Letër nga unë Nxënësit tim të ri-Lumo Kolleshi

Lumo Kolleshi

Po,nesër fillon shkolla dhe një urim në formë letre,shkruar pesë vjet më parë.

Letër nga unë Nxënësit tim të ri.

Ka një mori personazhesh Letërsia.Do të të këshilloja dy prej tyre:Sizifin dhe Faustin. Sot po e thyej pak protokollin e zyrtarizmit,madje nuk do ta hap fare ditarin.Mirëserdhe në këtë minierë të dijes,nxënësi im i ri!Nuk të njoh dhe as më njeh,por udhën do ta kemi bashkë.Ti je plot energji dhe ke brenda vetes shpërthimin e moshës,autoritetin që të jep vetë adoleshenca.Nuk do të ta cënoj aspak,por edhe daltën e skulptorit do ta mbaj pranë teje,të të bëj edhe më të bukur. Bashkë do të futemi në një botë përrallore,siç është dhe mbetet bota e Letërsisë.E di që bëjmë kontrast bashkë,si vetë koha dhe ky vit shkollor që po nis.Ka plot një shekull që vetë bota nuk është përballur me kontraste të tilla,që prej gripit spanjoll të vitit 1918.Të dy jemi të detyruar të mbajmë maskë brenda shkollës,por kurrë të mos bëhemi maskë për njëri-tjetrin,përkundrazi,të bashkëpunojmë dhe të plotësojmë njëri-tjetrin. Nëse pak më parë të përmenda kontrastin që ekziston mes nesh,kjo nuk është as zgjedhja ime,as zgjedhja jote.Për fat,ti je në lulen e moshës dhe plot energji,ndërsa tek unë mbi kokë ka filluar një dëborë mbi flokë e nuk do të shkrijë kurrë,ashtu siç ndodh me majat e maleve në dimër.Mos mendo kurrë se unë jam e mbetem mali mbi ty! Jemi e do të mbetemi gjithmonë bashkë e përkrah njëri-tjetrit. Tani le të dalim atje ku shkon gjuha ime,te dhëmballa që dhemb,te Letërsia.Do të jemi bashkë në një banket të madh,ku do të hyjnë e dalin vetëm personazhe.

Këtu më del nga zemra një këshillë madhore:Ji një leximtar i duruar!Libri të bën njeri! Ne do të biem në kontakt pas kaq e kaq shekujsh me Homerin,babain e vetë poezisë,do të takohemi me Agamemnonin e Akilin,do të përlotemi për Patroklin dhe Hektorin,do të gjendemi bashkë në pozicionin më të vështirë pranë Priamit,do të shikojmë dhe portretin e Helenës(këtu do të shikosh më shumë ti se unë),do të qajmë së brendshmi bashkë për Andromakën…Pastaj do të endemi brigjeve me sirena bashkë me Odiseun,por kam besim që do ta gjemë prapë Itakën.Do të ndalë një Mede e zhgënjyer,një Promete i gozhduar në shkëmbin e Skithisë( një Krisht para Krishtit) që vuan e vuan edhe sot e kësaj dite për njerëzit,përkundër një tirani të neveritshëm.(Eh,kështu kanë mbetur përjetësisht tiranët!) Mos u lodhe që sot? Bëhu durim në këtë rrugë që kemi nisur.Nuk do të vazhdoj gjatë dhe me të gjithë personazhet.Po ndalem vetëm te dy prej tyre:Sizifi dhe Fausti.Te Sizifi do të shikosh një personazh të tjetërsuar,por sfidant me perënditë,pak a shumë i ngjashëm me Prometeun.Ke shumë ç’të mësosh prej tij.

Mundimi dhe dëshira për të kapur majat.Edhe ti e ke një synim në jetë apo jo?Majat kapen vetëm duke u ngjitur. Pak më vonë se ky vit do të na ballafaqojë me një tjetër personazh.Dhe ky është Fausti i Gëtes,shpirti i pohimit të kësaj bote,që si levë arkimedi ka vetëm diturinë.Krah tij do të shohësh gjithmonë një Mefistofel,shpirtin e mohimit,ai që të tërheq përherë drejt jetës së qejfit,jetës boshe dhe pa kutim.Bëhu edhe ti një Faust për veten tënde,për familjen tënde,për kombin tënd! Nuk dua të të lodh më me andralla.Bashkërisht le të ecim,le të synojmë majat! Përmet,më 13.09.2020