Në dy botë, por me një zemër-Nga: Arjana Fetahu Gaba

Nga: Arjana Fetahu Gaba

Në Dy Botë, por me një Zemër

Të jesh emigrant do të thotë të mësosh të jetosh me shpirtin e ndarë dysh, duke mbajtur mbi supe një peshë që vetëm ai që e ka provuar mund ta kuptojë. Rrugëtimi i shqiptarëve nëpër botë nuk është thjesht një zhvendosje gjeografike; është një histori epike sakrifice, mundi dhe një lufte të përditshme për mbijetesë dhe dinjitet. Në çdo cep të globit ku frymon një shqiptar, ndërtohet një urë e padukshme dashurie dhe dhimbjeje që lidh tokën e huaj me tokën mëmë.

Asgjë nuk falet në emigrim. Çdo sukses, çdo shtëpi e ngritur dhe çdo e ardhme e siguruar për brezat që vijnë, është larë me djersë dhe me net të gjata pa gjumë. Megjithatë, lodhja fizike shpesh zbehet para misionit më të madh dhe më të vështirë që zhvillohet brenda mureve të shtëpisë: ruajtja e identitetit. Prindërit emigrantë janë rojet e heshtura të gjuhës dhe traditës. Mes një përditshmërie që flet në gjuhë të huaj, ata luftojnë me mish e me shpirt që fëmijët e tyre të mos e harrojnë prejardhjen, të flasin shqip dhe të rriten me krenarinë e gjakut të tyre. Kjo përpjekje nuk është thjesht edukim, është një akt rezistence kulturore dhe një dhuratë dashurie për rrënjët.

Në këtë rrugëtim, emigranti shoqërohet nga një ndjesi e hollë dhe e patregueshme vetmie: ndjenja e të qenit i huaj në të dy botët. Në vendin që i strehoi, ata mbeten gjithmonë ardhacakë, ndërsa kur kthehen në atdhe, shpesh ndiejnë një distancë të pashprehur nga ata që qëndruan. Ky dualitet rëndon në shpirt, por kurrë nuk e zbeh lidhjen me atdheun. Përkundrazi, atdheu nuk harrohet për asnjë çast; ai jetohet në çdo kujtim, në çdo këngë e në çdo rrahje zemre.

Prandaj, kjo sakrificë mbart me vete edhe një thirrje të fuqishme e të ndjerë drejtuar tokës mëmë: Atdhe, mos na harro! Mos i harro djemtë dhe vajzat e tu që ikën me trup, por mendjen dhe shpirtin e lanë në pragun e shtëpisë së vjetër. Kontributi, dhimbja dhe malli i emigrantëve nuk duhet të kthehen në statistika të ftohta, por të njihen si dëshmia më e pastër e një dashurie që asnjë oqean dhe asnjë distancë nuk e zbeh dot. Ne jemi degët e të njëjtës pemë, që ndonëse rritemi larg, ushqehemi nga e njëjta rrënjë.

Ne jemi ata që të duam me një dhimbje që nuk shuhet, që të kërkojmë në çdo pikë loti kur rrihet malli pas mureve të huaja. Edhe nëse bota na fal shkëlqimin e saj, sytë tanë mbeten të uritur për dritën tënde. Na mbaj në kujtesë, ashtu siç të mbajmë ne në çdo frymëmarrje, sepse ndonëse jemi degë të shpërndara nëpër stuhitë e botës, rrënjët tona lëngojnë dhe rrahin vetëm nën tokën tënde.

Ç'ti bëj tokës që rri pa mua

Ç'ti bëj tokës që rri pa mua,
Më pret nëna e s'duron dot më,
Zotit i lutet ti marrë ditë hua,
Por dhe mua malli nënë nuk më "nxë".

Ç'ti bëj shtëpisë që rri pa mua,
Sa dua në krahë hopa ta marr,
'Të ka harruarr" ç'farë po më thua,
Unë jam rrënja e thellë në "arrë".

Ç'ti bej detit që rri pa mua,
E kam në viset ku lashë babanë,
Atdheu një mall që kurrë s'mu shua,
Ndërkohë që kurbeti më poqi matanë.

Ç'ti bëj fatit që më mori mua,
E më hodhi si leckë tej oqeanit,
Une prap me atdheun jam mish e thua,
E do vdes bijë e vatanit.