Kintsugi i Zemrës-Enver N. Rexhaj

Kintsugi i Zemrës

Shumë njerëz largohen sapo ndeshen me një zemër të krisur, sepse jetojnë me iluzionin se vlera banon vetëm te përsosmëria. Por jeta nuk krijon kryevepra nga ajo që nuk është prekur kurrë; ajo i skalit ato përmes plagëve.

Kam lexur dikur se në Japoni ekziston arti i Kintsugi-t. Kur një enë thyhet, ajo nuk fshihet nga turpi dhe nuk hidhet si e pavlerë. Copat e saj bashkohen me ar, sepse thyerja nuk është një gabim për t’u fshehur, por nje pjesë e së vërtetës së saj. Ari nuk e mohon plagën; ai e ndriçon atë.

Edhe zemra e njeriut është një Kintsugi i padukshem. Çdo zhgënjim, çdo lot dhe çdo humbje lë një çarje në shpirt. Por janë pikërisht ato çarje që lejojné dritën e përvojës të hyjë brenda. Njeriu nuk bähet më i madh sepse nuk ka vuajtur, por sepse ka zgjedhur të mos lejoje që vuajtja t’ia shuajë aftësinë për të dashur.

Ata që dinë të duan nuk kërkojnë zemra të paprekura. Ata kërkojnë zemra që kanë rënë dhe janë ngritur, që kanë njohur errësirën dhe prapë kanë zgjedhur dritën. Sepse vetëm ai që ka kaluar nëpër dhimbje e kupton peshën e një përqafimi, heshtjen e një faljeje dhe madhështinë e një dashurie të singertë.

Ndoshta bukuria nuk është mungesa e plagëve. Ndoshta bukuria është guximi për të mos i fshehur ato. Sepse zemrat më të çmuara nuk janë ato që koha i ka kursyer, por ato që, edhe të krisura, vazhdojnë të rrahin me të njëjtën shpresë.

Ne fund, nuk është ari ai që e bën të shtrenjtë një vazo të riparuar. Eshtë historia që ajo mbart. Ashtu edhe njeriu: nuk vlen për atë që nuk ka humbur kurrë, por për atë që, pasi humbi, gjeti forcën të bëhej sërish dashuri.