Gezim Baruti

Prej librit tim “Jetëshkrim”.
…Dola nga shtëpia në mëngjez por jo fort herët. Kisha vendosur të udhëtoja me ndonjë makinë të rastit. Në Lushnjë takova Enverin e po bëja muhabet. Ishte ora tetë e gjysmë. Ai sapo kishte dalë nga një mbledhje në ndërmarrje, me kuadro drejtues e brigadierë, dhe ish nisur për të qenë pranë brigatës së tij të ndërtimit, për të drejtuar punimet. Para se të ndahesha me të më kumtoi me zë të ulët që të jem i kujdesshëm, se dikush nga udhëheqësit kish vdekur e kjo do të bëhej e ditur publikisht sot në orën dymbëdhjetë të drekës. U ndamë menjëherë dhe unë dola për ndonjë makinë. Pas nja një gjysmë ore hipa në një makinë “Liaz”, me targa të Krujës, e ngarkuar me mazut.
Gjatë rrugës po mendoja për ato që mësova nga goja e kushëririt tim. Isha i entusiazmuar.
Ishim tre udhëtarë në atë makinë. Unë isha në ndenjësen prapa shoferit. Në ndenjësen e parë ishte një udhëtar që po bisedonte me zë të ulët me shoferin e që mua m`u duk disi misterioz e tepër serioz, madje vramuz. Disa minuta më pas, biseda midis tyre po më ngjante si biseda e shërbëtorëve në aktin e fundit të një tragjedie të Shekspirit që iu duhej të lajmëronin popullin se kambanat e kishës më të madhe të qytetit të tyre duhej të binin pa pushim…
Po e ndiqja bisedën e tyre duke iu shmangur pasqyrës së shoferit kur pashë që ai lëshoi timonin dhe përplasi dorën e djathtë në ballin e tij duke shqiptuar i pezmatuar, ashtu m`u duk mua, fjalën “mos” e duke ecur pak më shtruar me makinën e tij. Nga ajo lëvizje kuptova se diktatori nuk jetonte më. Isha në një delirium të plotë ngazëllimi.
Te Plepat zbrita. Do të merrja autobuzin urban për në Durrës. Ishte ora dymbëdhjetë pa pak minuta. Disa civilë të panjohur na urdhëruan të futemi në një lokal, bar-restorant që ndodhej në krahun e majtë të rrugës për në qytet. Hyra bashkë me turmën në atë lokal ku pas dy minutash u dha sihariqi dhe mandata për vdekjen e Enver Hoxhës, diktatorit më të egër që kish njohur Europa.
Pas dhjetë minutash dolëm nga lokali. Ca gra vazhdonin të qanin duke fshirë lotët. Njerëzit dukeshin e mundoheshin të dukeshin sa më të pezmatuar. Në teatrin dramatik shqiptar po këndoheshin vajtueshëm ditirambet dhe panegjerikët e fundit të mësuar përmendësh për diktatorin gjatë atyre dyzetë viteve të obskurantizmit të paparë komunist. Atë ditë, të mundur e mundës u ndjenë fitimtarë. Perdja e aktit të fundit kishte rënë. Rënia po hidhte shtat e pas pesë vitesh piskama e saj do të pushtonte gjithë qiellin shqiptar…
Hipa në autobuzin urban pa e fshehur dot entusiazmin tim. Për njeriun është shumë e vështirë të fshehë ndjenjat e tij fisnike e aq më tepër ngazëllimin dhe dashurinë. Me sa dukej, frika ime e përhershme ia kish dorëzuar vendin çakërdisjes shpirtërore. Që nuk kisha qenë në gjendje të zbusja pak shfaqjen e gëzimit tim u binda nga fjalët që më dëgjoi veshi e që m`i drejtoi personi që qëndronte përballë meje, fare pranë meje, me një zë fare të ulët: “- çfar bën, kujdes, jo kaq i qeshur!?… Ngrita kokën për të parë atë njeri që kish shqiptuar ato fjalë dashamirëse në formën e një këshille. E njoha atë njeri! Pas vitit 1962 punonte në trupën e Estradës së Lushnjës si regjizor e piktor njëherësh. Pra kishim qenë njerëz të një qyteti por pa u njohur me njeri-tjetrin. Natyrisht që unë e njihja sepse ai ishte njeri i artit në atë qytet. Ai quhej Tahsin Demiraj. Ishte biri i një nacionalisti nga Kuçi i Vlorës i quajtur Xhemil Demiraj. Ky njeri kishte studiuar në Akademinë Ushtarake të Modena-s në Itali, në Firence, në Romë dhe së fundi në Gjermani për specializim të epërm në armën e xhandarmërisë. Pas mbarimit të këtyre studimeve e specializimeve i kishte shërbyer shtetit shqiptar të para 1944-s. Pikërisht pse i kishte shërbyer shtetit të atëhershëm shqiptar, – dhe ai shtet atëhere kishte nevojë më tepër se kurrë – e dënojnë me burg të gjatë. Kështu i trajtonte komunizmi njerëzit që kishin kulturë të lartë perëndimore! Pra, duke qenë biri i këtij oficeri, Tahsin Demiraj përjetoi, edhe ai, odisenë e tij. Pas dhjetë vitesh punë në Estradën e Lushnjës e pushojnë si biri i një nacionalisti që kish kaluar trembëdhjetë vite të jetës së tij në burgjet komuniste.
Pas viteve 1990 u njoha me Tahsinin e kur ia përmenda atë ndodhí mbeti i habitur; nuk i kujtohej. Pra, veprimi i tij karshi meje ishte shprehje e një shpirti të dëlirë e të vuajtur. Arrita në përfundimin se atë këshillë do t`ia kishte dhënë të parit njeri që do të ishte pranë tij e fati bëri që atë këshillë ta merrja unë.
Mbërrita në Durrës me atë autobuz dhe atë mbrëmje e bëmë të paharrueshme, bashkë me Xhevdetin dhe Fuatin. Të nesërmen, në qytet pashë me sytë e mi se çfar efekti bën një lajm i mirë, i pritur prej njëzet vitesh…