Kur nisem për te ti, atdhe-Gjeorgjina Kapa

Gjeorgjina Kapa

Marr krahë shqiponje kur fluturoj drejt teje, mëmëdhe. Sa herë që marr atë rrugë, zemra më rreh si një zog në kraharor. Rrugët më ndriçojnë si dielli kur rrezaton në agimin e parë. Semaforët hapen sikur për mua të jetë thurur një simfoni. Ushtarët në kufi shpejtojnë, sepse e kuptojnë se ç’do të thotë të jesh mërgimtar.

Kërkojmë folenë tonë si zogjtë kur kthehen nga fluturimi. Rrënqethem kur shkel në këtë tokë të ëmbël, mëmë. Më duket sikur të gjithë zogjtë çuçurisin. Bilbilat këndojnë sikur bëjnë kor me kitara e simfoni. Gjinkallat ndezin zërat e tyre, ndërsa pyjet e shumta të gjelbëruara të bëjnë të ndihesh sikur je mes magjisë.

Ah, vendi im! Të ka stolisur vetë Zoti me dorë. Lum kush ka lindur dhe është rritur këtu, pranë teje!

Ti je ura e madhe e artë që bashkon gjithë bijtë e bijat me dashuri, rreth një tavoline të rrumbullakët. Rreth e përqark më duket sikur jam i rrethuar me lule begonjash.

Ç’t’i bëj asaj heshtjeje që më ndryshon ngjyrat? Njëherë më bëhet gri, por pastaj më jep shpresë.

Këtu, pranë teje, më mbështjell një vello e bukur mes trëndafilash. Kur në mëngjes shkoj të pi kafenë, më duket sikur jam në mes të parajsës. Kafeja më shijon sikur jam në vendin më të bukur të botës.

Ajri i freskët vjen nga malet dhe nga deti si një shtëllungë shëndeti dhe futet thellë në mushkëri. Uji i kristaltë shërbehet me kafenë, i ëmbël si mjalti i bletës që mbledh nektarin nëpër lule. Aty çdo gjë duket e shëndetshme, si fidanët që rriten të pastër e të gjelbër.

Detet e tua janë të virgjëra. Ke mjaft vende ende të pashkelura. Ti je madhështia, shpresa, qetësia, gëzimi, respekti dhe prehja.

E çfarë do më shumë një njeri sesa një vend që ta dashurojë dhe ta dashurojë përjetësisht?