“Mos harro se je Dibra”; jehona e një traditë që nuk shteron-Nga Nexhbedin Basha

Reportazh

Nga Nexhbedin Basha

Gazetar & Poet

Në ekranin e :Gurra Popullore” në kuadër të programit “E Diell”, në Top Channel, kultura dibrane erdhi si një burim i pastër, i gjallë dhe plot dritë. Nën drejtimin e moderatorëve Edi Manushi, Ervin Kurti, maestro Edi Balili, Nevina Shtylla, Rigelda Totraj dhe Iris Leka, kjo “gurrë” arti vazhdon të mbajë të gjallë shpirtin e traditës shqiptare, duke sjellë në çdo episod zëra, ngjyra dhe ritme nga të gjitha trevat shqiptare; një pasuri e gjallë që arkivohet për brezat e sotëm dhe ata që do të vijnë.

Më 19 prill 2026, skena u pushtua nga një emër që nuk është thjesht ansambël, por histori: Ansambli Artistik Kuvendi Zall-Dardhe, Dibër. Një ansambël 77-vjeçar që nuk njeh lodhje në misionin e tij për të ruajtur dhe përcjellë traditën dibrane dhe trashëgiminë kulturore.

Nën drejtimin e presidentit Neshat Ndreu dhe regjinë e “Mjeshtrit të madh”, Skënder Skender Cala, kjo trupë artistike dhuroi një performancë dinjitoze, ku çdo element; nga kënga, vallja, çiftelia e deri te kostumet tradicionale – foli shqip, foli Dibër.

Këngëtarët sollën nëpërmjet interpretimit aromën e dasmave dibrane, shpirtin e pastër të këngës popullore, por edhe jehonën e fuqishme të këngëve të trimërisë që ngjallin krenari dhe kujtesë historike. Në çdo interpretim ndihej pulsimi i jetës së malësorit: gëzimi i dasmës, dhimbja e mallit dhe thirrja e burrërisë. Vargjet përcillnin sakrifica, qëndresë dhe dashuri për vendin.

Tingujt e çiftelisë dhe zërat e ngrohtë krijuan një atmosferë të gjallë, herë festive e herë epike, duke sjellë para publikut një tablo të plotë të shpirtit dibran; nga hareja e sofrave familjare te krenaria e këngëve që lartësojnë figurën e trimave dhe historinë e kësaj treve.

Liri Rasha , me “Këngë dasmash dibrane”, “Moj Zogo”, spikati me interpretimin e saj plot ndjenjë. Ndërsa Caje Poleshi përcolli emocion të veçantë me këngët “Erdha nga qyteti në fshat të jetoj” dhe “Të më zgjojsh oj nanë nga gjumi”.

Një moment i veçantë ishte interpretimi i Bledar Kaca së bashku me bijën e tij Melisa, me këngën “Babë e bijë na shkoftë jeta veç tuj këndu”, duke simbolizuar vazhdimësinë e traditës nga brezi në brez. Po ashtu, ai solli edhe këngën “Mos harro se je dibran”.

Ndër interpretimet që u mirëpritën ishin edhe “Këngë për Mahmut Dacin”, kënduar nga Metush Luca dhe Muharrem Elezi, si dhe “Sa e ëmbël është fjala nënë”, nga Mentor Topuzi dhe Mentor Dërvishi.

Në këtë mozaik artistik nuk munguan as zërat e Ruzhdi Dervishi dhe Muharrem Elezit me këngën “Besa-besë na thërrasin malet”, apo kënga “Sul Elezi”, interpretuar nga Halit Koldashi dhe Fatjon Dërvishi, të cilët i dhanë ngjyrë dhe forcë skenës me interpretimet e tyre autentike.

Një rol të veçantë luajti edhe “Vallja e Kuvendit”, e udhëhequr nga koreografi Kristjan Kavalli dhe puna e palodhur e mësueses Drilona Kadriu, e cila ka arritur të krijojë një grup valltarësh me nxënës të shkollës së Zallit; një dëshmi e gjallë se tradita nuk është vetëm kujtim, por edukim i përditshëm.

Pamja u plotësua nga kostumet e kuruara me mjeshtëri nga Xhevahire Kolgjini, që sollën në ekran ngjyrat dhe identitetin e Dibrës.

Pas këtij suksesi qëndron një ekip i përkushtuar: drejtuesja artistike Liri Rasha, poeti dhe tekstshkruesi Isuf Topuzi, si dhe i gjithë stafi realizues që punon për ta mbajtur gjallë këtë pasuri të çmuar.

Ky aktivitet ishte më shumë se një performancë televizive. Ishte një dëshmi se gurra e Dardhës dhe e Dibrës nuk shteron kurrë. Ishte një thirrje e heshtur, por e fuqishme: “Mos harro se je Dibra”.

Në një kohë kur globalizimi rrezikon të zbehë identitetet lokale, kjo skenë dëshmoi se rrënjët janë ende të forta dhe se trashëgimia kulturore nuk është thjesht kujtesë, por frymë që jeton dhe përtërihet. Dibra nuk erdhi vetëm si një krahinë, por si një botë shpirtërore që flet përmes këngës, valles dhe fjalës së urtë.

Sepse kur këndon Dibra, nuk këndon vetëm një trevë -këndon vetë historia.

Ansambli Artistik “Kuvendi” i Zall-Dardhës mbetet një vlerë e gjallë kombëtare; një trashëgimi që nuk ruhet vetëm në arkiva, por jeton në skenë, në zërat e artistëve dhe në zemrat e publikut.

Nexhbedin Basha