Kush dreqin po e projekton Shqipërinë e së nesërmes? Kush po vendos për të? Ervina Toptani

Ervina Toptani

Në vitin 2024 u botua libri “The Albanian Files”, redaktuar nga Anneke Abhelakh, me parathënie të Edi Ramës dhe me kontribute nga dhjetëra studio ndërkombëtare arkitekturore. Libri paraqitet si një vizion për Shqipërinë e së nesërmes, por mua më ka shqetësuar shumë. Ky libër që maskohet si sukses i qeverisë në ndryshimin urbanistik dhe arkitekturor të Shqipërisë, është në fakt masakrimi i saj. Shqipëria, sipas Edi Ramës nuk është më vizion për kombin por vizion i milionerëve të huaj që do të ndërtojnë këtu mbi 60 projekte të tjera si ai i Sazanit, dhe janë të gjitha të shkruara e bardha mbi të zezë.

Për më shumë se një dekadë, qeverisja e Edi Ramës e ka trajtuar zhvillimin si një çështje projektesh, kullash, resortesh, koncesionesh dhe investimesh strategjike private. Ndërkohë Shqipëria ka humbur qindra mijëra të rinj, ka parë boshatisjen e fshatrave, dobësimin e klasës së mesme, krizën e pronës, krizën e drejtësisë dhe rënien e besimit të qytetarëve te shteti.

Kush dreqin po e projekton Shqipërinë e së nesërmes? Kush po vendos për të?

Kur lexon “The Albanian Files”, kupton se Shqipëria shihet si hapësirë për t’u shfrytëzuar nga të gjithë ata që s’kanë ku i pastrojnë paratë e pista. Kush i ka pyetur shqiptarët nëse janë dakord t’u shitet Atdheu e ata të jenë çirakë në shtëpinë e tyre?

Shqipërinë, kēta politikanët hajdutë, e kanë programuar për shfrytëzim maksimal me vizion të imponuar nga lart, ku qytetarët njoftohen vetëm pasi vendimet janë marrë dhe nuk kanë asnjë të drejtë të pyesin.

Për vite me radhë është ndërtuar një model ku vendi trajtohet si aset ekonomik, ndërsa qytetari reduktohet në spektator pa asnjë rol. Ndaj pyes unë:

A do të jetë Shqipëria e ardhshme një republikë qytetarësh që vendosin mbi territorin, pasuritë dhe të ardhmen e tyre, apo një territor ku vendimet më të mëdha merren larg syve të tyre, pas kurrizit të tyre? A do të mund të themi pas 30 a 40 vitesh nëse do të kemi më Atdhe?