Laps i thinjur-Ruzhdi Gole

Ruzhdi Gole

                                          (skicë)
 
-Ftohtë…
-Dil në diell.
-Përvëlohem.
-Rri në hije ahere,
-Mërzitem, hija më mpak.
-Shkrythu ahere, shkrythu.
-Më dhembin kockat, sikur po krisin.
-Ahere çohu, bëj një hap, ec ngadalë. 
-Mos pengohem, më duket vetja çalë.
*
-Ji paksa i shkathët, ji paksa i gjallë!
-S’mundem, kam droje mos këputem.
-Ç’droje ? Ti ec’, mos ki frikë, frika diku 
po ngrohet me shall e patetikë.
-Nuk mundem pra… më mba!
-Të mbajë veç një gjeth.? Gjeth me pikla 
vese e vesa cicërimë.
-Mund të rrokullisesh, then kërcinj e brinjë.
-O, mos pafsha pluhura, mos dëgjofsha ofshamë, zgjomë, mos më lëre të fle, nxitmë, mos më nxit’ për gjamë.
-Jo, jo, s’të lë të mbytesh me rrëmujë!
-Të lutem, një pikë ujë, një rreze diell të lutem, këtu po zverdhem, plas të iki tutje?
-Këtu rrijmë syçel, gatuajmë miell.
-Miell? O ç’më gajase. S’është koha e 
kulaçëve, s’është koha e urimit. As çast i 
përjetimit.
-S’e paske keq as shtrembër…Ta lemë 
mënjanë miellin me pak kripë e ujë. 
Gjithçka vërtitet rrethrrotull rreze dhe 
rrëmujë, britma plasa-plasa. Mbyllur po 
plasim, na vrasin krismat jashta.
-O, jashtë dritares mos nxirr as gishtin, 
kurrkujt mos i b’zani, mos i thërrisni.!
Rrini mënjanë. Shtëpia ledhe e ngrohtë 
mbushur plot ekranë. Shtëpia e veshur e 
gjitha mburojë. Luajnë shah e pijmë 
wiski kush të dojë.
-Jashta janë belatë, janë kamxhikët, 
jashta lehin qentë, jashta lajnë frikën?
-Si e lajnë frikën? Me se dhe ku?
-E lajnë me pompa uji, e shqepin në dru. 
Dhe thonë pastaj se për këtë 
rrëmujëbujë edhe fëmija paska faj.
-C’faj ka pafajësia? Faj s’ka as hija, as 
kjo urë e shembur, as ky lumth i 
drithshëm fllad plot cikmë.
-Po frika nuk ka gjunj, ku ecën ku bie në 
ç’hendek në ç’rrëmujë ?
-Në rrëmujën hendek brohorasin e vriten 
të vegj’lit, n’altare bekohen të mëdhenjtë.
*
-Epika duket e vyshkur, e mbytën dhe 
lirikën. Për çfarë do këndojmë tani? 
Për hajdutin dhe…lavirën?
-Ne ende në krye shkruajmë me 
shkronjë të vogël, pa shenja pikesimi, 
-S’ka faj lapsi i thinjur, as shkrimi. Shih e 
dëgjo ekranet, gazetat për wc. dhe 
mejhane…
*
-U dogja prej zjarrmie.
-Dil jashta, freskohu, shkunde hijen.
Hija më duhej të freskohem se po 
digjem…Ç’hije të shkund ?
-Po digjesh nga zjarrmia plumb.
-Jemi brenda a jashta? Ç’është kjo
krakurimë ?
-Është njeriu popull, populli jetim…