MOS FLI SONTE
Mos fli sonte,
rri me mua
në këtë natë
që kërkon të rrijë zgjuar
për të na bërë
të ndiejmë njëri-tjetrin
nën këtë hënë
që na vështron nga lart.
·
Mos thuaj asgjë.
Vetëm lexojmë njëri-tjetrin
në rreshta
që vetëm ne
dimë t’i përkthejmë.
·
Le t’i lëmë heshtjet tona
të afrohen ngadalë,
si dy duar
që e dinë rrugën
edhe në errësirë.
·
Le t’i mbajmë ëndrrat zgjuar
pranë nesh,
dhe me sytë hapur
ta shijojmë këtë natë
deri në agim.
·
Të mbështetemi
në gjokset e njëri-tjetrit,
si dy shpirtra
që nuk kërkojnë më asgjë
përveç pak kohe
për ta harruar botën.
·
Dhe kur agimi të trokasë,
të mos pyesim
ku fillon ëndrra
dhe ku mbaron nata…
Mjafton të dimë
se për pak orë
u gjetëm.
Ariel Bella
