Luleloti-Liljana Furrxhiu

Liljana Furrxhiu

LULELOTI

Kush poet s’u këndoi luleve?
Kush piktor s’i pikturoi ato?
Kush djalë a vajzë nuk u shkuli petalet, duke mërmëritur:
– Me do, s’më do!?

Në cilën festë nuk zunë vend?
Zbukuruan tavolina e zemra.
Sa fustane u qëndisën me to?
Sa buzë u puthën pa i parë hëna?

Po është një lule që dallon ndër të tjera.
Ka tjetër aromë, petale, ngjyrë.
Ajo mbin mbi shkëmb e s’e tremb era.
Mbin në humnerë e dritës ia gjen shtëpinë.
Çel kur t’i teket, ku t’ia dojë ënda.
Është kapriçoze, si suferinë.

Mbi shpinën e ferrës çel, s’i ka frikë gjembat,
në buzëdet nderet, puthet në perëndim.
Ajo është ndryshe!
S’ka emër të shkruar, as histori.
Troket veç një herë, e ikën po s’u hap dera.
Mbath këpucë lirie, veç lumi ia di shtëpinë.
Malit ia bën me dorë kur e zë vera.

Ajo mjekon edhe kur e çjerrin.
Ajo ngjit edhe kur e këpusin.
Ajo puth edhe kur e kafshojnë.
Ajo fal edhe kur e lëndojnë.
Ajo dashuron e mjekon.
Ajo është ndryshe!

I pëlqen të qeshë…
Me heshtjen pi kafe e flasin gjatë e gjatë.
Me ulërimën përqafohet, i pëlqen vetëtima.
Borën dashuron kur shpirti i ka flakë.
Në pellgjet e rënkimeve ajo lëshon gonxhe.
Në krisjet e shpirtit bëhet mjaltë mëkimi.
Ajo dashuron jetën, frymën e puhizën.
Bën kryq, lutet e beson tek Zoti.

Ajo është ndryshe.

Quhet:

LULELOTI!