Lumo Kolleshi

Gjunjë që nuk patët gjumë,
Pse m’u bëtë kaq të rëndë?
Malin që kam dashur shumë,
S’ma lini ta bredh me këmbë.
Eh,ku vanë ato vite,
Ajo erë e asaj moshe,
Ato pllaja,ato shtigje,
Ajo frymë trimëroshe?
Tani pres nga kamarieri
Një kafe,një gotë rakie,
I hedh sytë lart nga zabeli,
Pikon mall një fletë lajthie.
Ca kujtime zënë udhë,
Nisen lart nëpër rungaja,
Nuk dinë të ndalen kurrë,
Ngjitin kreshta,ngjitin maja.
Pa ringjallin ato netë,
Këngën e gjelit te egër,
Tek më thyhej gjumi i qelqtë
Si një krah nga ahu i vjetër.
Pa nisin gurët rrëzimin,
Honet m’i mbyt shkundullima,
Dhitë bravare shkëmbinj ngjitin,
S’i ndal dot as vetëtima.
Dërsit çaji nëpër pllaja,
Marr ca fije nga pelina,
Dyllëzon në ato maja,
Me gaz më fton trëndelina.
Dhe më ftojnë e më dëbojnë,
Gjunjët paskan tradhëtuar,
Yjet prapë do të pikojnë
Vesë mbi malet e bekuar.