“Mos e lëndoni jetimin” i Hajri Lamaj -Agim Lika Poet, studiues dhe historian

Agim Lika Poet, studiues dhe historian

Sot kam kënaqësinë të ndaj me ju një lajm shumë të bukur: sapo ka dalë nga botimi vëllimi im i ri me poezi, “Mos e lëndoni jetimin” Nga Hajri Lamaj Poet.

Një libër i shkruar me shumë dashuri, ndjeshmëri dhe përkushtim, në të cilin kam përmbledhur vargje që prekin jetën, dhimbjen, dashurinë, njerëzit dhe botën shpirtërore të njeriut.

Falënderoj përzemërsisht redaktorin e librit, z. Kujtim Xhebexhiu, për punën dhe përkushtimin e tij; shtëpinë botuese “Fast Print” dhe znj. Semi Haxhiu, për cilësinë e botimit dhe bashkëpunimin e shkëlqyer. Një falënderim i veçantë shkon për mikun tim, poetin dhe studiuesin z. Agim Lika, për përgatitjen e parathënies së këtij libri dhe për vlerësimin e tij të çmuar. Falenderoj znj. Fatbardha Alliu dhe znj.Elena Leka, per mbeshtetjen e tyre te pakursyer! Bashkëlidhur po ndaj me ju edhe parathënien e librit. Ju uroj lexim të këndshëm dhe shpresoj që vargjet e këtij vëllimi të gjejnë një vend të ngrohtë në zemrat tuaja! PARATHËNIE Ka libra që shkruhen me bojë, ka libra që shkruhen me mendje, por ka edhe libra që shkruhen me zemër. “Mos e lëndoni jetimin !” është një prej këtyre të fundit. Ky është vëllimi i dytë poetik i Hajri Lamajt, pas librit “Krenarë për origjinën”. Ai nuk vjen thjesht si një përmbledhje vargjesh, por si rrëfim i një shpirti që ka njohur herët mungesën, dhimbjen dhe vetminë, por që, pavarësisht gjithçkaje, nuk ka reshtur së kërkuari dashurinë, mirësinë dhe dritën njerëzore. Në qendër të librit qëndron jetimi, jo vetëm si fëmija që rritet pa nënën ose babanë, por si njeriu që e ndjen mungesën e tyre gjatë gjithë jetës, edhe kur rritet, edhe kur thinjet, edhe kur mësohet të ecë i vetëm. Ka dhimbje që koha nuk i shëron. Ajo vetëm na mëson t’i mbajmë në heshtje. Në vargjet e këtij vëllimi, kujtimi i nënës zë një vend të veçantë.

Autori rrëfen dhimbjen e fëmijës që nuk pati mundësi ta njohë nënën, të cilën e humbi kur ishte ende foshnjë dhe që, më vonë, u përpoq ta rindërtonte figurën e saj përmes ëndrrave, kujtimeve dhe poezisë. Ndoshta kjo është një nga dhimbjet më të mëdha njerëzore: të keshë mallë për dikë që nuk e mban mend dot. Dhe pikërisht këtu poezia bëhet strehë. Kur kujtimi nuk mjafton, vjen vargu dhe, kur fjala e zakonshme nuk arrin ta shprehë dhimbjen, vjen poezia. Në dorëshkrim, autori e quan poezinë “binjake” të vetes, një shoqe që ka ecur me ‘të nëpër rrugët e vështira të jetës. Por, ky vëllim nuk është vetëm libër dhimbjeje. Është edhe libër dashurie: dashuri për nënën, babanë, familjen, nipin, miqtë, vendlindjen, traditat dhe njerëzit e mirë. Në ‘të ndihet malli për një kohë që po largohet; për atë botë të thjeshtë ku familja mblidhej pranë oxhakut, buka ndahej në një sofër dhe prindi i këshillonte fëmijët të mësonin e të bëheshin njerëz të mirë. Në këtë kuptim, “Mos e lëndoni jetimin !” është edhe një libër për kujtesën: kujtesën e nënës që mungon, të babait që vuajti nga padrejtësia e sistemit, fëmijërisë, të miqve, të fshatit dhe të një brezi që u rrit me varfërinë, por mësoi të ëndërronte shumë. Në poezinë “Për ty, baba!”, dhimbja personale lidhet me një realitet të rëndë familjar. Fëmija rritet pa nënën dhe me babanë larg, në burg, ndërsa më vonë zbulon se pas dënimit të tij fshiheshin padrejtësi dhe akuza të pabazuara. Këtu, libri merr edhe një dimension tjetër: atë të dinjitetit njerëzor.

Autori nuk shkruan vetëm për atë që i ka ndodhur atij. Ai shkruan për njerëzit që kanë vuajtur padrejtësisht, për ata që janë rritur pa prindër, për ata që kanë mbajtur plagë që nuk i kanë treguar kurrë dhe për ata që kanë vazhduar të ecin edhe kur jeta u ka marrë shumë,prandaj titulli “Mos e lëndoni jetimin !” duhet lexuar më gjerë : horizontalisht dhe vertikalisht. Mos e lëndoni fëmijën që ka humbur nënën ! Mos e lëndoni atë që pret babanë ! Mos ia shtoni dhimbjes edhe një dhimbje tjetër ! Mos e gjykoni për heshtjen se ne nuk e dimë se çfarë historie mbart një njeri pas syve të tij. Ndoshta një buzëqeshje fsheh një fëmijë që ,dikur, ka pritur te dera. Ndoshta një heshtje fsheh një nënë që nuk është më. Ndoshta një burrë, që duket i fortë, ka qenë dikur një djalë i vogël që nuk e kuptonte pse të tjerët kishin një nënë për t’i përkëdhelur, ndërsa ai vetëm dëgjonte emrin e saj. Në një nga poezitë më prekëse të këtij libri, autori u drejtohet fëmijëve që ende i kanë nënat pranë dhe i fton të mos e humbin kurrë mundësinë për t’i dashur e respektuar, sepse dhimbjen e mungesës së nënës mund ta tregojë më mirë se kushdo ai që e ka përjetuar. Kjo është një nga porositë më të fuqishme morale të librit: Të duam sa jemi gjallë! Të falim sa kemi mundësi ! Të përqafojmë para se të bëhet vonë ! T’mos presim varrin për të kuptuar vlerën e njeriut ! Dashuria dhe respekti duhet të jepen në kohë; më pas, lulet dhe lotët nuk mund ta zëvendësojnë atë që nuk e dhamë kur duhej. Ky libër nuk e fsheh jetën. Në faqet e tij gjejmë dashuri dhe ndarje, mallë dhe nostalgji, gëzim dhe trishtim, miqësi dhe zhgënjim, vendlindje dhe emigrim, varfëri, sakrificë, traditë dhe ndryshime shoqërore.

Ka njerëz që ikin, shtëpi që mbeten bosh, fshatra që heshtin dhe kujtime që vazhdojnë të jetojnë edhe kur njerëzit nuk janë më, prandaj ky nuk është vetëm një libër për autorin. Është një libër ku shumë lexues mund të gjejnë një copëz të jetës së tyre: një nënë, një baba, një mik, një dashuri të humbur, një shtëpi të vjetër, një fshat të largët, një fotografi, një letër, një varr, një kujtim. Ndoshta, duke e lexuar, do të kuptojmë se pas çdo njeriu që takojmë mund të fshihet një histori që nuk e njohim, prandaj: mos e lëndoni jetimin ! Mos ia prekni plagën që nuk duket ! Mos ia nënvlerësoni lotin ! Mos i thoni “Harroje !”, sepse disa mungesa nuk harrohen. Mësoni ta dëgjoni ! Mësoni ta kuptoni ! Mësoni ta përqafoni, sepse, ndonjëherë, një fjalë e mirë mund të bëjë atë që nuk e bën dot një jetë e tërë. Ky libër është dëshmi se dhimbja, kur kalon nëpër shpirtin e një poeti, mund të shndërrohet në fjalë; fjala në varg; vargu në kujtesë dhe kujtesa në një mesazh për brezat. Ndoshta ky është misioni më i bukur i kësaj vepre: të na mësojë të jemi më njerëzorë. Disa poezi meritojnë vëmendje të veçantë Vëllimi “Mos e lëndoni jetimin !” i Hajri Lamajt, vjen para lexuesit si dëshmi e një poezie të mbështetur mbi përvojën njerëzore, ndjeshmërinë dhe shqetësimin qytetar. Poeti nuk e sheh vargun thjesht si formë artistike, por si mënyrë për të komunikuar me njeriun, me dhimbjen, dashurinë, kujtesën dhe shpresën. Pikërisht për këtë arsye, disa prej poezive të këtij vëllimi meritojnë një vështrim të veçantë. “Mos e lëndoni poetin !” Kjo poezi përbën një lloj manifesti të heshtur mbi misionin e poetit. Ai shfaqet pranë gëzimit dhe dhimbjes njerëzore: në dasma, pranë fëmijëve, në natyrë, por edhe aty ku “është hapur plaga”. Forca e saj nuk qëndron në një figuracion të ndërlikuar, por në thjeshtësinë e ndjenjës. Poeti e vendos veten në marrëdhënie të drejtpërdrejtë me njerëzit dhe e sheh poezinë si një formë solidariteti njerëzor. Poezia “Një zë i bashkuar është stuhi” e zgjeron horizontin e autorit nga përjetimi individual drejt një shqetësimi universal: paqes, lirisë dhe fatit të fëmijëve. Vargu “Një zë i bashkuar është një stuhi” përmbledh idenë themelore të saj: zëri individual mund të jetë klithmë, ndërsa zëri i bashkuar shndërrohet në forcë shoqërore. Gjuha që përdor poeti është e drejtpërdrejtë, e kuptueshme dhe apelative. Mesazhi është i qartë: përballë luftës dhe padrejtësisë, heshtja nuk duhet të jetë alternativa e njeriut. Në poezinë “Krenar për origjinën” shfaqet një nga shtyllat e rëndësishme të krijimtarisë së Lamajt: dashuria për vendlindjen dhe identitetin. Poezia ndërton një lidhje midis kujtesës personale, historisë familjare dhe vendit të origjinës. Ajo nuk është thjesht poezi për një vend gjeografik; është poezi për rrënjët.

Në vështrimin kritik mbi krijimtarinë e tij është evidentuar pikërisht kjo veçori: lidhja e krenarisë për vendlindjen, me origjinën familjare dhe kujtesën e brezave. “Erdhe ti dhe Hëna iku!” është një poezi lirike e dashurisë. Në të gjitha poezitë e dashurisë, Lamaj ndryshon regjistër. Nga shqetësimi shoqëror kalon te ndjenja intime, duke përdorur natyrën si pasqyrë të dashurisë. Hëna, era, pranvera dhe bukuria bëhen pjesë e një universi romantik. Në këtë poezi, autori përdor personifikimin dhe hiperbolën për ta ngritur figurën e së dashurës mbi bukurinë e natyrës. Kjo dëshmon se bota poetike e autorit nuk kufizohet vetëm te problematikat sociale, por përfshin edhe dashurinë, ëndrrën dhe botën intime. “Lapsi”, është një poezi ku objekti i zakonshëm shndërrohet në simbol të krijimit. Lapsi nuk është vetëm mjet shkrimi. Ai bëhet ndërmjetës midis poetit dhe fjalës, midis mendimit dhe vargut. Kështu, objekti merr një dimension metaforik: poeti shprehet përmes fjalës dhe fjala merr jetë përmes poetit. Një vështrim kritik mbi stilin Në krijimtarinë e Hajri Lamajt vihet re prirja për një komunikim të drejtpërdrejtë me lexuesin. Gjuha është përgjithësisht e thjeshtë, e kuptueshme dhe e mbështetur në metafora, epitete, personifikime e krahasime. Një tjetër veçori është përdorimi i rimës së alternuar ABAB në disa poezi, çka i jep vargut ritëm të dallueshëm dhe një tingëllimë më tradicionale. Poezia e Hajri Lamajt nuk kërkon të impresionojë vetëm përmes fjalës së rrallë apo figuracionit të ndërlikuar. Ajo synon të prekë lexuesin përmes ndjenjës, mesazhit dhe përvojës njerëzore. Në qendër të saj qëndron njeriu: njeriu që dashuron, vuan, kujton, lufton për dinjitet, kërkon paqe dhe nuk harron rrënjët. Pikërisht kjo e bën vëllimin “Mos e lëndoni jetimin !” një hap të mëtejshëm në rrugëtimin poetik të Hajri Lamajt. Urime dhe suksese pa fund poetit Hajri Lamaj për vëllimin e tij të ri me poezi, “Mos e lëndoni jetimin !” dhe për botimet e tjera që do të pasojnë! Uroj që ky libër të udhëtojë drejt lexuesit me mesazhin e tij njerëzor, me ndjeshmërinë e vargut dhe me vlerat që përcjellë ! Qoftë një tjetër sukses në rrugëtimin krijues të autorit dhe një vepër që të gjejë vend në zemrat e shumë lexuesve ! Urime, poet Hajri Lamaj! Pena juaj shkroftë gjithmonë për njerëzit, dashurinë, jetën dhe të vërtetën!

Agim Lika Poet, studiues dhe historian