
–tregim nga Ymer Hysa-
Autobuzi ndaloi si zakonisht në stacionin e tij. Udhëtarët që zbritën ishin një çift të moshuarish. Burri i veshur me kostum e këpucë llustrafine, në kokë mbante një kapele rrepublike. Ecte ngadalë dhe mbahej me shkop, ndërsa gruaja, po ashtu ishte e veshur bukur me fustan të erret dhe mbi të kishte veshur një pulovër deve.
Dukeshin që ishin jabanxhinj. I hodhën një vështrim rrugës dhe pasi u siguruan se nuk kishte makina e prenë atë dhe dolën në krahun tjetêr të saj duke marrë drejtimin për nga shkolla. Unë isha rreth njëzet metër para tyre kur burri i moshuar mu drejtua:
-Ju lutem zotri ka mundësi një minutë.
-Sigurisht që po, urdhëroni.
– Ju jeni vëndas këtu?
-Po prej shumë brezash.
-Kjo është shkolla e re e fshatit?
-Po kjo është.
-Qenkemi vonë në kohë, foli me një ndjenjë dhembshurie.
-Përse e keni fjalën, ka ndonjë problem?
-Ne jemi burrë e grua dhe në rininë tonë kemi qenë mësues këtu, por shkolla e vjetër qënka prishur.
-Eshtë bërë më e bukur e reja, është rritur ndjeshem numri i nxënësve, tashmë është shkollë e mesme, vazhdova unë në timen.
-E shohim dhe është bërë shumë mirë, por te shkolla e vjetër kemi një kujtim të pa harruar.
-Mbase mund tju ndihmoj unë?
-Po ajo nuk qënka më, mu drejtua ish mësuesi, qënka ndërtuar e re.
– Nuk është mbi themelet e të vjetrës, fola unë i lehtësuar se mund ti çliroja disi nga ai makth që i kishte mbërthyer.
-Ne kemi lënë diçka si kujtim te ajo shkollë. Në parvazin e njërës dritare aty mbi kornizën e dritares kemi lënë një krëher..
-Krëhër, shpreha habinë unë. Dhe për një krëhër keni marrë rrugën nga ai qytet i largët verior në këtë moshë ?!.
E pashë në sytë e tyre mërzinë që u krijoi habia ime.
-Po për atë krëhër kemi ardhur. Me atë krëhër kemi krehur nxënêsit, me atë krëhër u kemi hequr edhe morrat disa nxënësve. Ishim fillimet e para të shkollës pas çlirimit dhe higjena nuk ishte si duhej.
Shtanga. Më falni ju lutem, por kjo puna juaj paska dy të mira. E para që ju do të gjeni krëhërin tuaj dhe e dyta, në atë ndërtesë banon një familje, ajo nga dita në ditë mund ta restaurojë, po e gjeti krëhërin para jush, ajo familje do mendojë që i është bërë magji.
Qeshën me lotë. Këtë se kemi menduar ndonjëherë foli mësuesi.
Ikëm te ish shkolla e kthyer në shtëpi banimi. Aty gjetëm vetëm të zonjën e shtëpisë. Si vendali e prezantova kush ishin miqtë dhe pse kishin ardhur. Ajo qeshi dhe i ftoi në ish klasën ku gjendej “thesari”. Dritarja ishte siç kishte qenë dhe pse klasa ishte bërë dhomë gjumi.
Mësuesi mori një shtizë që e zonja e shtëpisë thurte çorape, e futi mes murit dhe kornizës duke e rreshqitur mbi të dhe për çudinë tonë dhe kënaqësine e tyre nga aty doli një krëhër druri me dhëmbëza në të dy krahët.
Mësuesi e mori në dorë dhe nga xhepi i xhaketës nxori një shami dore të pastër dhe me të fshiu pluhurin që e kishte mbuluar krëhërin prej dhjetra vitesh. E vështroja me habi. Në sytë e tij shihja edhe dhembshuri edhe kënaqësi.
Kam kujtime që s’mund ti harroj, me këtë krëhër kam krehur dhjetra nxënës në vitet që isha mësues këtu. Ky krëhër është një kujtim i pa harruar.
E shihja teksa fliste gjithë emocion. U emocionova edhe unë, por e zonja e shtëpisë, një grua e moshuar na shkundi nga kjo përhumbje në thellësinë e kujtimeve ndër vite duke na ftuar të uleshim në karriket portative pranë një tavoline druri të ndërtuar në mënyrë artizanale për të pirë kafet dhe gotat e rakisë.