Litari-Megi Hajdini

Molla e pakapërdishme


Kam një mollë që është e pakapërdishme.
Më ka ndenjur në qafë e më është bërë tumor.
Rri aty me mua e s’më vështron. (ose s’më sheh)
Më ngacmon, më ngujon, më bën të vrapoj.
Në askund!
Mollë, oj mollë e pakapërdishme, ç’të tall ty Zoti,
Mollë, oj mollë e pakapërdishme që s’më pe, po më pa Zoti.
Mollë e keqe me helm, që të kam halë në sy, e që shijen tënde e marr nga askundi. Mor vetja!
Sa më do o mollë që s’më lë gurmazin,
sa s’të dua o mollë se më fute kafazin!
Ik o mollë e keqe, më lër rehat, se do të të marr e do të të shkel që në sahat!

Litari

“Ç’të ka ndodhur?” më pyet dikush.
Hiç gjë. Përgjigjem me lakun në fyt, që më mbyt e më jep zë.
Rri e varur litar pas litari, sa më lart të shkoj aq më shumë shtrëngohet, por kurrë s’më vret. Ky qe mallkimi e bekimi im.
Vazhdoj të marr litarin, fillon e tkurret në qafën time.
“Më lër të marr frymë, ta marrë e mira! Ç’të kam bërë? Po vuaj mëkatet e luftës që bëj çdo ditë, vetë ma dhe shpatën, vetë më the të luftoj për të drejtat e mia, vetë më the të lundroja në stuhi e uragan, vetë më the që ta gjeja ujin edhe në shkretëtirë. Vetë më the të merrja këshilla nga ‘djalli’, të luaja me mendjen e njerëzve, sepse ndryshe nuk do të mund ta mposhtja dot litarin. Më ke mbajtur këtu që kur kam lindur, ç’të bëra?” Heshtje. Nuk flet asnjë.
Fillon kënga e vetmisë. Një këngë që sa më shumë ta dëgjosh, aq më shumë e pëlqen. E unë qëndroj ende e varur.