Robert Martiko

KUR MORALI BËHET PARULLË DHE LIRIA FILLON ME GUXIMIN PËR TË QENË VETVETJA
Rreth poezisë “Edukatë moralizuese”, me autore Eli Kanina
Poezia “Edukatë moralizuese” është një reflektim kritik mbi moralin e shpallur dhe moralin e jetuar. Me një gjuhë ironike, të drejtpërdrejtë e provokuese, Eli Kanina vë në pikëpyetje një shoqëri që flet pareshtur për etikën, ndërsa gjithnjë e më shumë largohet prej saj. Përsëritja e fjalës “moral” në fillim të poezisë krijon menjëherë idenë e një slogani të konsumuar, ku fjala është bërë më e rëndësishme se vetë vlera që ajo përfaqëson.
Figura të tilla si “pasta e dhëmbëve”, “vaksinë morali” apo “detergjentë morali” shprehin me ironi prirjen e shoqërisë për ta trajtuar moralin si një produkt që reklamohet, konsumohet dhe përdoret sipas rastit. Autorja denoncon hipokrizinë e një bote ku moralizimi është i kudondodhur, ndërsa ndershmëria, empatia dhe përgjegjësia janë gjithnjë e më të rralla.
Në pjesën e dytë të poezisë, ligjërimi merr një kthesë më filozofike. Kur shkruan se “trupi, shpirti e mendja bëhen një”, autorja mbron harmoninë e njeriut me vetveten dhe të drejtën për të jetuar sipas ndërgjegjes, edhe kur kjo e vendos në kundërshtim me shumicën. Nuk është një thirrje për të mohuar moralin, por për të dalluar moralin autentik nga ai i imponuar, që mbështetet te frika dhe te gjykimi i të tjerëve.
Vargjet përmbyllëse, ku poetja shpreh mall për “fëmijërinë e dikurshme” dhe dëshirën “të bëhem e gabueshme”, janë ndër më prekëset e krijimit. Ato nuk lavdërojnë gabimin, por rikujtojnë kohën kur njeriu jetonte më natyrshëm, pa maska dhe pa ankthin e vazhdueshëm për t’u dukur i përsosur. Në këtë kuptim, gabueshmëria bëhet simbol i lirisë dhe i njerëzores.
Ky vizion kujton mendimin e Søren Kierkegaard, i cili theksonte se njeriu bëhet autentik vetëm kur guxon të jetojë sipas së vërtetës së ndërgjegjes së tij dhe jo sipas pritshmërisë të turmës. Eli Kanina kujton se morali nuk matet me fjalët që përsërisim, por me mënyrën se si jetojmë dhe si mbetemi besnikë ndaj vetes.
“Edukatë moralizuese” është një poezi që sfidon hipokrizinë dhe glorifikimin e përsosmërisë. Ajo fton të kuptohet se njeriu nuk bëhet më i mirë duke u dukur i përsosur, por duke qenë i sinqertë me vetveten, duke pranuar dobësitë e tij dhe duke mos humbur kurrë lirinë për të menduar e për të jetuar me ndërgjegje.
EDUKATË MORALIZUESE
Moral, moral, moral
Si pasta e dhëmbëve
Nga mëngjesi në mbrëmje
Fjalët mullar i bëmë e morali po njësoj
Në rënie…
Morali a mëkati?
Dilema ku kohërat u ngërçën
Kacafytje deri në mekje
Shoqëri njerëzore dënuar me gjallavdekje
Nga plaku te fëmija
Nga shkolla të shtëpija
Profikalsia shpikur për mosprekje
Frikë nga pasojat?
Një vaksinë morali bla blla bla
Detergjentë morali
Për xhestet, ndjesitë, fjalët
Përsosja, marrëzi për të marrët
Kur trupi, shpirti e mendja bëhen një
Duan e ndjejnë të njëjtën gjë
Ndiqi pas!
Edhe në kundrarrymë ndaj të gjithëve
Shijoje veten
Mos u ndal!
Stërkëmbësha s’të duhen
Të ndihesh vetja, të ndihesh gjallë
Është më mirë
Se të jesh në rregull me njerëzit…
Oh sa paskam mall
Për fëmijërinë e dikurshme
Ç’ngasje!
Malli më merr të bëhem e gabueshme
Pa dashje…