Besim Cengu
KAPUCI, ËSHTË LASHTËSIA, IDENTITETI DHE DËSHMIA MË AUTENTIKE E EKZISTENCËS TONË SI POPULL I LASHTË.




Pas gjuhës, si element etnologjik dhe simbol identiteti, kapuçi ose plisi, është gjurma më e lashtë e popullit tonë.
… Përdorimi i leshit të deles dhe ngjyra e bardhë e saj (e ndriçimit hyjnor), dëshmon rolin e madh simbolik, por edhe të lashtësisë të rracës tonë dhe, në kontekst, të vetë kapuçit dhe të gjithë veshjes së shqiptarit prej lashtësisë.
Edhe popujt e tjerë, që kur zë fill jeta njerëzore, leshin e ka pasur për bazë. Kinezët, indianët, egjiptianët, mongolët, vikingët, keltët, grekët… qenë civilizime të ndritshme nëpër kohë e faza të historisë, por për bazë patën përpunimin dhe praktikimin e leshit të kafshëve që mbarështronin në shtëpitë e tyre, por shto këtu edhe të kafshëve të egra.
Specifikisht, delja, dhia, lopa (kau) në shekuj kanë pasur rol e vend të rëndësishëm në simbolet dhe mitet e besimit pellazg e ilir parahelenik dhe janë trajtuar si kafshë të shenjta, të bekuara që u kanë sherbyer njeriut.
Etnologu i njohur Pr. Dr. Mark Tirtja, shprehet se “dhia paraqitet me cilësitë e hyjnisë së pyllit…” dhe se “gjahtarët para se të dilnin për gjah në vendet ku kishte dhi të egra, laheshin dhe kryenin një sërë ritesh”.
Kapuçi (Plisi) si simbol identiteti, por edhe religjioz e mbretëror, është hyjnizuar në shumë objekte prej guri të pellazgëve, indianëve apo etruskëve. Por është faktuar edhe te fiset bashkëmoshatarë me ta, larg dhe afër tyre.
Kapuçi ose plisi në lashtësi është përdorë edhe në Europë, Azi dhe Afrikë, fakt që përputhet me të dhënat e argumentuara historike dhe arkeologjike të përhapjes së fiseve pellazgo-ilire, që na jep të drejtën të themi, se është element thjesht i yni, dmth pellazgo-ilir.
Fakti se te populli shqiptar, ky element i lashtë etnologjik demonstrohet edhe sot, si vijimësi logjike, flet për vërtetësinë e ideve dhe deduksioneve tona shkencore.
Emri alban dhe kapuçi, dëshmojnë trashëgiminë pellazge nga parahistoria, deri në shekullin në të cilin jetojmë.
Dominimi i ngjyrës së bardhë në veshjen e njeriut tonë, vjen pikërisht nga ngjyra e leshit të deles, ndërsa kapuçi (plisi) është domethënie kuptimplotë e identitetit tonë. Pikërisht këtu qëndron vlera shkencore e ruajtjes dhe trashëgimit së këtij simboli dallues.
Studimet dhe mbledhja e plot fakteve, hulumtimi i çdo gjurme për të faktuar e mbrojtur me argumente shkencore praninë e tij në trevat tona, është një atdhetari e pastër, por njëherit edhe një detyrim intelektual e shkencor. Them atdhetari e pastër dhe detyrim, se për shkak të rrethanave sociale, ekonomike dhe kulturore, kapuçi (por edhe aksesorët e tjerë të kompletit të veshjes shqiptare te meshkujt e te femrat) janë drejt asimilimit për shkak të rrethanave të reja që janë krijuar në shoqërinë globale, e në këtë kontekst, edhe në shoqërinë tonë.
Së pari, kjo dukuri ka ardhur për shkak të revolucionarizimit të veshjes në Evropë e në mbarë planetin. Rrjedhimisht e logjikisht, edhe te ne shqiptarët do të ishte i pashmangshëm ky ndikim.
Shekulli i XVII-XIX, si rrjedhojë e modernizimit industrial dhe shoqërizimit të mjeteve të prodhimit, solli ndryshimin e madh në perëndim në aspektin e veshjes.
Si pjesë e kontinentit evropian, nuk kishim si të mos ishim të ndikuar edhe ne. Dihet se shoqëria evropiane në shekujt e mesjetës e këndej, shpenzonte shumë për veshjen e femrës sidomos, por edhe të burrit. Kompletimi i veshjes së një aristokrateje franceze në kohën parabonapartiane, por edhe pas saj, kushtonte sa vetë shtëpia. Po kështu edhe në Angli, Gjermani, Holandë, Rusi apo Itali.
Pas revolucionit industrial në Angli dhe Evropë, e sidomos shpikjes së makinave, që prodhonin pëlhura të ndryshme, ndryshoi edhe koncepti për veshjen, duke zbehur deri në zhdukje veshjen e vjetër.
Është logjike dhe e natyrshme.
Shoqëria në epoka e faza, ndryshon në përshtatje me rrethanat. Kjo dukuri filloi edhe te ne shqiptarët, duke u demonstruar qartë në periudhën e Rilindjes Kombëtare.
Tek rilindasit tanë të shquar, madje edhe para kësaj epoke të madhe, u praktikua kostumi dhe kravata si elemente moderne perëndimore. Naum Veçilharxhi, vëllezërit Frashëri, Zef Jubani, Pandeli Sotiri, Petro Nini Luarasi, Thimi Mitko, Pashko Vasa etj, e dëshmuan qartë refleksionin e këtij revolucioni në veshje në Shqipëri.
Së dyti, kjo dukuri erdhi për shkak të kultivimit e përdorimit gjithnjë e më pak të deles (edhe të kafshëve të tjera), apo ndryshimit të konceptit për mbarështrimin e tyre dhe, çka është më e rëndësishmja, përdorimi e përpunimin gjithnjë e më pak i leshit të deles, si lëndë e parë në industrinë e veshmbathjes.
Kapuçi dhe mbretërimi i ngjyrës së bardhë në veshjen tradicionale shqiptare, ka ardhur pikërisht prej ngjyrës së deles. Plisi nëpërmjet zanatçinjëve, prodhohej prej leshit të shkelur të deles. Ndërsa leshi i dhisë për shkak të karakteristikës, ndryshe prej atij të deles, nuk është përdorë shumë. Me lesh dhie populli ynë kryesisht ka punuar cergat dhe ndonjë rrobë tjetër si bie fjala mestet, që specifikisht e përdornin barinjtë.
Është faktuar shkencërisht se në praktikës jetësore të shqiptarit delja dhe dhia janë të pranishme që para tetë mijë vitesh. Flitet për një traditë të lashtë jo vetëm për rritjen e kultivimin, por edhe për zanatet po kaq jetëgjata, që shoqëruan rrugëtimin mijëravjeçar në bashkëjetesë.
Ky element i lashtë, është në agoni në fakt sot për të gjitha rrethanat që përmendëm dhe ngushtuan praktikimin e tij.
Për fat të keq edhe përpjekja jonë sot, nuk ka qëllimin për të qenë ai i pranishëm dhe i praktikueshëm te njerëzit. Ideja është të nxjerrim e faktojmë përpara të rretheve shkencore ngadojanë, lashtësinë tonë nëpërmjet këtij elementi të lashtë etnologjik.
Një dukuri e zbehjes së pranisë gjithnjë e më pak i kapuçit (plisit) në mesin tonë, është edhe për shkak të ndryshimeve substanciale sociokulturore dhe ekonomike, sidomos këtij pesëdhjetëvjetështit të fundit. Koha e re, moderniteti, integrimet kulturore globale, ndryshimet drastike në këtë rrjedhë në të gjitha fushat, kanë përcaktuar të gjitha kushtet për tendencën drejt zbehjes së përdorimit të këtij elementi, pse jo edhe drejt zhdukjes së tij.
Prandaj përpjekja për ta publikuar e bërë të njohur, ruajtur dhe praktikuar kapuçin si element etnologjik, që tregon moshën tonë të moçme si popull, është detyrim e domosdoshmëri.
Në fazat e agresivitetit shovinist sllav në këto dy shekujt e fundit, sidomos kundrejt popullit shqiptar (përpjekjet antishkencore sllave (konkretisht serbe) deri në absurditet për të “pronësuar” lahutën si element tjetër i lashtë identifikues, sa edhe plisi, urrejtja e hapur dhe tendencioziteti antishkencor, është i orjentuar qëllimisht, prandaj jo më kot janë drejtuar te simbolet tona të lashta që kanë të bëjnë me konstuticionin tone identifikues.
Në luftën e vitit 1999 në Kosovë, unë vetë kam vërejtur e shënuar shumë raste të veprimeve të shëmtuara të serbëve kundrejt këtij simboli të shqiptarëve si hedhja përtokë me urrjejtje e plisit, djegja publike, shkelja me këmbë, ndotja, grisja etj.
Unë vij nga krahina e Lumës dhe jam marrë do kohë me studimin e plisin, si element thelbësor identiteti të banorit të kësaj treve. Them thelbësor, sepse ky element i rëndësishëm na ka bërë që të jemi ndryshe nga të tjerët, të dallojmë dhe t’u themi kujtdo, se prania e një plisi është prani e një pjese toke në kokën tonë si dëshmi e fortë autoktonie e vjetërsie.
Kapuçi në Krahinën e Lumës, kryesisht paraqitet dhe aplikohet i rrafshët, ashtu sikurse edhe në Dibër e Mirditë me do ndryshime joesenciale.
Por në fakt, varianti më i lashtë i tij është i pranishëm pikërisht në këtë krahinë. Kapuçi i rrafshët është relativisht i vonë, ndërsa tipik për burrit e Lumës është ai që kanë mbajtur të vjetrit dhe që gjurmën e tij janë ende edhe sot te një grusht burrash, por gjithnjë e më pak fatkeqësisht. Kapuçi i Krahinës së Lumës, është afërsisht si ai në Kosovë apo në Has e Malësinë e Gjakovës, por paraqitet më i vogël. Paraqitet me majë, jo i rrafshët, por pak më i shkurtër dhe më i cekët.
Ndoshta ky variant, është më i lashti dhe më autoktoni, pasi përafron edhe me plisat, që kanë mbajtur pellazgët, etruskët apo edhe mbretërit ilirë.
Për të konkretizuar këtë lloj kapuçi, që dëshmon si më i vjetri, mjafton të kujtojmë se në Shtiqën si vendbanimi më i vjeter, i kanë manifestuar burra si Zenel Hazir Cengu, Jonuz Hajdari, Hamëz Beqir Axhami, Mustaf Beqir Iseberi, Hamit Shaqir Muja, Xheladin Ram Muja, Islam Dervish Trota, Selman Murat Shehu etj. Shumë të tjerë i praktikuan edhe në vendbanime të tjera në Lumë, sidomos në rrafshe.
Interesante është se ky lloj kapuçi apo plisi, që përdoret në këtë krahinë, ngjason shumë me ato të papëve dhe çka është më e rëndësishmja, nuk e kemi hasur në asnjë trevë tjetër një variant si ky.
Shumë esenciale është se ata burra, që mbanin këtë lloj kapuçi, vishnin edhe fustanellat e bardha të gjata deri në fund të këmbëve si element tejhomerik, gjurmë etnologjike identifikuese shumë e rëndësishme për të cilën do të ndalemi në një rast tjetër.
Prej kur në një punim shkencor para dyzet vitesh (1986) për plisin (në krahinën e Lumës emërtohet kapuç) kam vërejtë shumë ndryshime si rezultat i rrethanave sockulturore.
Për shembull, vetëm në fshatin Shtiqën, në vitin 1985, kishte 66 burra me kapuç, nga këta 11 prej tyre praktikonin variantin e vjetër (kapuçi me majë dhe më i shkurtër se ai që përdoret në Kosovë, Has e Malësinë e Gjakovës) ndërsa 24 meshkuj manifestonin të gjithë “takamin” e veshjes, që do të thotë respektimi i kompletit, prej nortës e deri te kapuçi, te meshkujt dhe prej nortës e deri në mafes te femrat.
Ndërsa sot janë pikasë vetëm 4 burra mbajnë plisin në të gjithë Rrafshen e Lumës (prej Morini e deri ne Kolesjan), por ama vetëm kapuçin, pasi as që bëhet fjalë për respektimin e kompletit të veshjes tradicionale të burrit në Lumë.
Në prag të agonisë dhe të harresës të këtij elementi identifikues të popullit tonë, lum kush i del zot dhe sjell sa më shumë fakte e bën sa më shumë studime, sepse jo vetëm që është një kontribut shkencor i rëndësishëm, por edhe një akt i madh atdhetar.