
Ruzhdi Gole
KYÇ BRUMI, QELQI
(prozë)
-Merre këtë çelës. Ky çelës nuk kyç asnjë portë. Është më i vërteti dhe hyn tek të gjitha bravat. Vetëm për t’i hapur.
-Ç’është ky çelës? Nuk kam dëgjuar për të asgjë deri tani? As kam dëgjuar e as parë kund.
-Atëhere kur mendohemi për të ai humbet. Fshihet diku, nën rrënoja. Jeton larg syut të njeriut.
-Larg syut të çdo njeriu a veç larg syrit tim e syrit tënd ?
-Kur unë s’e shoh ai afrohet tek ty dhe sa ti e sheh ai zhduket menjëherë.
-Zhduket nën rrënoja? Ç’bën çelësi aty, ç’kërkon?
-Njomet nga uji, mplekset me lëmyshqe.
-Po pastaj?
-Pastaj del prej tyre, hedh sytë rreth e
rrotull, shkund gjuhën e tij, shplan
fytyrën me një valë bregu dhe hyn në
det.
-Hyn në det? Po ai aty mbytet, s’ka as
luspa, as velëza cironke. Është i rëndë
për t’u mbajtur mbi ujë.
-Ja ashtu, njëherë mbahet tek lopata e
një varke, njëherë tek cima e anijes e
rrallë herë tek spiranca e ndonjë
kroçiere.
-Qënka çelës përralle atëhere e përralla .
me çelës e çelësa shkon deri në hënë
pa pyetur kënd, pa i marr leje kujt.
-Mundet…
-Ky çelës e kyç hënën ? Po diellit a i
afrohet?
-Hëna s’ka kyç, por ka qepalla që i hap
natën e natës dhe i mbyll në të aguar.
-Po, po, e besoj, hëna herë – herë i hap të
dyja qepallat ose njerën.
-Po dielli ku e ka çelësin e tij?
-Dielli vet është çelës, çelës aq i madh
sa hap gjithandej rreze të pafundme.
-Po asnjëherë nuk shuhen këto rreze?
-Deri tani jo. Ky është fat i madh për
njeriun. Për njerëzimin, desha të them.
-Shumë larg shkuam gjer në hënë e gjer
tek Dielli.
-Jo, jo nuk shkojmë dot ne tek ata. Ne
jemi të pafuqishëm. Vjen hëna e vjen
dielli tek ne.
-A takohen ndonjëherë Dielli dhe Hëna ?
A e duan njeri-tjetrin. Dhe nëse e duan
pse nuk rrijnë bashkë ngahera, afër e
afër.?
-Ç’të të them, s’e di. Secili ka çelësin e
vet kur hap e mbyll portën e qiellit. Njeri
zgjohet, zbret kilometra pafund gjersa
mbërrin tek ne. Tjetri kyç portën e qiellit
e fle.
-Me sa kuptoj, Dielli dhe Hëna ia ndijnë
frymëmarrjen njeri-tjetrit, ia dëgjojnë
regëtimat.
-Mundet, mundet. Por unë them se edhe
Dielli, edhe Hëna psherëtijnë, kolliten,
ftohen keqas ndonjëherë.
-Prandaj krisin rrufe e vetëtin qielli
gjithandej nga lart e gjer poshtë tek
trualli ynë.?
-Dielli, ndonjëherë, është i
mërzitur keqas, hëna me çehre
verdhacuke.
-Po si shërohen? A ka mjekë në qiell,
farmaci, spitale, barna,autoambulancë?
-Ata janë të shëndetshëm e plot muskuj
përhera. Ecin pafundësisht në orbitë.
Vrapojnë atletë të përbotshëm. Janë
përhera fitimtarë. Një kupë që kanë nuk
e ndajnë përgjysmë.
-Cilën kupë?
-Kupën e qiellit, pra. Ditën e gëzon dielli,
natën e gëzon hëna.
-E çuditshme kjo, as grinden dhe as nuk
i mbajnë mëri njeratjetrës. Ne, këtu, në
tokë për një kupë të shkelmojmë
anembanë fushës, sa edhe thonjtë ia
vemë në fyt njeri – tjetrit.
-Ne edhe kur jemi afër njeri – tjetrit
dukemi si të kyçur gojë, sy e vesh. As
flasim, flasim përgjysmë, flasim me
shenja elektronike. As shohim,
shpërndajmë gjithandej mjegullti fyerje.
As dëgjojmë. Ia çpojmë timpanin
njëritjetrit me brohorima të kasnecëve
të perënduar.
-Sa keq…Nuk po e kuptojmë njëritjetrit,
nuk po ia dëgjojmë fatkeqësinë,
fatkeqësitë shoshoqit, sa keq.
-Ja kështu, vërsniku im. Ne mbajmë në
gojë çelësa prej brumi, prej brumi të
thartuar gjithandej, çelësa qelqi që
krisin, plasin e thërrmohen brenda një
çasti fatkeq prej syve tanë.
-Eh, çfatkeqësi !…
-Çelësi është nyje e kërcell, fat e frikë,
zbritjengjitje, rrëmujë e rreshkje.
-Si të të kuptoj ?
-Ja, po ta them. Do dilnim të shtunën
shëtitje me gruan. Kur sa vura çelësin
tek foleja e vet ai u këput. Gjysma mbeti
tek foleja, koka e tij tek gishtat e mi.
-E rrallë kjo, e rrallë…
-E rrallë, por u hutuam. Në shtëpinë tonë
mbyllur dy herë. Njëherë me kyç e
njëherë mbyllur nga e papritura. Po sikur
të bjerë zjarr, po sikur të lëkundet globi i
dritave nga … shkundullima e … s’po ia
them emrin…
-Eh, e rrallë kjo, e frikshme…
-Sikur ishte çelës prej brumi…
-Harruam fare se ku jemi. Ku jemi, o
komshi ?
-Ndenjëm ca nën diell. A s’të ngrohën
rrezet e tij ?
-Sikur u ftohën.
-Tani jemi në hënë.
-Në hënë?
-Po, po se ajo i ka çelur qerpikët tani.
-Jo me kyç brumi…. as qelqi…