Mall e brengë-Uljan Apostoli

Uljan Apostoli

Mall e brengë

Sapo u ktheva nga puna në mbrëmje,
Telefoni më ra me furi,
Dhe pse i lodhur drejt tij vrapova,
Dhe në anën tjetër zërin e vëllait dëgjova.

Me zë të mekur ai foli,
Dhe me zor e kuptova:
Nuk është mirë nena, më tha,
Ndaj në spital e dërgova.

Makinën mora me shpejtësi,
Dhe mbi rrugë fluturova,
Si një zog në kaltërsi,
Që nënën prapë ta përqafoja.

Në dhomën e spitalit kur shkova,
Të bukurën nënë me mall takova,
E putha në ballë, fort e shtrëngova,
Dhe shërim të shpejtë me shpirt i urova.

Lule mbi akull

Në burgun e vetmisë heshtja hidhte valle,
Si një zonjë mondane, tepër sqimatare,
Në qelinë e ftohtë strehën kishte gjetur,
Aty mbretëronte pas derës së hekurt.

Midis errësirës një vështrim ia hodha,
Në duart e saj kurorën zbulova,
E thurte ngadalë, krejt në harmoni,
Pa bërë asnjë zë, mos të kriste akulli.

Rrezja mëngjesore mbi dritare ra,
Qelia u shemb, muri krejt u ça,
Kurora e saj u tret e u tha,
Mbi akullin e ftohtë çelën trëndafila.