Mbrëmjet e qershorit zbresin mbi Tiranë me ajrin e nxehtë të verës dhe me një lloj ankthi që endet nëpër rrugë si një jehonë kohe. Dritat e bulevardit përzihen me valëvitjen e flamujve, me zërat e turmës dhe me frymëmarrjen e një brezi që kërkon të dëgjohet. Në këtë atmosferë të ndezur qytetare, ku shpresa dhe zemërimi ecin krah për krah, protesta ngjan jo thjesht si përplasje politike, por si një festival zgjimi, ku koha duket sikur kërkon të hapë një faqe të re për Shqipërinë.
Një festival i demokracisë, apo ulërimi e një urragani që s’ndalet?!
Një protestë e kthyer në ritual qytetar, tipike e një rinie të kulturuar, me sy të kthjellët dhe energji zgjimi.
Dhjetë ditë me radhë, mijëra qytetarë në rrugët e Tiranës dhe në gjithë hapësirën shqiptare, me një thirrje që jehon:
“Populli vendos!”
“Kryeministër, jep dorëheqje!”
Në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, te “Zogu i Zi”, në rrugicat e Tiranës, në Itali, Gjermani, Angli, SHBA e deri në Australi, valëvitet flamuri kombëtar, ai amerikan, flamuri i BE-së dhe i UÇK-së. Një ortek njerëzor që kërkon drejtësi, liri dhe një Shqipëri tjetër.
Kjo protestë nuk ngjan me rrëmujat e zakonshme politike. Është një ushtrim qytetar i demokracisë. Një protestë e disiplinuar, me të rinj që kanë lindur pas ndryshimit të sistemit dhe që nuk e ndjejnë veten pjesë të Shqipërisë së kapur mes dy liderëve që nuk lëshojnë istikamin e pushtetit.
Ndërkohë, Kryeministri flet gjatë në tubime, intervista e podkaste. Jep shpjegime, pranon zemërimin e qytetarëve për skena që tronditën opinionin publik, por nuk tërhiqet. Thotë se nuk e braktis anijen si kapiten dhe se Shqipërinë e sheh si një vend turistik elitar.
Por protesta nuk ndalet.
Ajo rritet çdo ditë.
Ka energjinë e një zgjimi.
Ka mallin për një Shqipëri të re.
Një sistem të ri, pa liderë të përjetshëm.
Dhe ndërsa analistë, zëra politikë e teori të ndryshme përpiqen ta zbehin apo ta etiketojnë me “infiltrime”, “agjentura” apo “luftë hibride”, ajo që mbetet e dukshme është tjetër gjë:
Një festival proteste.
Një zë qytetar që ka hyrë në histori. Një zë që po rebelohet.
Një ngjarje që do të lërë gjurmë në mendjet dhe zemrat e shqiptarëve.
Nexhbedin Basha

