Nga Teuta Sadiku

Poezia bashkëkohore shqiptare po zhvillohet mes traditës dhe eksperimentit, mes strukturës dhe shpërbërjes. Në këtë kontekst, poetika e Rei Hodos paraqitet si një përpjekje për të ndërtuar një ligjërim poetik që nuk mbështetet në linearitetin klasik, por në fragmentin, imazhin dhe ndërprerjen semantike. Vëllimi”Apricus “shfaq një poetikë që kërkon të artikulojë një përvojë moderne , duke u mbështetur në një rrjet të gjerë intertekstual dhe në një përdorim të dendur të figuracionit.
Një udhëtim nëpër poezinë e Rei Hodos nuk fillon me një varg, por me një hapësirë: me detin. Deti ,nuk është thjesht një koordinatë gjeografike, është një formë e ndërgjegjes poetike, një matricë ku përzihen kujtesa, trupi dhe historia. Që në vargje si “deti na kish plagosur”, elementi natyror zhvendoset nga funksioni i tij referencial në një funksion antropologjik: deti bëhet një figurë që përmbledh përvojën kolektive të njeriut, njëkohësisht burim jete dhe vend i traumës. Në këtë kuptim, simboli nga një shenjë e thjeshtë, shndërrohet në një strukturë të përbashkët kulturore.
Në antropologji, simbolet konsiderohen si forma përmes të cilave komunitetet organizojnë përvojën e tyre; ato janë universale jo sepse kanë një kuptim të vetëm, por sepse përsëriten si mënyra për të menduar botën. Kështu, deti te poetika e Rei Hodos është një simbol antropologjik universal: ai është njëkohësisht lindje, kalim dhe humbje.
Nga deti, udhëtimi kalon në qytet. Qyteti i poetit nuk është një hapësirë urbane neutrale, është një organizëm i gjallë dhe i sëmurë njëkohësisht. Kur ai shkruan për “pemë të gjymtuara”, për “arterie të nënshtruara ndërhyrjeve kirurgjikale” apo për “bibliotekë në shtratin e lëngatës”, ai përdor një metaforikë organike për të përshkruar hapësirën urbane. Kjo është një mënyrë tipike e asaj që në antropologjinë urbane quhet “trupëzim i hapësirës”: qyteti lexohet si trup, ndërsa trupi si qytet. Fragmentimi që vërehet në këto imazhe , gjymtimi, ndërhyrja, sëmundja ,janë shprehje të një gjendje të modernitetit, ku përvoja e njeriut është e copëzuar dhe e ndërprerë. Ky është edhe kuptimi i alienimit: individi nuk e përjeton më botën si një tërësi të harmonishme, por si një seri fragmentesh që nuk lidhen më organikisht mes tyre
Poezia e Rei Hodos e materializon këtë përmes një sintakse të thyer, ku lidhjet logjike mungojnë ose ndërpriten, duke krijuar një gjuhë që imiton vetë përvojën e shpërbërë të realitetit.
Në këtë pikë, koha në poezi nuk funksionon më si vijë kronologjike. Kur ai shkruan “ti me kohën tënde i mbushe ditët”, koha nuk është një njësi objektive, por një përjetim subjektiv. Në filozofi, kjo lidhet me konceptin e kohës së përjetuar: koha nuk matet me orë, por me intensitetin e përvojës. Pra, koha bëhet një dimension i brendshëm, çka shpjegon pse poezia e tij nuk rrëfen ngjarje, por gjendje: ajo nuk ndjek një rend kronologjik, ndjek një rend emocional.
Udhëtimi vazhdon drejt jugut, në Vlorë, ku identiteti nuk shfaqet si deklaratë, por si formë. Teknika e akrostikut që ai përdor për të ndërtuar fjalën “Vlorë” nuk është thjesht lojë formale; ajo është një mënyrë për ta kthyer gjuhën në territor.
Vetëtimë valësh
Lartësojnëndjesinë e të qenit Sizif i kohës tonë
Orakuj fshihen ranoreve
Rininë e mendimit kërkojnë
Ardhmëria shfaqet mbi gadishull.
Identiteti këtu nuk është një përmbajtje e dhënë, por një strukturë që ndërtohet përmes shenjave. Në këtë kuptim, identiteti letrar nuk është thjesht shprehje e vetes, por rezultat i një procesi ndërtekstual. Ndërtekstualiteti nuk do të thotë vetëm citim apo përmendje autorësh, por mënyra se si një tekst ndërtohet mbi tekstet e tjera. Kur subjekti poetik dialogon me poetë të ndryshëm, ai nuk i imiton ata, por i përthith dhe i rishkruan në një kontekst të ri, duke krijuar një identitet që është njëkohësisht personal dhe kulturor.
Kjo bëhet edhe më e dukshme kur udhëtimi kalon përtej kufijve, drejt Greqisë së Giorgos Seferis. Tek vargjet e frymëzuara prej tij, deti nuk është më vetëm një peizazh, është një histori kolektive, një plagë që përfshin të gjithë. Enumeracioni “historianët, gazetarët, filozofët…” është një figurë që zgjeron përvojën individuale në një përvojë kolektive. Këtu individi shpërndahet në shumësi, dhe kjo shpërndarje është një formë tjetër e krizës së identitetit modern: njeriu nuk është më një qendër e qëndrueshme, është një nyje në një rrjet marrëdhëniesh.
Nga Greqia, subjekti poetik zhvendoset në Itali, tek hermetizmi i Giuseppe Ungaretti. Poezia hermetike karakterizohet nga përqendrimi ekstrem i gjuhës: pak fjalë, shumë kuptim. Kjo është ajo që e quajmë ekonomi gjuhësore. Kur Hodo shkruan “mitet i vumë relike”, ai përmbledh një ide të tërë filozofike në një varg të vetëm. Miti, në kuptimin antropologjik, është një rrëfim themelor që i jep kuptim botës dhe e lidh njeriun me një rend simbolik. Kur miti kthehet në relike, ai humbet funksionin e tij të gjallë dhe bëhet objekt muzeal. Kjo tregon kalimin nga një shoqëri tradicionale, ku miti është pjesë e jetës, në një shoqëri moderne, ku miti ruhet, por nuk jetohet më. Poezia e Rei Hodos e kap pikërisht këtë moment tranzicioni.
Udhëtimi vazhdon në vargun e Migjeni, ku dhimbja sociale dhe ekzistenciale bëhet pjesë e një tradite që vazhdon. Nga aty zbret tek vargu për Petrit Rukën, ku lirizmi dhe ndjenja e humbjes marrin një formë tjetër, dhe më pas tek Ismail Kadare, ku historia dhe miti ndërthuren në një narrativë të gjerë kulturore. Këto ndalesa nuk janë thjesht referenca, por stacione të një identiteti letrar që ndërtohet përmes dialogut me traditën.
Në këtë udhëtim, skicat bardhë e zi që shoqërojnë poezinë nuk janë zbukurime, janë pjesë e një sistemi shenjash. Nga këndvështrimi i semiotikës, çdo imazh është një shenjë që prodhon kuptim. Kur këto imazhe bashkohen me tekstin, krijohet një strukturë e dyfishtë.
Një nga tiparet më të dukshme të poezisë së Hodos është ekonomia gjuhësore e shoqëruar me një densitet të lartë figurativ.
Në vargje si:
“mitet i vumë relike / i fshehëm si trofet e humbësit”
shfaqin një tendencë për të kondensuar kuptimin përmes metaforës së menjëhershme, duke shmangur zhvillimin narrativ. Kjo strategji e afron poetin me traditën moderne të poezisë së shkurtër dhe të ngjeshur, ku fjala nuk shërben për të rrëfyer, por për të intensifikuar përvojën.
Megjithatë, kjo ekonomi shoqërohet me një shpërbërje sintaksore të dukshme. Në poezinë me motive nga Giorgos Seferis, struktura e vargut paraqitet si një seri njësish të vendosura parataktikisht:
“deti plagosur na kish gjithë …
anijet rrëshkasin mbi valë …
historianët gazetarët filozofët …”
Këtu mungojnë lidhëzat dhe hierarkitë sintaksore, duke krijuar një tekst që i afrohet rrjedhës së ndërgjegjes. Por ndryshe nga një rrjedhë e kontrolluar poetike, kjo shpesh rezulton në një fragmentaritet që dobëson kohezionin e brendshëm të vargut.
Në planin semantik, poezia e Rei Hodos nuk operon mbi shumëkuptimësinë klasike, siç e koncepton Roland Barthes, por mbi një gjendje që mund të përkufizohet si paqëndrueshmëri e kuptimit. Në disa vargje
“fllad muzg
Shpupuriten mendimet
nëntokë qytetesh
fshihen pikturë
gjoks amforash”
kuptimi nuk shumëfishohet në mënyrë të kontrolluar, por mbetet i pezulluar, pa u ankoruar në një referencë të qartë. Kjo krijon një përvojë leximi që është më shumë ndijore sesa konceptuale.
Në këtë kuptim, poezia e Hodos shfaq një tendencë për të sfiduar funksionin tradicional të gjuhës si mjet zbulimi. Ndryshe nga perspektiva e Martin Heidegger, sipas së cilës gjuha është “shtëpia e qenies”, tek Hodo gjuha shpesh vepron si një mekanizëm që e fragmenton dhe e errëson përvojën e qenies, duke e zhvendosur lexuesin drejt një hapësire të pasigurt ku kuptimi nuk konsolidohet.
Një element thelbësor në poezinë e Hodos është prania e fortë e intertekstualitetit. Referencat ndaj Giorgos Seferis, Giuseppe Ungaretti, Petrit Ruka, Ismail Kadare dhe të tjerë krijojnë një rrjet dialogjik që e vendos poetin në një traditë të gjerë kulturore.
Megjithatë, ky intertekstualitet nuk është gjithmonë i përpunuar në mënyrë organike. Në disa raste, ai shfaqet si një grumbullim referencash, më shumë se sa si një integrim i tyre në një strukturë të re poetike. Kjo ngre pyetjen mbi raportin midis ndikimit dhe origjinalitetit: a arrin Hodo ta transformojë traditën, apo mbetet brenda saj si një zë i ndërmjetëm?
Nga një këndvështrim antropologjik, poezia e Hodos pasqyron një realitet urban të fragmentuar. Vargje si:
“arterie të nënshtruara ndërhyrjeve kirurgjikale”
“bibliotekë në shtratin e lëngatës”
e paraqesin qytetin si një trup të sëmurë, duke e zhvendosur atë nga një hapësirë sociale në një metaforë ekzistenciale. Në këtë aspekt, poezia e tij afrohet me konceptet e antropologjisë moderne mbi humbjen e kuptimit në hapësirat urbane.
Megjithëse poezia e Hodos shfaq një prirje të qartë për inovacion, ajo përballet edhe me kufijtë e vet. Fragmentimi, mungesa e pikësimit dhe ndërtimi i lirë i vargut janë mjete që, kur përdoren me kontroll, mund të krijojnë një përvojë të fuqishme poetike. Por në disa raste, këto mjete rezultojnë në një paqartësi që nuk prodhon kuptim, por e pengon atë.
Kështu, poezia e Hodos lëviz midis dy poleve:si një hapësirë eksperimentale e suksesshme dhe si një tekst që rrezikon të humbasë koherencën e vet të brendshme.
Poezia e Rei Hodos përfaqëson një përpjekje të rëndësishme për të artikuluar përvojën moderne përmes një gjuhe të fragmentuar dhe të ngjeshur. Ajo ndërton një univers poetik ku kuptimi nuk është i dhënë, por i kërkuar, shpesh në mënyrë të pasigurt. Në këtë proces, poeti arrin të krijojë momente të fuqishme estetike, por edhe të ekspozojë kufijtë e vet eksperimentalë. Ky tension e vendos Hodos në një hapësirë tipike të poezisë bashkëkohore, ku fragmenti nuk është vetëm formë, por mënyrë e të qenit në botë.
Bibliografi
- Martin Heidegger, Poetry, Language, Thought
- Roland Barthes, Image–Music–Text
- Claude Lévi-Strauss, Structural Anthropology
- Umberto Eco, The Open Work
- Giorgos Seferis, poezi të përzgjedhura
- Giuseppe Ungaretti, poezi të përzgjedhura