Kur poezitë dialogojnë heshturazi.Një këndvështrim i lirikës në poetikën e Agim Bajramit-Nga Teuta Sadiku

Kur poezitë dialogojnë heshturazi.Një këndvështrim i lirikës në poetikën e Agim Bajramit.

Lirika në teorinë e letërsisë përcaktohet si forma poetike që shpreh botën e brendshme të subjektit. Që nga Aristoteli, letërsia është parë si mënyrë përfaqësimi e përvojës njerëzore. Nëse epika rrëfen ngjarjen dhe drama e vendos atë në veprim, lirika përqendrohet te përjetimi. Sipas Emil Staiger, lirika është forma ku koha ndalet dhe ndjenja bëhet qendër e botës poetike. Pra, lirika nuk ka domosdoshmërisht nevojë për një subjekt narrativ, sepse ajo ndërtohet mbi gjendjen, emocionin dhe rezonancën e brendshme.

Karakteristikat themelore të lirikës janë subjektiviteti, ku bota shihet përmes ndjenjës së poetit; objekti poetik nuk është vetëm ai që shfaqet, por është ai që ndihet. Çdo figurë mbart ngarkesë ndjenjësore: një pemë nuk është vetëm një pemë, një zog nuk është vetëm një zog; këto janë projeksione shpirtërore. Nga ana tjetër, muzikaliteti, i cili shprehet nëpërmjet ritmit, rimës dhe kadencës, krijon rezonancë. Muzikaliteti jo vetëm që është zbukurim, por është pjesë e kuptimit.

Simbolizmi në lirikë flet përmes figurash; natyra në lirikë është gjithmonë më shumë se peizazh, ajo është një pasqyrë e qenies. Në poezinë e Agim Bajrami, përqendrimi i kuptimit duket në faktin se disa vargje bartin shumë shtresa kuptimore.

Natyra ka qenë një hapësirë shumë e rëndësishme në lirikën botërore. Te William Wordsworth, natyra është burim qetësie dhe rikthimi shpirtëror. Te Giacomo Leopardi, ajo bëhet pasqyrë e vetmisë kozmike. Te Rainer Maria Rilke, natyra është portë drejt misterit ontologjik. Në poezinë shqipe, këtë traditë e shohim te Naim Frashëri, te Lasgush Poradeci, te Fatos Arapi dhe shumë të tjerë. Tek këta poetë, natyra nuk është një sfond dekorativ, por është gjuhë e shpirtit.

Jo vetëm kaq, por lirika e natyrës përcjell shumë mesazhe. Një nga këto mesazhe është marrëdhënia e njeriut me botën, duke rikujtuar se njeriu nuk është i shkëputur nga natyra.

 Ashtu siç do të thoshte Martin Heidegger, poezia është banesa e qenies. Është pikërisht lirika ajo që e lidh njeriun me udhëtimin e tij të brendshëm në botën shpirtërore. Pa këtë lidhje, njeriu rrezikon të humbasë dimensionin e tij meditativ.

 

Poezia “Vetmi peme”, ka një ndjeshmëri të qartë lirike dhe ndërtohet mbi një figurë qendrore shumë të goditur: pemën e braktisur si metaforë e qenies që humbet zërat, praninë dhe kuptimin e vet. Kjo  poezi  mund të lexohet në disa nivele si peizazh natyror, si metaforë ekzistenciale e vetmisë, si alegori e mungesës njerëzore dhe në plan më të thellë  një reflektim mbi boshllëkun pas humbjes.

Vargu hapës:

“Kjo pemë tashmë hesht, sepse zogjtë i kanë ikur”

vendos menjëherë marrëdhënien:

pemë – zogj

humbje – heshtje

Kjo është një strukturë simbolike  e pastër. ku pema  nuk është thjesht element natyror. Ajo antropomorfizohet,  bëhet qenie.

Dhe kjo përforcohet menjëherë me vargjet:

“Vështron rreth e qark me fytyrë të mërzitur
Dhe ca rrathë pagjumësie tek sytë

Ky është personifikim, poeti i jep pemës vetëdije, ,pagjumësi, sy dhe fytyrë,çka e zhvendos poezinë nga natyralizmi drejt simbolizmit emocional.

Qasja filozofike

Vetmia si humbje e marrëdhënies

Kjo poezi mund të lexohet përmes mendimit të Martin Heidegger.

Për Heidegger-in, qenia nuk ekziston në izolim, por në marrëdhënie me botën. Pema në këtë  poezi humbet pikërisht këtë “të-qenë-me”. Zogjtë nuk janë vetëm prani fizike,  janë kuptimi, komunikimi dhe ritmi i jetës. Kur ata ikin, pema humbet horizontin e vet ekzistencial.

Kjo shfaqet në vargun:

“Një pemë e vetmuar, është një qenie e brishtë
E gatshme çdo çast për t’u tharë

Tharja këtu nuk është biologjike,është ontologjike.

Gaston Bachelard do ta lexonte këtë si poetikë të hapësirës së braktisur. Pema është një “shtëpi e zërave”.Kur zogjtë ikin, ajo mbetet si hapësirë bosh ,një arkitekturë pa frymë.

Qasja antropologjike, humbja e komunitetit

Në plan antropologjik, pema funksionon si figurë e qenies kolektive.Zogjtë janë bashkësia.

Vargu:

“Ajo ishte skena, ku ata gjithmonë dilnin

e kthen pemën në hapësirë rituale.

Në antropologji, sipas Victor Turner, hapësira rituale është vendi ku komuniteti realizon vetveten. Pema është skena e bashkësisë, kur skena boshatiset, prishet rendi simbolik. Poezia mund të lexohet edhe si alegori e emigrimit. Zogjtë që largohen lënë pas trungun, kujtesën  dhe vendin e përkatësisë.

Kjo e afron poezinë me motivin e emigrimit  në poezinë bashkëkohore shqiptare.

Strukturalisht, poezia mbështetet mbi binaritet,çka  krijon tensionin poetik.

Dikur

Cicërima

Verë 

Kor

Jetë

 Tani

Heshtje

Dimër

Vetmi

Tharje

Poezia ruan rimën dhe kadencën tradicionale, çka e bën poezinë të afërt me lirikën klasike shqiptare ku

spikat  një ritëm elegjiak i qëndrueshëm.

Kulmi emocional është  në vargjet:

Ndaj kapet mbas erës me degën e mbetur
Ti ndjekë ata pas, gjer në… qiell

Ky  varg përmban dëshirë, dhe pamundësi,iluzion,

dhe transcendencë.Pema  edhe pse nuk mund të lëvizë,

dëshira e saj e tejkalon kufirin fizik. Kjo është metaforë e qenies që kërkon të rikthejë atë që ka humbur

“Vetmi peme ” është një poezi me strukturë simbolike të qartë, ku natyra shndërrohet në pasqyrë të dramës së vetmisë.

Pema e braktisur bëhet figurë e qenies që humbet komunitetin, zërin dhe kuptimin.

Nën thjeshtësinë formale, poezia mbart një reflektim të thellë.Ajo është elegji e heshtur e braktisjes.

Kjo poezi, “Zogjtë e janarit”, lidhet tematikisht me “Vetmi peme”, por këtu kemi një zhvendosje shumë interesante të këndvështrimit.

Nëse te “Vetmi peme”  qendra ishte mungesa dhe boshllëku, këtu qendra bëhet qëndresa kolektive përballë ashpërsisë së kohës.

Është një poezi e ndërtuar mbi tensionin:

ftohtësi / qëndresë
kërcënim / shpresë
dimër / dritë

Dhe pikërisht ky tension e mban gjallë strukturën poetike.

Vargu hapës:

“Qëndrojnë të strukur në gëmushë
(Vetëm atje gjejnë sigurinë
)”

na vendos menjëherë në një gjendje mbijetese.Zogjtë nuk paraqiten në fluturim , nuk janë simbol lirie.Ata janë qenie që strehohen  dhe mbrohen përballë rrezikut.

Poezia  i zhvesh nga simbolika romantike tradicionale dhe i sjell në dimensionin e brishtësisë reale. Kjo poezi në një qasje filozofike  mund të lexohet përmes mendimit të Albert Camus.

Te Camus, dinjiteti i qenies nuk qëndron te fitorja, por te rezistenca.Zogjtë nuk ikin, nuk zgjedhin lehtësinë.

Kjo shihet te vargjet:

“Por prap se prapë, ata s’pendohen
Që s’ikën larg me shumë të tjerë”

Këtu kemi një etikë të qëndrimit,një zgjedhje ekzistenciale.

Ata mbeten  edhe kur kushtet janë armiqësore.

Kjo është shumë më tepër se tablo natyrore, është metaforë njerëzore.

Përmes Martin Heidegger, kjo është qenia e hedhur në botë.

Qenia nuk zgjedh gjithmonë stinën ku ndodhet  por zgjedh mënyrën si qëndron brenda saj. Zogjtë e janarit nuk kontrollojnë dimrin,ata kontrollojnë vendimin për të mos u dorëzuar.

 

Qasja antropologjike ,bashkësia si mekanuzëm mbijetese

Ky është elementi më i fortë i poezisë.

“Qëndrojnë grumbull, të gjithë bashkë

Kjo është një figurë antropologjike e komunitetit.

Sipas Émile Durkheim, solidariteti kolektiv është forma bazë e mbijetesës shoqërore.

Këtu zogjtë mbijetojnë jo si individë, si bashkësi.

Poezia sugjeron një të vërtetë shumë njerëzore:

në kohët e acarta, shpëtimi është afërsia.

Kjo poezi mund të lexohet si alegori e emigrantëve që mbeten,

e njerëzve që përballojnë vështirësinë. Janari nuk është vetëm muaj, është kohë prove.

Poezia ndërtohet mbi kontraste të qarta:ngricën – qëndresë,  stuhi  – bashkim,uri- durim,errësirë – pritja e diellit.

Poezia i ruan vargun rimor tradicional.

Kjo i jep poezisë muzikalitet të qëndrueshëm dhe e afron me lirikën narrative shqiptare.

Ka një ecje të rregullt, të matur, që përputhet me durimin e zogjve.

Kulmi poetik është:

“Po presin diellin, që të dalë
Ta bëjnë këtë stinë, të cicërojë”

Këtu kemi një përmbysje semantike.

Normalisht cicërojnë zogjtë ,të cilët synojnë ta bëjnë stinën të cicërojë.

Ka një dialog të heshtur mes dy poezive.

Te poezia “Vetmi pemë”, mungesa sjell tharje tek poezia “Zogjtë e janarit” bashkimi sjell mbijetesë.

Njëra është elegji e humbjes,  tjetra himn i rezistencës.

Kjo tregon koherencë tematike në universin poetik.

“Zogjtë e janarit” është një poezi e qëndresës kolektive, ku natyra bëhet metaforë e dinjitetit përballë vështirësisë.

Përmes figurës së zogjve që nuk largohen, poeti ndërton një reflektim mbi rezistencën,bashkësinë, durimin, dhe besimin tek rikthimi i dritës.

Nën thjeshtësinë e saj formale, poezia mbart një filozofi të heshtur:

Stuhitë nuk kapërcehen duke ikur, por duke qëndruar bashkë derisa stina të mësojë sërish të këndojë.