Albert Z. Zholi

Nga brigjet e Strugës ku Drini këndon,
u ngrit një zë që zemrat pushton,
një zë që s’u përkul nga stuhia as moti,
por mbeti i shqiptarisë zëri dhe loti.
Në skenat e botës ai flakë u bë,
me fjalën e bukur që shpirtrat rrëmbeu,
si shqipe mbi male, si këngë mbi gur,
mban gjallë një komb krenar e plot nur.
Kur veshi përkrenaren e Kastriotit të madh,
u drodhën kujtimet e shekujve prapë,
Skënderbeu zbriti nga legjenda në jetë,
në zërin e tij që kumbonte si rrufe.
Në mërgim, ku malli shpesh bëhet plagë,
ai ndez shpresën si yll mbi prag,
u flet shqiptarëve për tokë e flamur,
për gjuhën e nënës, që s’harrohet kurrë.
Naimin e solli me zemër e zjarr,
si profet i poezisë në çdo altar,
dhe vargjet e tij, si burime në gur,
rrjedhin në shpirt si këngë flamur.
Nga Struga e lashtë në Vlorën e detit,
nga Shkupi në Krujë, në trojet e mbretit,
shpirti i tij s’njeh kufij e ndarje,
veç një Shqipëri në zemër e në vargje.
Atje ku shqipja merr frymë e jeton,
atje zemra e Xhevatit kudo këndon,
në Kosovë, në Çamëri, në Malësi,
në çdo vatër ku ndizet emri shqiptari.
I deshi luftëtarët e lirisë me nder,
siç do atdheun një bir besnik e i vlerë,
dhe kur errësira mbulonte horizontin,
ai mbrojti shpresën dhe dritën e kombit.
Sot emri i tij mbi skena rri,
si lis që sfidon erërat në stuhi,
se artisti vdes vetëm kur shuhet kujtimi,
por Xhevat Limani është vetë frymëzimi.
Prandaj këndo, o zë i maleve tona,
këndo për Shqipërinë e ëndrrat arbërore,
se në çdo fjalë që del nga zemra jote,
rreh një komb i tërë, një epokë e pashoqe.