Me Shkrimtarin-Legjendë Agim Gjakova-Arben Iliazi

Arben Iliazi

Një bisedë me poetin e shquar 91 vjeçar, Shkrimtarin-Legjendë Agim Gjakova, që ka krijuar mitin e tij të purpurtë. Kjo bën që jeta e tij të jetë ende muzikë. Me ritëm e shpirt, si një lis në stuhi, që oshëtin nga dhembja dhe lulëzon nga dashuria. Ai bisedon, siç dinë të bisedojnë hyjnorët. Gjakova është një aset i madh letrar e kulturor i kombit shqiptar dhe i dy shteteve tona, Kosovës e Shqipërisë, me kontribute të çmuara në letërsi dhe kulturë, i cilësuar nga disa studiues si “Profet i poezisë”, ” Misionar i poezisë”, ” Titan i letërsisë e atdhetarizmit shqiptar”.

Vepra e Agim Gjakovës është një pasuri e madhe kombëtare, duke nisur nga poezia, tregimi, romani, por edhe publicistika, eseistika, letërsia për fëmijë, drama e skenarët e filmave artistikë. Agim Gjakova i takon brezit të Dritëro Agollit, Ismail Kadaresë, Fatos Arapit etj. Pra, është ndër ata që i dhanë letërsisë shqipe elementet dhe ritmin e modernitetit. Krijimtaria letrare e Agim Gjakovës është një letërsi e mirëfilltë dhe qëndron në majat e letërsisë shqiptare.

Ai është shkrimtar i dy anëve të kufirit, i cili pas mbarimit të shkollës Normale në Gjakovë, shkoi student në Beograd në Fakultetin Filozofik. Ndjenjat e tij atdhetare nuk e lanë të qetë edhe atje ku bashkë me shokët e kolegët e tij të tjerë shqiptarë formoi shoqatën e studentëve shqiptarë “Përpjekja”. U burgos tri herë.

Meqë në vitet ’50-ta, konsiderohej si kërcënim për Jugosllavinë me deklaratat e tij të hapura kundër keqtrajtimit të shqiptarëve të Kosovës, u dërgua në internim në kampin e Gerovos në Kroaci, kurse në maj të vitit 1960 zyrtarët e UDB-së e dëbuan në kufirin shqiptar si person të padëshirueshëm për ish-Jugosllavinë. Gjatë qëndrimit në Shqipëri, në vitin 1966, kreu studimet në Fakultetin Histori-Filologji, dega Letërsi Frënge në Tiranë, mirëpo gjatë gjithë kohës ishte i ndjekur nga sigurimi i shtetit, ngaqë nuk ishte i listuar si mbështetës i Partisë së Punës Shqiptare (PPSH). Vepra e tij “Në kërkim të së vërtetës” (1976) u akuzua në plenumin e Lidhjes së Shkrimtarëve si ahistorike dhe që nxin realitetin. Në këtë vazhdë përmbledhjes me poezi “Rrënjët përtërihen” iu ndalua botimi, me porosi të Plenumit të Komitetit të Partisë së Punës të Shqipërisë, me porosi të Sektorit ideologjik të Byrosë Politike të KQ të PPSH.

Përkundër gjithë këtyre peripecive, Gjakova arrin të mbijetojë si shkrimtar, në jetën e tij prej disidenti dhe, pas përfundimit të luftës në Kosovë, u shpërngul në Prishtinë.

Lindur më 11 korrik 1935 në Gjakovë, Agim Gjakova është autor i 22 romaneve,12 përmbledhjeve poetike, 4 dramave dhe 4 skenarëve, si dhe i librit me rrëfime ironike “Magjia e gremisjes”. Në 20 janar 2026 ka publikuar librin e ri me poezi të zgjedhura, i cili promovohet nesër në Bar “Blu”, pranë Rrugës së Kavajës.