
(Rreth librit të shkrimtarit dhe publicistit Thoma Goga)
Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj
Ditë më parë, në një veprimtari kulturore, u takova me shkrimtarin dhe publicistin Thoma Goga. Kishte kohë pa u takuar. Gjatë bisedës më tregoi se kishte botuar një libër me humor dhe satirë, me titull “Në kilometrin 70”. Më lindi menjëherë dëshira për ta lexuar. Pas disa ditësh libri mbërriti në duart e mia, dhuratë nga vetë autori.
Që në shfletimin e parë kuptohet se kemi të bëjmë me një vëllim të mbushur me humor të hollë, satirë dhe situata të marra nga realiteti i përditshëm shqiptar. Tetëdhjetë e pesë fejtonet, skicat dhe “spicat”, siç i quan autori, trajtojnë dukuri dhe probleme të shoqërisë sonë në periudhën e tranzicionit demokratik, duke i sjellë ato me një gjuhë të gjallë dhe me nota therëse humori.
Në pothuajse të gjitha skicat, autori përdor me mjeshtëri satirën si një mjet artistik për të goditur veset, marrëzitë, abuzimet dhe paradokset e kohës. Libri hapet me një parathënie domethënëse, ku autori shprehet se “arriti në kilometrin 70”, duke ndërtuar një dialog interesant me vetveten përmes një letre anonime, ku njëra gjysmë e autorit i drejtohet gjysmës tjetër. Përmes këtij këndvështrimi ai arrin të ekspozojë jo vetëm dobësitë individuale, por edhe plagët e vetë shoqërisë.
Në skicën “Ku shkoi berberi i partisë?”, autori sjell me humor atmosferën e viteve të rrëmujshme të tranzicionit, kur njerëzit mbeteshin “me gisht në gojë”, ndërsa një berberhanë e re mbushej me radhë të gjata, si dikur për qumështin. Ndërsa në skicën “E morën Belinën…”, përmes një sarkazme të hollë, ai krijon situata komike duke lidhur emrin e fshatit Belinë me tingëllimin “Berlin”, për të mbërritur më pas në një episod zbavitës zbori ushtarak.
Një nga tiparet më të spikatura të këtij libri është përdorimi me masë dhe zgjuarsi i ironisë dhe sarkazmës. Në skica si “Po çiçin ku ta bëjmë?”, “Dekoratat” apo “Kur u ndanë, këto na ranë”, ironia merr shpesh karakter militant, duke e kthyer humorin në një formë kritike sociale. Autori arrin të ndërthurë të qeshurën me reflektimin, duke i dhënë lexuesit jo vetëm kënaqësi estetike, por edhe nxitje për të menduar.
Në këtë vëllim humori nuk shërben thjesht për argëtim. Ai bëhet një mënyrë për të përballuar vështirësitë e jetës së përditshme. Edhe kur trajton ngjarje të thjeshta apo episode të zakonshme, autori arrin të nxjerrë prej tyre situata komike e kuptimplota, duke dëshmuar përvojën e tij të pasur jetësore dhe njohjen e mirë të psikologjisë së njerëzve.
Filozofinë e jetës, Thoma Goga e paraqet përmes humorit dhe satirës. Domethënës është edhe dedikimi në faqen 70 të librit: “Ta gëzosh ditëlindjen e 70-të! Edhe 100 pranvera të tjera. T’u bëftë kalemi dyfek… Po mbajte anën e popullit, ta dish: nuk do të të shpallim ‘non grata’ dhe nuk do ta bëjmë ‘gropën’… Të paçim me shëndet!”
Ky dedikim, i shkruar me gjuhë popullore dhe humor të këndshëm, përmbledh frymën e gjithë librit: një humor i afërt me lexuesin, i mbështetur në realitetin shqiptar dhe në urtësinë popullore.
Karakteristikat kryesore të këtij libri janë përvoja e pasur jetësore e autorit, kultura e gjerë, njohja e mirë e botës shqiptare me veset dhe virtytet e saj, si edhe spontaniteti i rrëfimit. Gjuha është e pastër, e pasur me kolorit dhe larg përdorimit të panevojshëm të fjalëve të huaja. Autori përdor me mjeshtëri frazeologjinë popullore, toponimet karakteristike dhe fjalë të vjetra, duke i dhënë tekstit shije autentike shqiptare.
Në këtë vëllim, Thoma Goga paraqitet para lexuesit me një libër ku ndërthuren natyrshëm humori, satira, ironia dhe sarkazma. Skicat dhe “spicat” sjellin një mori ngjarjesh e situatash sa gazmore aq edhe komike, ndërsa pas çdo të qeshure fshihet një mesazh domethënës për jetën dhe shoqërinë.
Autori duket se niset nga bindja se në kohët e tensioneve politike dhe shoqërore, lexuesit i duhet jo vetëm reflektimi, por edhe buzëqeshja. Pikërisht këtë arrin të japë libri “Në kilometrin 70”: një humor të ngrohtë, kritik e njerëzor, që lexohet me kënaqësi nga të gjitha moshat.