
Lotët e vjeshtës në tregun e mashtrimit!
Ia mbuluan lotin vjeshtës me gjethe mashtrimi,
Loti dhe dhimbja janë përqafuar,
Hendekë kanë hapur, s’kalon dot njerëzimi,
Në korridore të harruara, njerëzit kanë mbetur ngujuar.
Mbi faqen e vjeshtës hedhin parfum përçarjeje,
Ia ndajnë lotin, e fshehin në sëndukët e mashtrimit,
Lotin dhe dhimbjen i dënuan në fshehtësi me varje,
Ndërsa mashtrimi kullot në tregun e një kalaje.
Ka kohë që ky treg ka filluar,
Ndaj e dënuan lotin bashkë me dhimbjen,
Tregu i zullumeve Shqipërinë drejt greminës ka drejtuar,
Se tregu s’njeh gjë tjetër, veç përqindjen.
Sa maska njerëzore paska ky treg,
Sa maskarenj e mediokër nxjerr në shesh!
Me mashtrim e përçarje ka mbushur çdo shteg,
Dhe për të vërtetën dhunohet çdo shpresë.
Pazar, vetëm pazar e kthyen Shqipërinë,
Kalatë historike i nxorën në anë të rrugës,
Me gjuhën e mashtrimit po humbasim origjinë,
Por, s’shitet lashtësia, as rrënjët e gjuhës.