Ismail Kadare – Krijuesi i madh që me largimin e tij ndikoi aq shumë në përmbysjen e diktaturës-Nga Besim R CENGU

Nga Besim R CENGU

… Kur një krijues u imponohet bashkëkombasve të vet dhe jo vetëm atyre, ia ka arritur qëllimit për çfarë shkruan. Ismail Kadare me prodhimin e tij artistik të begatë për një kohë prej më shumë se 70 vitesh, ka arritur të penetrojë thellë në ndërgjegjen shoqërore shqiptare, por ka tërhequr edhe vëmendjen e opinionit artistik edhe në vendet e tjera në Evropë dhe botë.

E, Ismail Kadare nuk shkruan vetëm për shqiptarët, por edhe për ballkanasit, evropianët e më tej, se ai prodhoi art universal.

Si i tillë, vërtet shkrimtari ynë i madh, për ne shqiptarët është një “Volter”, siç e ka cilësuar legjenda atdhetare Adem Demaçi në letrën e tij të hapur me rastin e kërkimit të azilit politik të Ismail Kadaresë në Francë në vjeshtën e vitit 1990.

Ismail Kadare, me veprën e vet ka ndriçuar shpirtin kolektiv të kombit tonë në çastet më të errëta të historisë, dhe, nga ana tjetër ka përquar në botën e civilizuar demokratike pasurinë e shpirtit tonë kombëtar, duke mos e lënë artin, letërsinë e gjuhën shqipe në periferi të zhvillimeve artistike bashkohore dhe, për më tepër, në kënetën e një letërsie tradicionale rrëfimtare e provinciale.

E në fakt dritë është vepra e tij. Ai është një institucion.

Tash kur Ismail Kadare nuk është në jetë, studiuesit dhe analistët me siguri nuk do t’i venë në theks momentet e jetës së tij nën regjimin komunist, as ndonjë “flirt” me të. Koha qe e tillë, sigurisht dhe logjika e asaj periudhe, gjithashtu. Po kështu “Janullat” do të jenë tej mase mikroskopikë për të “ndotur” veprën e tij monumentale.

Rëndësi ka vepra dhe vlerat e saj shumëdimensionale dhe që lenë “vragë” të përhershme në ndërgjegjen e njerëzve.

Pak kush e di, se Gëte në Gjermani qe një poet oborri e servil i politikanëve të asaj kohe. Ç’rëndësi ka?

Në kohën kur krijoi, edhe sot vlerësohet arti i tij e pesha që ka në shoqërinë gjermane dhe mentalitetin artistik të atij populli.

Askush, ose pak vetë në Francë, e dinë se një prej shkaqeve të vdekjes së Balzakut është konsumi jashtë mase i kafesë. Ç’rëndësi ka?

Sot njihet vepra e tij madhështore shumëdimensionale, si pasqyrë e gjithë jetës së popullit të ndjeshëm francez gjatë shekullit të XIX. Madje, nëse do të dijë dikush se kush ka qenë Franca e shekullit të XIX, lexon Balzakun, Stendalin, Hygoin, Floberin, Gi dë Mopasanin….

Kështu ndodh edhe me Kadarenë, këtë krijues, i cili ndikoi dukshëm esencialisht në emancipimin e letërsisë shqipe dhe mentalitetin tonë.

***

Akademiku Rexhep Qosja, dikur, diku është shprehur se krijuesit me veprën e vet artistike, fitojnë mandatin e përjetshëm në shoqërinë ku jetojnë e ndikojnë, ndërsa politikanët kanë mandatin e përkohshmërisë, prandaj votohen një herë në katër vjet.

Kadareja dhe Qosja, ashtu sikurse mësuesit e tyre të mëparshëm Naimi, Fishta, Noli, Konica, Migjeni, Mekuli etj., me veprën e tyre, kanë fituar mandatin e përjetshëm tek shqiptarët.

***

“…zgjodha rrugën, që nuk do të dëshiroja kurrë dhe të cilën nuk do t’ia këshilloja askujt.”- deklaron Kadare fill pas ikjes në Francë më 25 tetor 1990 (Zëri i Amerikës, 25 tetor 1990)

Artistët e krijuesit kanë një orë të tyre. Orë të veçantë, të ndjeshme, që parashikojnë, parandjejnë e lajmërojnë kombin për të cilin përkushtohen. Shembuj në fondin e artë krijues kemi Mjedën, Nolin, Fishtën, Konicën, Migjenin… Këta korifej ishin orë të tilla.

Sigurisht edhe Kadare, i cili në deklaratën e tij i drejtohet popullit të vet: “Kombi shqiptar, si ai që jeton brenda kufinjëve të shtetit, si ai në Kosovë, gjendet në një nga orët më të liga të historisë së tij. Në këtë orë tragjike askujt nuk i lejohen veprimet e paligjshme, sjelljet aventurore, abuzive ose ekzibicioniste. Shmangia e një katastrofe, e cila do të ishte e pariparueshme për vendin, është detyrë e të gjithëve.

Ata, që dashur ose pa dashur e nxisin ose e afrojnë tragjedinë, do të përgjigjen para historisë, si pjesëmarrës në një krim”.

Këto janë fjalët profetike të Kadaresë. Fjalë që i thirrën ndërgjegjes kolektive shqiptare të trumhasur për afro 50 vjet, ende të mpirë prej ilaçit politik neuroparalizues që e pat emrin komunizëm. Atë kohë, në Shqipëri qe përvijuar në fakt një shtresë intelektuale, e cila pas viteve ‘80 shihej si rrezik prej burokracisë së pashpirt të asaj kohe të mugët. Kjo inteligjiencë, diku hapur e diku fshehtas, kishte përpunuar idetë antidiktaturë. Guacka e hekurt, kishte filluar të krisej dhe prej të çarave të saj kishte filluar të depërdonte drita e qytetërimit perëndimor, e atij qytetërimi që i përkasim realisht. Përballë kësaj dukurie, burokracia e pashpirt ishte jo vetëm xheloze, por edhe armiqësore.

Lajmëtari i kësaj drite evropiane, s’do shumë mend para së gjithash qe Ismail Kadare me veprën e tij, me mendimin e ri që përfaqësonte në opusin e tij krijues. Mjetet, sigurisht ishin të rezervuara, e, megjithatë Kadare thotë: “Gjer më sot jam përpjekur të ndihmoj për zbutjen e regjimit me ato mjete që kanë qenë të mundura në Shqipëri”.

Kështu ka qenë në të vërtetë.

Ne, brezi i ri i asaj epoke që po përmbysej, manifestonim kur shihte dritën e botimit një vepër e re e Kadaresë, mu për shkakun se, autori i madh na hapte shtigje të reja në jetën tonë përditshme, në jetën tonë rutinë, në jetën tonë të varfër, modeste… të ndrydhur, në jetën tonë të shkëputur nga jeta plot dritë demokracie evropiane.

Me veprat e Kadaresë, prishej ai standard jetësor i mërzitshëm dhe i padurueshëm, iknim deri diku prej atij realitet që quhej burg kolektiv.

Kadareja me veprën e vet na sillte dritën e shpirtit, metodën e re krijuese, metodën bashkëkohore, mentalitetin e ri, jashtë korrnizave strikte që predikonte socrealizmi. Tepër të qartë ishim pasi lexonim “Kronikë në gur”, “Gjeneralin…”, Muzgun e perëndive të stepës”, “Nëpunësin e pallatit të ëndërrave”… e plot të tjera. Ebu Qerimët i takonim çdo ditë, drejtoheshim prej tyre, lëngonim nga ato… Dhe admironim Ismail Kadarenë. Këtë efekt bënin edhe veprat tjera të tij, por edhe të Agollit, Arapit, Spahiut.

Për këtë ikja e patriarkut të letrave tona, Ismail Kadare, duke kërkuar azil politik në Francë, na e pat bërë zemrën gropë.

Për një farë kohe, boshllëku intelektual e krijues ishte shumë i ndjeshëm. Shpirti shqiptar (sidomos i rinisë) u bë shkretëtirë. U ndodhëm përpara dilemës: na braktisi Kadare, na ktheu krahët, apo…?!

Kadare, e dinte këtë gjendje tonën, prandaj na thotë në deklaratën e tij: “Duke e lënë vendin, kam besim se do të kthehem përsëri në të. Kur e them këtë, nuk kam parasysh kthimin pas një katastrofe, por pas një demokratizimi të vërtetë”. Kështu shprehet Ismail Kadare, diku nga fundi i deklaratës së tij, duke lënë pas shpresën, se nuk e ka braktisur vendin përgjithnjë si shumë intelektualë para tij. Një deklaratë e tillë, dëshmonte përgjegjshmëri intelektuale dhe atdhetare. Por njëherit, prapë se prapë, kishte edhe shijen e hidhur të lëshimit të frontit të luftës për demokratizim.

Vërtet ky akt ishte një klithmë kundrejt botës demokratike europiane, po kush na garantonte ne, se Europa do të mbante qëndrim indiferent si në shumë raste gjatë historisë tonë të ashpër.

Po përcjellim të plotë deklaratën që Ismail Kadare, i dha radio “Zëri i Amerikës” në mbrëmjen e datës 25 tetor 1990:

DEKLARATË

E shkrimtarit Ismail Kadare mbi vendimin për të kërkuar strehim politik në Francë

Vendimi për të lënë vendin tim, është vazhdim logjik i asaj që kam mbrojtur gjer tani në veprën time. Dje i kam dërguar një letër presidentit Ramiz Alia, ku i kam shpjeguar arsyet e këtij veprimi. Gjer më sot jam përpjekur të ndihmoj për zbutjen e regjimit me ato mjete që kanë qenë të mundura në Shqipëri. Në takimet dhe letërkëmbimet që kam patur me presidentin në pranverë të këtij viti, ia kam shprehur fare qartë kërkesat për demokratizim urgjent, të thellë dhe të plotë të vendit. Mirëpo premtimet e dhëna nuk u mbajtën dhe shqetësimi im, ashtu si i shumë shqiptarëve është i hidhur. Duke mos patur asnjë mundësi tjetër për të bërë të qartë pozicionin tim, meqenëse në Shqipëri nuk ekziston mundësia e opozitës legale, zgjodha rrugën që nuk do të dëshiroja kurrë dhe të cilën nuk do t’ia këshilloja askujt.

Kombi shqiptar, si ai që jeton brenda kufinjëve të shtetit, si ai në Kosovë, gjendet në një nga orët më të liga të historisë së tij.

Në këtë orë tragjike, askujt nuk i lejohen veprimet e paligjshme, sjelljet aventurore, abuzive ose ekzibicioniste. Shmangia e një katastrofe, e cila do të ishte e pariparueshme për vendin, është detyrë e të gjithëve. Ata që dashur ose pa dashur e nxisin ose e afrojnë tragjedinë, do të përgjigjen para historisë, si pjesëmarrës në një krim.

Udhëheqja shqiptare është e detyruar të flakë menjëherë nga koka e saj konceptet arkaike e absurde, që ka për liritë e të drejtat e njeriut, për represionin e sidomos për legjitimitetin e pushtetit.

Këto koncepte me çfarëdo teorie e pseudoteorie që të përligjen, janë në kundërshtim me të drejtën universale dhe të dënuar nga bota e qytetëruar.

Udhëheqja shqiptare duhet të kuptojë, se jo demokratizimi i vendit, por e kundërta e tij do ta çojë atë drejt humbjes. Ajo ka ende një shans të fundit të shpëtojë vendin. Në një kohë të vështirë për ta, shqiptarët kanë nevojë më shumë se kurrë për gjakftohtësi, qartësi, për ekuilibër e purifikim shpirtëror. Ata duhet të kuptojnë, se fajet e një epoke në një mënyrë ose në tjetrën rëndojnë mbi të gjithë, rrjedhimisht ndarja me të keqen do të jetë kontribut dhe meritë e të gjithëve.

Së fundi, desha të shtoj, se familja e popujve evropianë duhej të ishte më e vëmendshme ndaj këtij populli, një ndër më të vjetrit e kontinentit, me të cilin historia është treguar e ashpër. Duke e ndihmuar këtë komb të shërohet prej fatalitetit që e ndjek prej kohësh dhe duke e futur prapë në gjirin e familjes, Europa do të korrigjojë fajin e dikurshëm ndaj tij.

Duke e lënë vendin kam besim se do të kthehem përsëri në të. Kur e them këtë, nuk kam parasysh kthimin pas një katastrofe, por pas një demokratizimi të vërtetë. I bëj thirrje gjithë shqiptarëve, kudo që ndodhen, si dhe gjithë drejtuesve në të gjithë nivelet, që të përdoren të gjithë mjetet pacifike për këtë demokratizim, realizimi i të cilit është jashtë çdo dyshimi.

25 Tetor 1990