherë pikë-shikimi ndezi dritë, e cila mbeti ndezur dhe diku u rrënjëzua, e diku gjelbëron…”
Dhe nuk është “dilema” se kush iku, pse iku, sa larg syrit është; por largësitë fizike bien si yjet e këputur dhe “eklipsi shpirtëror” e përthith atë në gjirin e tij, aty te “shkëndijimi i syrit”.
Migel Flor