Miliona për zgjedhje, asgjë për të varfër!Rinore Zymeri

Miliona për zgjedhje, asgjë për të varfër!

Në vend të bukës, hedhin fletë, premtime boshe në çdo qytet, zgjedhje prapë, e prapë harxhim, kur barku zbrazët s’pret arsyetim. Miliona euro derdhen kot, në pankarta, zëra e lot, ndërsa në qoshe të këtij dheu, një nënë numëron kafshatën për fëmijë e për vete s’le gjë. Kosova lodhet nga fjalët e vjetra, nga duart që shtrihen veç në fushata, e pas çdo vote mbetet heshtja, si dimër i rëndë mbi pragjet e thata. Dikush kërkon pushtet e lavdi, dikush një ilaç, një copë shtëpi, dikush në errësirë pa dritë rri, e shteti hesht… sikur s’e di. Sa shkolla mund të ngroheshin sot, sa sofrave t’u largohej loti, sa pleq pa barna të merrnin frymë, po të mos humbte buxheti në tym. Zgjedhje mbi zgjedhje, populli pret, me shpresë të vrarë në çdo qytet, por varfëria s’mbulohet me flamur, as me slogan të bukur në mur. E Kosova nuk kërkon mëshirë, veç drejtësi e pak dinjitet të mirë, që djersa e popullit mos të tretet kot, por të bëhet jetë… e jo vetëm votë.

✍️