Mimoza Sinoimeri-Kimistja që shkruan poezi-Nga Olimbi Dafa

Olimbi Dafa

Faleminderit nga zemra, Profesoreshë me zemër diellore, Olimbi Dafa për fjalët e ngrohta dhe vlerësimin tuaj kaq të thellë të poezisë time. I keni dhënë poezisë zë edhe përtej vargjeve, duke parë me sy të ndjeshëm atë që unë ndiej dhe përpiqem të shpreh. Ky shkrim nuk është vetëm një vlerësim, por një përqafim i shpirtit krijues. Jam thellësisht mirënjohëse.

Nga Olimbi Dafa
Mimoza Sinoimeri-Kimistja që shkruan poezi.

Në botën e bukur ndarjet mes shkencës dhe artit shpesh treten si kufij iluzorë. Aty ku mendja kërkon strukturë dhe shpirti kërkon kuptim, lindin poetë që i përqafojnë të dyja: heshtjen e shkencês dhe gjuhën e poezisë.
Ky është rasti i Mimoza Sinoimerit, poetes që e sheh jetën jo si përbërje të ndarë, por si një tërësi të ndërlidhur, ku molekulat e arsyes dhe atomet e ndjenjës ndërthuren në një poezi të gjallë që s’mund të matet, veçse të ndjehet.
Ndërsa lexoja poezitë,mendova se poetja ishte mesuese letërsie e lindur mes librave dhe ngjyrave të fjalës apo kishte lidhje të afërt me artin. U gabova. Poezitë janë shkruar nga nje inxhiniere kimiste që di të ruajë ekuilibrin midis shkencês dhe ëndrrës.
Dikur, ishte një vajzë e brishtë me dy bishtaleca të bukur që shkëlqente në mësime. E lindur nga dy prindër te mrekullueshëm beratas, ajo trashëgoi virtytet më të mira të tyre, butësinë e shpirtit dhe forcën e karakterit. Fëmijërinë e kaloi mes Kuçovës dhe Beratit, qytete që i mbetën të gdhendur në shpirt e lanë gjurmë të pashlyeshme dhe ndikim të drejtpërdrejtë në formimin e saj me historinë e njerëzit e tyre inteligjentë, të urtë e të mrekullueshëm.
Megjithëse prej vitesh larguar, zemra e saj endet akoma rrugëve te qytetit të saj,mes kujtimeve dhe miqve të saj.
Pasi mbaroi gjimnazin me rezultate të shkëlqyera nisi rrugën e vështirë e të bukur të universitetit. Pas diplomimit ne Fakultetin e Shkencave të Natyrës në Tiranë, kimistja e re do te punonte në Kombinatin e Tekstileve, si drejtuese reparti (me mall flet per punonjësit e saj) për pak kohë e më pas do të vazhdonte jetën në Tiranë si nënë e lumtur e dy fëmijëve të mbarë e të suksesshëm.
Në Kombinatin e Tekstileve, në fabrikën ku punonte shihte tekstilet në vaskat e ngjyrosjes, si mendimet e saj plot emocione. Çdo ngjyrë kishte emrin e vet, bluja e thellë ishte melankolia e mbrëmjeve, e kuqja flaka e pasionit, e verdha drita e një mëngjesi të artë. Ashtu si kombinonte substancat për të gjetur përzierjen perfekte, ajo kombinonte edhe fjalët për të krijuar vargje që shkëlqenin.
Ndërsa ecte përgjatë repartit ku makineritë punonin pa pushim, ajo e dinte se edhe poezia kishte mekanizmin e saj, ritmin, rimën, muzikalitetin e heshtur mes vargjeve.
Por ndryshe nga kimia, ku gjithçka duhej të kishte saktësi absolute, poezia lejonte gabime të bukura, të ëmbla drejt ndjenjës.
E kushtëzuar nga ndryshimet politike ne vend, iu desh te ndërronte profesion. Ishte e vështirë por jo e pamundur.
U bë ekonomiste e drejtuese e aftë në një kompani ndërkombëtare duke dhënë kontributin e saj në ndërtimin e disa projekteve të rëndësishme jo vetëm në Tiranë, por edhe në qytete të tjera të vendit. Ajo jeton mes kimisë, ekonomisë dhe letërsisë. Jeta e saj ka ndryshuar, por pasioni për poezinë, jo.Rutinën e përditshme e ka të ngarkuar, ndaj kur ka kohë netëve vonë drita rri ndezur në dhomën e saj, mbi tastierë ajo shkruan. Kur e pyet pse nuk boton, ajo lehtas buzëqesh :
“Te shkruash çliron shpirtin, është nje lloj meditimi ndaj kaosit që na ka mbërthyer të gjithëve në përditshmërinë tonë.
Ndoshta…”
Mëngjeseve të freskët teksa hap dritaren,mendon :
A nuk është vetë Jeta një poezi,uji metaforë shpirti që rrjedh pa u ndalur, hekuri poezi force djegur në prushin e shpirtit pa u mposhtur?
Në fund të fundit, gjithçka është përplasje mendimesh, bashkim ndjenjash, kohë e shpërbërë në fjalë.
Dhe kimistja – poete,në vargjet e saj përpiqet të zbulojë elementin e panjohur, thelbin e poezisë.
Ajo, tashmë di të bashkëjetojë më së miri me ligjet e ekonomisë, përzierjet kimike e përzierjet e mendimeve.
Eshtë e vërtetë, nuk ka ndryshim mes punës së saj dhe poezisë. Ato kërkojnë logjikë të fortë, përzierje të duhura, durim dhe pasion. E nëse bëhen siç duhet, mbeten nê zemrat e njerëzve.
E do poezine .Pena e saj e thyen dhe gurin.Vargjet e saj kanë marrë zemrat e lexuesve.
Ja si e vlerësojnë ata:
Kastriot Fetahu – poet dhe publicist,
përmbledh me saktësi:
“Poezitë e tua janë të thella, të pjekura, të menduara.
Je pjesë e elitës së poezisë së qytetit tonë”
Poezia “Kur dita qesh”
“Kur shpirti qesh
dita limonatë me shije vere
shijon.
Dielli
si një lajmëtar i ri
në kuti ëndrrash shet
dritë , mirësi .”
Silvana Dhimolea – inxhiniere, artiste
” Këto vargje janë substanca e shpirtit të bukur. Sa më shumë ditë të qeshura dhe të lumtura të uroj!”
Kastriot Fetahu – poet, publicist,
“Një domosdoshmëri e kohës së zymtë. Poezi që hap venat e mendimit si vera e vjetër e Bordosë, një vetëtimë në një qiell pa re.”
Bibjana Korca – poete
“Një poezi e bukur dhe plot gjallëri, si një mëngjes i gëzuar. Vargjet qeshin me shpirt dhe dhurojnë mirësi pa kushte.”
Natasha Qose – poete mesuese letersie,
“Lexova shpirtin tënd në vargje.”
Poetja përgjigjet me dashuri:
“Nëse ke lexuar një pjesë nga shpirti im, atëherë je bërë pjesë e poezisë. Është bekim kur dikush ndjen bukurinë që ngrihet përmes poezisë.”
Poezia e Mimoza Sinoimerit është një thirrje e brendshme, një dritë që lind në errësirë dhe pulson në heshtje. Nuk kërkon të impresionojë, por të ndriçojë, të ndezë një fije mendimi në mendjet e lodhura dhe një dridhje ndjenje në zemrat që ende besojnë te fjala. Dhe fjala e saj është poezi. Prej tyre lind kjo dëshmi e gjallë që flet për fuqinë e krijimtarisë së saj.
A – Kur poezia bëhet filozofi e shpirtit.
Kritiku Margarit Done, në analizën e poezisë “Letër nga askund”, shkruan:
“Në poezinë “Letër nga Askund”, poetja “ecën” në një udhëtim përmes absurdit në stilin e Camu -së, ku kuptimi nuk gjendet, por krijohet me vetë përpjekjen për ta kërkuar.
Absurdi është perplasja midis kërkesës së njeriut për kuptim dhe indiferencës së universit.Rruga e poetes është rruga e të gjithë qenieve që nuk dorëzohen. Poezia e saj është një lloj rezistence e heshtur. Një dëshmi që edhe asgjeja ka zë, edhe askundi ka adresë, dhe emrat që s’duan emër, mund të preken vetëm nga ai që di të emërtojë me kujdesin e thjeshtesise e durimit.Poezia bëhet, kështu, jo një “strehë” nga absurdi,por VENDI KU ABSURDI KTHEHET NE ART. Në këtë kuptim, ajo nuk është një përgjigje, por një AKT. Akt krijimi.
Një ritual i vazhdueshëm i krijimit të kuptimit në një botë që shpesh nuk e ka.
Urime Mimoza!

Ndërsa vetë Mimoza shprehet për poezinë e saj ” Letër nga Askund ” se është një poezi filozofike me një frymë që i afrohet Absurdit të Camu-së , por me ndjeshmëri të një meditimi personal . Ideja kryesore e poezisë është : Vetmia ekzistenciale dhe kërkimi i kuptimit në një botë pa përgjigje të qarta .
Ai thellohet më tej në poezinë “Molla, fruti i mëkatit apo lirisë”, ku vëren se:
“Në Bibël, molla është simboli themelor i mëkatit të parë. E konsideruar si çasti i rrëzimit njerëzor, molla mbart në vetvete të gjithë dramën e qenies njerëzore, mes lirisë dhe ndëshkimit, mes dritës së dijes dhe hijeve të fajit.
Poezia e Mimoza Sinoimerit e kthen këtë simbol përmbys. Ajo nuk e sheh mollën si një mëkat që meriton dëbimin, por si pikën e nisjes së vetëdijes, si një thirrje për njohje, për të dalë nga “guacka” e heshtjes, për të guxuar. Një akt që, edhe pse sjell dhimbje e përplasje, është thelbësor për t’u bërë njeri në kuptimin më të plotë, krijues, i lirë dhe sfidues.

Kjo lëvizje, nga mitologjia e dënimit biblik në afirmimin poetik të lirisë është mesazhi bashkëkohor i poezisë. Në një botë që shpesh kërkon konformizëm, bindje të verbër dhe heshtje, poezia zgjedh t’i japë mollës një tjetër “emër”, ZGJIM.
Përmes simboleve të Prometeut që vodhi zjarrin, të Orfeut që sfidoi vdekjen me art, të Athinës që mishëron urtësinë, poezia i bashkon mitet për të ndërtuar një të vërtetë të re.
Cila është ajo?
Njeriu nuk bie kur kërkon, por rilind. Dhe ky akt rilindjeje është sot më aktual se kurrë, në kohë frike dhe pasigurie, zëri që guxon të pyesë e të zgjedhë është zëri që krijon.
A është molla mëkat, apo është shkëndija që ndez vetëdijen? Poezia nuk jep një përgjigje të prerë, por fton dëshirë për mendim e gjykim.Ndoshta mëkati i vërtetë është frika për të provuar, për të kërkuar, për të dashuruar edhe përtej kufijve që të tjerët i quajnë “të ndaluar”.
Komentin e tij e pasuron më tej Artan Mitrushi- inxhinier, i cili shton:
“Ajo që më intrigon në poezinë tuaj është fakti që ju mollën e keni vendosur si një metafore filozofike në raportin ” dhënie dhe marrje dashurie! Ju nëpërmjet kësaj metafore jeni përpjekur ta konsideroni mollën si shfaqje të prosperitetit, gëzimit dhe fertilitetit pa të cilat nuk do kishte jetë! Jeta në thelbin e saj qëndon mbi hyjninë, mbi religjionin, mbi mëkatin. Ju përgëzoj për këtë poemth, realizuar bukur jo vetëm poetikisht por edhe nga ana ideore! Ju respektoj për atë çka mendja juaj “bluan”!
B – Kur zemra flet me lot dhe dritë.
Nuk është vetëm kritika letrare që ndalet tek poezia e Mimozës, por edhe lexuesit e shumtë, mësues, artistë, poetë e profesionistë që gjejnë në vargjet e saj një zë të ndjeshëm, të vërtetë, njerëzor.
“Ndalni luftën,
në emër të një buke
që priste të ndahej,
në emër të një zëri që
priste të quhej emër,
në emër të jetës që po
vdes
para se të mësojë të ecë.”
Silvana Dhimolea, artiste, ndalet te poezia Ndalni luftën:
“Vargje të shkruara me lot nëne! Të prekshme, të dhimbshme, si tragjeditë njerëzore që po jetojmë.
Gazza është një Holokaust në qiell të hapur.
Ti nuk hesht. Ti je zë.”
Ja si shprehet Valentina Muka – poete, përkthyese
Mimoza npm poezisë bën thirrje , një apel të fuqishëm, ka dhimbje në vargjet e saj, lot për viktimat e luftës. Gjuha e vargjeve flet me ashpërsinë e revoltës, ndaj jane teper te ndjera keto vargje.
Kastriot Fetahu shkon më tej në komentin e tij analitik:
Vargu i fundit, kjo poezi… “eshte me i heshturi vajtim,” eshte gjithe dhembja e pafuqishme e botes per te ndalur luften dhe sjelle paqen. E kam ndjekur konfliktin arabo-izraelit qe nga koha e marreveshjes se Kemp Dejvid, midis presidentit egjiptian Anvar El Sadat dhe kryeministrit izraelit Menahem Begin, me ndermjetesimin e presidentit amerikan Xhimi Karter. Kam gezuar atehere dhe edhe sot ai gezim ngjan me nje trishtim te pafundem. Shkak kjo marreveshje qe Anvar El Sadat u vra ne podium gjate nje parade ushtarake ne Kajro.
Nje poezi shkruar ne nje flete lotesh te pashprese. Bravo!
Majlinda Mehilli, mësuese:
“Sot, kur bombat bien si shi, ne kemi vetëm fjalën. Por fjala jote, Moza, është mallkim për luftën dhe lutje për jetën. Pesha e mendimit, fjalës dhe penës tënde të artë Moza, reflekton mjaftë qartë e me dhimbje peshën e rëndë të kohës, që po jetojmë…një peshë, që çdo ditë e më tepër po lëndon e vret njerëz të pafajshëm.
Respekt!
Fatmir Myrto – poet, mesues:
“Bota duhet të kishte shpirtin e NËNËS .
Luftënxitësit i vraftë Zoti dhe i nxiftë Historia .
Ne trishtohemi dhe vajtojmë në heshtje për jetët e njerëzve .
“Oh që s’kam një GRUSHT të FORTË “…. do të thoshte Migjeni .
Urime Moza ,për këta vargje që dalin nga zemra dhe godasin me predhë artilerie vampirët e kohëve moderrne !
Violeta Ruzi, biznesmene:
“E trishtueshme dhe e vërtetë! Ti e ke sjellë dhimbjen ashtu siç është. E zhveshur nga justifikimet. Bravo, poete me shpirt njerëzor!”
Shkëlqim Ago, poet e publicist:
“Vargje që apelojnë.
Atë që nuk e bëjnë dot presidentët e diplomatët, e bën ti, Moza,një grua me zemër të ndritur dhe shpirt si i Nënë Terezës.
Zoti të bekoftë!”
C – Përtej heshtjes: dritë, sfidë dhe rimë
Një poezi domethënëse, një tjetër perlë që tërheq vëmendjen e lexuesit të ndjeshëm dhe të kritikut të hollë. Kritiku me finesë, me “grepin flutur” kap pikanten, vlerën, nuk mbetet indiferent përballë vargjeve të poetes Mimoza Sinoimeri.
Në poezinë “Koha, monedha e jetës”, koha shfaqet si vetë jeta, një monedhë që rrotullohet mbi tryezën e fatit. “Lum kush di ta shfrytëzojë,” thuhet me mençuri, duke na kujtuar se nuk është e lehtë të vallëzosh me kohën. E ndoshta pikërisht për këtë, poezia përshkruhet me një imazh poetik brilant: “si balerinë mbi fijet e erës, mbi plagët e ditëve vallëzon”.
Kjo poezi është përjetuar si një ndjesi që ngjitet thellë në kujtesë, një “tik-tak i një ore që flet me shpirt”, siç shprehet Valentina Muka.
Ajo e quan një krijim elegant dhe të mençur, ku koha merr formën e një loje të ëmbël dhe të hidhur, një poezi që të fton të ndalesh e të reflektosh.
Liljana Mekollari, inxhiniere:
“Ti e tejkalon vetveten dhe e ndriçon botën përreth. Sa bukur i shndërron plagët në poezi dhe fjalët në krahë shprese.”
Lefter Cibuku, Poet,mesues:
“Luan rrezikshëm me fjalën, Moza , por del gjithmonë e fituar.
Ja kjo është forca jote.”
Mira Zaho, poete:
“Të kuptosh e të vlerësosh se koha është monedhë e jetës… do të thotë jo vetëm të shijosh bukuritë e saj, por edhe të jesh gati për t’u përballur me sfidat. Çdo varg i kësaj poezie mbart peshën e duhur dhe finesën e një gjuhe figurative të pasur.”
D -Kur fjala bëhet flamur i gjuhës, dashurisë dhe ekzistencës
Laureta Poga – poete
për “ABC e shqipes sonë” thotë:
“Kur lindëm belbëzuam shqip, flasim shqip, do ta përkëdhelim çdo frazë vetëm në shqip. Poezia jote është një himn i gjuhës sonë.”
Tonin Drekaj, poet, mësues:
“Fjala tek ti është fytyra arketipale e qenies. Ajo shfaqet nga parakrijimi deri në ekzistencë. Mrekulli.”
Artan Mitrushi, për poezinë “Në cilin Jupiter je?”:
“Një fluturim kozmik i mendimit te veshur me mistiken e endrres.Keto vargje me sjellin nder mend nje pjesë nga nje kryeveper e letersise franceze” Atala “ te F.R. Chateaubriand. Veshtire se i has keto vargje me kete lloj ndjeshmerie vibruese tek te tjeret. Dashuria dhe shpirtësia jetojnë mbi yje.” Bravo!
Valentina Muka, poete dhe përkthyese shprehet:
“Në poezinë ‘Dritë në errësirë’
‘E butë në zemër, e egër në fluturim’ është përmbledhur fuqia jote.
Është sfidë dhe dritë bashkë.
Ajo ka shkruar dhe shumë poezi të tjera si :
Vajzës sime,
Birit tim,
Pak,
Buzëqeshja ,
Hesht,
Shqiptar,
Per ty Botë,
Balerinës,
Fijet e frikës,
Dritë urimesh,
Përtej ngjyrës,
Rini, e ardhmja je ti,
E bukura kosovare,
Magjistare po të isha,
Shkencë e pasionuar,
Ka disa netë,
Sikur fjala të shitej,
Pse,
Orkestra e enëve,
E shumë, shumë të tjera…
Në fund të fundit, vargjet e Mimoza Sinoimerit janë zëra që mbeten.
Ato ngjallin guximin për të ndjerë, për të pyetur, për të thënë “jo” padrejtësisë dhe “po” jetës me dinjitet. Poezia e saj është thirrje , jo arratisje, por kthim te vetja. Nuk është vetëm ndjesi, por mendim që mendon thellë.
Ajo ka një penë inteligjente, dhe vargu i saj mban një elegancë që lë gjurmë. Shkruan thjesht, por thellë, me një ndriçim mendimi që të qëndron gjatë. Është një penë brilante që vlen të lexohet e rilexohet.
Fryma e saj si poete dhurohet në çdo fjalë. Mimoza është një zë i mendimit të bukur poetik, një poete me imagjinatë të kthjellët dhe me ndjeshmëri të lartë. Të gjitha poezitë e saj janë të realizuara artistikisht, sepse ajo është vetë brenda poezisë.
Arti i Mozës është i ndjerë, fin, frymëzues dhe nxitës. Bota e saj poetike është e mbushur me vizione për të ndryshuar. Fjala e saj mbjell farën e mendimit, ndriçon, lartëson dhe zbut zemrën. Ajo ngroh vargun me shpirtin e saj
Poezia e saj ka zë, shpirt dhe qëllim.