“11 Shtator 2001”-Mariana Zegali Rustemi

Mariana Zegali Rustemi

“11 Shtator 2001”

Prej kohësh preferoj që lajmet për më të rejat e ditës t’i mësoj përmes portaleve në internet.

Për forcë zakoni, apo profesioni, lajmet që më “ngacmojnë” zgjedh t’i lexoj në dy a tre burime, për t’i bërë të besueshme, ose “të mijat”, sic pëlqej t’i quaj.

Këtë mëngjes, faqet e para gjithandej, hapeshin me përkujtimin e një prej ngjarjeve më tronditëse të këtij fillim shekulli, atë të Tragjedisë së 11 shtatorit… e cila nuk shkundi dhe mobilizoi vetëm SHBA-të, por përfshiu, tronditi mbarë botën dhe shënoi kthesën shumë dimensionale të hartimit dhe ndërtimit të Politikave Strategjike në Fushën e Mbrojtjen e të Sigurisë Globale.

Kujtoj se kjo ngjarje më gjeti në detyrë : Zëdhënëse e M.Mbrojtjes dhe Shefe e Zyrës së Shtypit dhe Informacionit, në Kabinet të Ministrit të Mbrojtjes.

Ora kishte kaluar mesditën dhe isha përfshirë në përgatitjen e një materiali, kur më hyri në zyrë B., kolege që punonte si përkthyese në Zyrat e Bashkëpunimit me NATO, në Ministri.

-S’e paske hapur TV ?! -më pyeti dhe shtoi me një zë gati si sirenë alarmi : Kanë sulmuar njërën nga Kullat Binjake në New York, me një avion pasagjerësh…

E siguritë ?! Aksidentalisht? – pyeta pa e fshehur tronditjen.

– Nuk duket , -u përgjigj B. dhe me shpejtësinë që hyri, doli.

Telefoni mbi tryezën e punës filloi të bjerë pa pushim, me thirrje nga Zyrat e Informacionit të mediave vendase…

I kërkova sekretares kontaktin me Ministrin .

Zoti Majko, ish Kryeministri, kish vetëm pak ditë që e kish marrë detyrën e Ministrit të Mbrojtjes. Ishte Ministri i katërt që kaloja në të njëjtin pozicion pune dhe njiheshim pothuajse fare pak.

Kujtoj që Ministrit i prezantova interesin e medias rreth “qendrimit zyrtar për ngjarjen “, por që kapërcente kompetencat tona Institucionale…

Ndërkohë, ishte goditur edhe kulla e dytë .

Tragjedia kish marrë përmasa që tejkalonin realen. Tronditja po ashtu… Për më tej, nuk mund të jetë objekt i këtij shkrimi.

E tregoj këtë emocion për herë të parë.

Për shkak të detyrës, Fjala e dalë nga unë merrte peshë institucionale, ndaj gjithmonë kam bërë kujdes të mos shprehem personalisht dhe asnjëherë zyrtarisht pa miratim të Titullarit.

Detyrën Zëdhënëses ma ngarkuan në periudhën e post Luftës në Kosovë, kur Ministrinë e Mbrojtjes e drejtonte z.Luan Hajdaraga, (RIP) një personalitet i paharruar në memorjen e shumëkujt që ka punuar me të, apo e ka njohur nga afër.

Pa qenë kurrë ” e rreshtuar politikisht”, besoj se kjo detyrë m’u ngarkua pas një pune si gazetare dhe drejtuese e Qendrës së Foto-Filmit të FA , vlerësuar, për trajtimin e ngjarjeve te 97-tës edhe më tej, për ringritjen dhe ristrukturimin e Forcave të Armatosura.

Ishte periudhë pune të cilën e kujtoj gati me nostalgi, si një përvojë të pasur profesionale me angazhime direkte dhe konkrete me Zyrat e Informacionit dhe Programacionit në RTVSH, kryesisht, informacione të Forcave të Armatosura, lidhur me ngjarjet tronditese në vend, gjë që do të meritonte trajtimin si kapitull më vehte…

Pas “11 shtatorit “, intensiteti i punës në dikasterin tonë, u shumëfishua …

Mbaj mend që mesnata, apo dalja e gazetës së fundit, më “përcillte” për në shtëpi …

Gati dy vite e ca më pas, në mes të majit të 2003, e përfshirë në një delegacion që kryesohej nga Ministri i Mbrojtjes dhe Ushtarake të nivelit të lartë të Shtabit të Përgjithshëm të FA , shkova për herë të parë në Washington DC.

Ndihesha me fat të “shkelja” Pentagonin… Të isha unë Zëri që përcillte në Shqipëri, informacionet lidhur me Nënshkrimin e Marrëdhënieve dy Palëshe të Bashkëpunimit ( në vijimësi ) në Fushën e Mbrojtjes me SHBA-të, këtë Vend të Madh që u ringrit, si Sfinksi nga hiri, më i fortë pas “Tragjedisë së 11 Shtatorit”.

***

©️ Mariana Zegali Rustemi#rustemimarjana

11 shtator 2020