Shoferi-piktor !Ilirian Ali

Ilirian Ali

Shoferi-piktor !

Rahmi Dervishi është një nga ata njerëz që di ta jetojë jetën me pasion dhe t’i japi asaj ngjyrat e shpirtit të tij. Dikur shofer në shërbim të ekonomisë e të qytetarëve dhe sot ai vazhdon një udhëtim tjetër po aq të bukur dhe domethënës.Udhëtimin në botën e artit të pikturës

Çdo mbrëmje, ai shoqëron perëndimin e diellit derisa ai të humbasë pas Karaburunit, duke soditur rrezet e arta të tij që shtrihen mbi sipërfaqen e detit dhe e mbulojnë atë me një dritë magjike. Në çdo stinë, ai mbetet i palodhur në pasionin e tij, gjithmonë i gatshëm të kapë me penel çastet më të bukura që natyra fal.

Aty ku jeton dhe zhvillon aktivitetin e tij, në verandën e vilës së ngritur mbi shkëmb, Rahmiu ka krijuar edhe galerinë e tij të përhershme. Pushues nga e gjithë Europa, që zgjedhin të kalojnë pushimet në vilën e tij, ndalen për të shijuar peizazhet dhe ngjyrat që ai sjell në telajo, vepra të krijuara në orë të ndryshme të ditës, secila me dritën dhe shpirtin e vet.

Pasioni i rinisë së tij për pikturën është rizgjuar pikërisht nga magjia dhe bukuria e gjirit të Vlorës. Rahmiu qëndron mbi shkëmb si një rojtar vigjilent i kësaj bukurie, ai qëndron me penelin në dorë, i vendosur të mos humbasë asnjë nuancë,asnjë çast nga loja e dritës mbi det: nga rrezet e diellit që vallëzojnë mbi valë, deri te reflektimi i hënës që i jep gjirit një hijeshi njē bukuri magjike..

Puna, vullneti dhe pasioni i Rahmiut janë të dukshme dhe të admirueshme. Nuk është rastësi që në një periudhë relativisht të shkurtër ai ka arritur të hapë disa ekspozita në Galerinë e Arteve Figurative të qytetit. Ky sukses është dëshmi e talentit, përkushtimit dhe dashurisë së tij të thellë për ngjyrat .

Piktura e Rahmiut është e gjallë, plot dritë dhe emocion. Ajo të tërheq menjëherë me koloritin e pasur, ndjeshmërinë dhe ekspresivitetin e saj. Nuk është çudi që edhe miqtë e tij, piktorë të njohur të qytetit, e vlerësojnë lart krijimtarinë e tij, duke parë tek ai një artist të sinqertë, të talentuar dhe autentik. Rahmi Dervishi është dëshmi e bukur,se arti nuk njeh moshë; ai jeton dhe lulëzon sa herë që zemra vazhdon të ëndërrojë.Urime mik dhe paç gjithmon suksese