Kufiri i gjallë-Shkurte Berisha

 
Na prekin kufijtë me harta e me fjalë,
Që ngrenë stuhi e na sjellin rreziqe,
Por mbrojtësit e truallit do t’i bëjnë ballë,
Të mbrojnë çdo pëllëmbë të tokës antike.
 
Në epokën e re të tregjeve të botës,
Gjuha e nënës na rri si mburojë,
Harrojmë se rrënjët e pragut të votrës,
Na mbajnë të fortë që kombi të rrojë.

 

Nuk mbrohet atdheu vetëm me tyta,
Por duke shkruar e folur shqip pastër,
Se kombi që harron se nga i erdhi drita,
I falet harresës dhe dënohet ashpër.
 
Çdo shkronjë e këtij fjalori të shenjtë,
Është kufi i gjallë që s’bën të shkelet,
Nëse s’mbrojmë gjuhën e trojet shtrenjtë,
As emri Shqiptar në histori s’do mbelet!