Monedha të harruara-Alma Begaj

Alma Begaj

 
Era
i sjell thashethemet
si një det i trazuar
mbetjet e kroçiereve
bregut plot fëmijë
me zemrat
që rrahin si portat
kur hapin shtegun.
 
 
Hap pas hapi,
trotuari përkëdhel heshtur,
kujtimet që digjen si cigare
në errësirë.

 

Një dritë vjen e shuhet me një frymë,
si mesazhi që digjet para se të arrijë.

 

Në kafe të ftohur
mbi tavolinë,
koha ngadalësohet,
heshtja pihet me lugë të argjendtë.

 

Dy hije kërkojnë të njëjtën dritë,
në një botë që vrapon,
por ende pret në errësirë.

 

Gjoksi dridhet
si ekran në mesnatë,
duke pritur një “po”
që yjet s’e thonë dot.

 

Në këtë qetësi të butë,
diçka akoma rron,
një ndjesi e vogël
që heshtja e kupton.
 
Në këtë qytet
që fle me dritat ndezur,
fjalët e vjetra
mblidhen si monedha
të hedhura tinëz
në xhepin e shqepur.