
Një lexim artistiko-filozofik i poezisë së Armela Hysit
Nga Timo Mërkuri
Ka një gjë që të bie në sy që në leximin e parë të poezive të këtij cikli: Armela Hysi nuk e vështron dhimbjen nga larg. Ajo futet brenda saj. E prek me trup, e kalon nëpër kujtesë dhe pastaj e nxjerr në dritë si figurë poetike. Prandaj në këtë cikël vdekja nuk është vetëm vdekje, humbja nuk është vetëm humbje, ndërsa dashuria dhe dëshira nuk mbeten thjesht përvoja intime. Të gjitha kalojnë nëpër të njëjtin vend: njeriun kur i bien mbrojtjet.
Kjo është edhe arsyeja pse nuk do të ishte e drejtë t’i vendosnim këto poezi në një format të vetëm. Ato kanë një ndjeshmëri të dukshme postmoderniste, por brenda tyre lëvizin imazhe surrealiste dhe shpërthime ekspresioniste. Ka edhe një mënyrë imagjiniste të ndërtimit të vargut: një figurë e vetme, kur është e gjetur, mban mbi vete një pjesë të madhe të kuptimit. Në vend që të zgjedhë një rrymë dhe t’i bindet asaj, poetja duket sikur merr nga disa poetika atë që i nevojitet për ta thënë përvojën e saj.
Dhe kjo përzierje nuk është dobësi. Është një nga shenjat e individualitetit të këtij cikli.
1. Një nga veçoritë që e dallon këtë cikël poetik është edhe gjuha. Hysi nuk trembet nga përplasja e fjalëve që zakonisht nuk do t’i gjenim pranë njëra-tjetrës. “Narcisian”, “çipa”, “vektor”, “pentagram”, “pa-empatik”, “hemoglobinë” hyjnë në varg pa kërkuar leje nga fjalori tradicional poetik. Por ato nuk mbeten terma të huaj brenda poezisë. Në kontakt me emocionin, marrin një kuptim të ri. Kjo i jep vargut një nerv bashkëkohor dhe e largon nga lirizmi i zakonshëm. Poezia nuk kërkon të jetë vetëm e bukur; kërkon të jetë edhe e papritur.
2.“Dy ditët e fundit” është poezi për gjyshen, por mbi të gjitha është poezi për një jetë të tërë që, në prag të fundit, duket sikur kërkon të mblidhet në pak imazhe.Fytyra e saj nuk përshkruhet në mënyrë realiste. Ajo bëhet një peizazh i kohës:
“ca rrudha ngjyrë ndryshku
Mbi gërmadhat e rrufepritësit, ballit të saj”
Këtu kemi një nga tiparet më të bukura të poetikës së Hysit: trupi nuk është vetëm trup. Ai mban historinë e njeriut. Rrudha është kohë. Balli është një lloj peizazhi i rrënuar. Por kjo rrënojë nuk është pa dritë.
Gjyshja ruan ende kujtimet dhe, në çastin e fundit, duket sikur zgjedh prej tyre atë që do të marrë me vete:
“duke zgjedhur më të bukurin
Për t’i veshur atë çast
Syve të vet lundërtarë.”
“Syve lundërtarë” është një figurë që e ndryshon krejt kuptimin e vdekjes. Ajo nuk po zhytet vetëm në errësirë. Po niset. Pastaj vjen puthja:
“Si na puthi me duar të gjithëve
Bëri një shenjë të qetë”
Në këtë pikë poezia bëhet më e fortë pikërisht sepse hesht. Nuk ka nevojë për klithmë. Një gjest i vogël mban peshën e gjithë ndarjes.
Kjo poezi është ndoshta më pranë ekspresionizmit, për mënyrën si trupi deformohet dhe shndërrohet në peizazh emocional, por mënyra e ndërthurjes së kujtesës, imazhit dhe vdekjes e afron edhe me ndjeshmërinë postmoderne.
3.Nëse “Dy ditët e fundit” shkon drejt vdekjes, “E vërteta ime” shkon drejt një tjetër kufiri: kufirit mes asaj që jemi dhe asaj që na kanë mësuar të jemi. Poezia fillon me dyshimin:
“asgjë në fakt s’më thotë se është i tillë,
veç zakonit tim idiot
të mos dyshoj në atë që thonë të tjerët.”
Është një fillim që e vendos menjëherë problemin: e vërteta nuk është e sigurt. Njeriu mund të jetojë gjatë me një të vërtetë të huazuar.Pastaj vjen trupi.
“ndoshta
ato që kanë vërtetë faj janë rrobat”
Rrobat janë shumë më tepër se veshje. Janë turpi, norma, morali i imponuar, mënyra si shoqëria i thotë trupit se çfarë duhet të fshehë. Prandaj zhveshja bëhet një lloj rikthimi te vetja:
“unë pa to u linda
u rilinda mbi trupin e djersitur”
Këtu poezia merr një ngarkesë të fortë ekzistenciale. Të rilindësh do të thotë të heqësh nga vetja diçka që nuk të përket.Në fund, erotikja, lindja dhe vdekja futen në të njëjtin qark:
“me aromën e hemoglobinës
ndryshkur buzë vajëzimit të mbrëmjes.”
Kjo nuk është një poezi erotike në kuptimin e ngushtë. Është poezi për trupin si vend ku përplasen instinkti, morali dhe frika.
Këtu postmodernizmi ndihet më qartë: poetja nuk pranon kufirin tradicional mes trupit dhe mendimit, mes erotikes dhe filozofikes, mes së shenjtës dhe së ndaluarës.
4. Edhe titujt e poezive kanë një rol të veçantë në këtë poetikë. Ata shpesh nuk e hapin menjëherë kuptimin, por krijojnë një pritje që teksti më pas e përmbys ose e thellon. Titulli “Ç’plan makabër për një përshkrim ironik të Gogolit”, për shembull, tingëllon si një formulë ironike, gati si një shënim anësor, ndërsa poezia vetë shkon drejt një krisjeje të vetëdijes. Kështu titulli nuk është vetëm hyrje në tekst; Titulli “Ç’plan makabër për një përshkrim ironik të Gogolit” na çon menjëherë te një botë tjetër. Gogoli sjell ironinë, groteskun, absurditetin. Por poetja nuk e përdor si zbukurim kulturor. Ajo hyn në dialog me të dhe, në fund, e kthen vështrimin nga vetja.
“sa pak e paskam njohur veten”
Ky është çasti kur poezia ndryshon drejtim.Autobusi, rruga, qielli, rëra dhe patericat nuk janë thjesht objekte të një udhëtimi. Janë pjesë të një udhëtimi të brendshëm. Realiteti fillon të marrë formën e frikës.
“patericat më mbërthejnë
me bindjen e tyre se
këmbët e mia kobë-ndjellëse
s’kanë më hapa.”
Këtu kemi një figurë shumë karakteristike të ekspresionizmit: gjendja e brendshme e shtrembëron botën e jashtme.
Por poezia nuk mbaron te frika e rrëzimit. Mbaron te gjurmët që frika lë në trup:
“gjurmët e tyre të kuqe mbi lëkurën e nënkrahëve
damka kompleksesh të heshtura.”
Komplekset nuk janë më ndjenjë. Janë bërë shenjë fizike.
Është një poezi ku Gogoli, grotesku, ekspresionizmi dhe postmodernizmi takohen në të njëjtin vend: në krizën e identitetit.
5.“Po të mos ishte rëra” është ndoshta poezia më e thjeshtë në sipërfaqe dhe një nga më të thellat në simbolikë.Rëra është koha. Është harresa. Është ajo që nuk lejon asnjë gjurmë të mbetet gjatë.
“po të mos ishte rëra mbretëresha
nuk do të humbte.”
Fjala “mbretëreshë” e fut poezinë në një atmosferë përrallore. Por përralla është e errët. Kërkimi vazhdon dhe nuk sjell shpëtim.
Pastaj vjen:“u kthyem me horizontin e palosur ndër duar” duke sjellur një nga figurat më të goditura të ciklit.Horizonti, që është simbol i largësisë dhe i pafundësisë, bëhet diçka që mund të paloset. Është sikur kërkimi të ketë sjellë në fund vetëm një copëz të botës së humbur.
Edhe mbreti qan. Kjo e rrëzon përfundimisht idenë se pushteti mund ta mundë humbjen. Në këtë hapësirë të rërës të gjithë janë njësoj të pafuqishëm.
Poezia ka një damar të dukshëm surrealist: imazhi nuk i bindet logjikës së përditshme, por logjikës së ëndrrës dhe simbolit. Dhe pikërisht kjo i jep asaj forcën.
6. “Triptikë” ka një dramë të heshtur. Nuk ka skenë të madhe. Ka një dorë, një rrjedhë uji, një grua, një kamerier, një dritare dhe një derë. Por pas tyre fshihet vetmia.Uji bëhet një çast shpëtimi:
“i erdh’ të hynte e gjitha brenda
atij shatërvani mërmëritës”
Njeriu nuk kërkon më një përgjigje. Kërkon të tretet.
Pastaj shfaqet kamerieri me “rregulloren”. Ai është pjesë e një bote ku edhe përballë dhimbjes ekziston një sjellje standarde. Por poetja e kap shumë bukur atë çast kur formula sociale dështon:
“mbylli derën lyer me pa-empatik publik
pas vetes.”
Është një nga gjetjet më karakteristike të poezisë. Një term pothuajse administrativ, “pa-empatik”, kthehet në material me të cilin është lyer dera. Mungesa e ndjeshmërisë bëhet mur.
Dhe pastaj: “jashtë zbardhte me këste një psherëtimë” Agimi këtu nuk është triumf i dritës. Është një frymëmarrje e vështirë.
Kjo është një poezi tipike e ndjeshmërisë postmoderniste, sidomos në përplasjen e gjuhës së zakonshme me terminologjinë moderne, të ftohtë, dhe në kthimin e saj në figurë poetike.
7.Poezia e fundit është ndoshta më e dhimbshmja pikërisht sepse nuk kërkon të jetë e bukur.
“për vajzën 4-vjeçare që kaloi
natën pranë kufomës së të atit”
Këtu realiteti është më i fuqishëm se metafora.
Por Armela Hysi nuk kënaqet me rolin e dëshmitares. Ajo kthehet nga vetja:
“dhe për veten e pacipë
që dua të bëj një poezi interesante”
Kjo është një kthesë etike shumë e rëndësishme.Poetja e kupton rrezikun e vet: tragjedia e tjetrit mund të shndërrohet në material estetik. Dhe në vend që ta fshehë këtë konflikt, e vendos brenda poezisë.
Pikërisht këtu poezia bëhet më moderne. Ajo nuk pyet vetëm “çfarë ka ndodhur?”, por edhe “çfarë të drejte kam unë të shkruaj për atë që ka ndodhur?”.
Në fund mbetet një imazh:
“edhe flokët ende të lagur
të së bijës katër vjeçare”
Nuk ka koment. Nuk ka moralizim. Dhe është më mirë kështu.
Në këtë poezi postmodernizmi shfaqet në vetëdijen e poezisë për aktin e të shkruarit, ndërsa dimensioni ekspresionist është te goditja e drejtpërdrejtë e imazhit.
8. Në raport me poezinë shqipe, vlera e këtyre poezive nuk qëndron te temat që trajtojnë. Vdekja, dashuria, trupi, emigrimi, vetmia janë tema të vjetra. E veçanta kërkohet te mënyra e shikimit. Hysi nuk e vendos figurën poetike në shërbim të një ideje të gatshme. Shpesh ndodh e kundërta: është figura ajo që e shtyn mendimin të hapë një rrugë tjetër.
Një “horizont i palosur”, një agim që zbardh “me këste”, një derë e lyer me “pa-empatik publik” nuk janë vetëm gjetje të goditura. Ato tregojnë një përpjekje për ta çliruar poezinë nga mënyrat e konsumuara të të thënit. Këtu ndihet edhe një nga shenjat e postmodernes: poezia nuk trembet nga përplasja e regjistrave, nga futja e fjalës teknike pranë asaj intime, nga bashkëjetesa e ironisë me dhimbjen.
Në këtë hapësirë postmoderniste lëvizin edhe dy damarë të tjerë të rëndësishëm të poetikës së Hysit. Surrealizmi i jep figurës lirinë për të kapërcyer logjikën e zakonshme: horizonti paloset, rëra humb mbretëreshën, agimi psherëtin. Ekspresionizmi, nga ana tjetër, e ngarkon trupin me tronditjen e brendshme: rrudhat bëhen gërmadha, patericat kthehen në kërcënim, ndërsa komplekset lënë gjurmë mbi lëkurë.
Por këto etiketa, sado të dobishme për ta orientuar leximin, nuk e shpjegojnë të gjithë poezinë e saj. Pas tyre qëndron një zë që ka më shumë interes për njeriun sesa për klasifikimin.
9. Në fund mbetet njeriu Kjo është ajo që i bashkon këto poezi.
Gjyshja që largohet. Gruaja që kërkon një të vërtetë përtej rrobave. Njeriu që zbulon se nuk e ka njohur veten. Mbretëresha që humbet në rërë. Gruaja përballë një bote pa empati. Fëmija që kalon natën pranë trupit të të atit. Gjashtë pamje të ndryshme, por në të gjitha është i njëjti njeri: i brishtë, i pambrojtur dhe në kërkim të një kuptimi përballë asaj që nuk mund ta ndalë.
Prandaj ky cikël nuk mbetet thjesht një varg poezish të veçuara. Ai krijon një botë të vetën, ku trupi kujton, sendet marrin peshën e dhimbjes, hapësirat flasin dhe heshtja, herë-herë, thotë më shumë se fjala.
Ndoshta për këtë arsye “Dy ditët e fundit” mund të lexohet si një çelës i fshehtë i gjithë ciklit:
“duke zgjedhur më të bukurin
Për t’i veshur atë çast
Syve të vet lundërtarë.”
Në prag të fundit, njeriu kërkon ende “më të bukurën”. Dhe kjo është ndoshta ajo që e mban poezinë gjallë: jo premtimi se mund ta shpëtojë njeriun nga vdekja, humbja apo dhimbja, por mundësia për t’u dhënë atyre një formë që nuk zhduket bashkë me çastin.
Te Armela Hysi ajo formë është e errët, e çuditshme, herë e ashpër dhe herë e butë. Por pas rërës, ujit, trupit, Gogolit, emigrantit dhe gjyshes mbetet një e vërtetë e thjeshtë: njeriu që kërkon të mos humbasë krejtësisht.
Sarandë, gusht 2026
DY DITËT E FUNDIT
Gjyshes
Ligështia bëri një rrotullim të plotë
Narcisian rreth vetes,
Duke u kthyer sërish
Në formën e ca rrudhave ngjyrë ndryshku
Mbi gërmadhat e rrufepritësit, ballit të saj,
Ku rrezet thitheshin si prej një trupi
Të errët me kënde të pjerrëta.
Qe një pirg me kocka të mallëngjyera
Monumentale.
Në ato dy, njëzet e katër njësi shekullore
Përpjesëtimesh, ajo kish kaluar disa herë e nemitur,
Buzëqeshjet e fjetura në çipat e buzëve
Mbushur në ca valixhe të stërhapura me copëza
Qielli, në portën e lemerisshme të vdekjes.
Ndriçimi farkëtues i kishte mbetur
Në vesën e lotët të rrudhnajës rrëzë
Tëmthave.
Si dikur nuse, paja,
Me qëndisje ledhatuese gugatjesh
I kishte prirë hapave të saj tantellëbardhë,
Përcolli gjithë grimthat krahëprera
Të kujtimeve, duke zgjedhur më të bukurin
Për t’i veshur atë çast
Syve të vet lundërtarë.
Si na puthi me duar të gjithëve
Bëri një shenjë të qetë
Me kokën e thinjur të mjekut
Që u lëkund në hapësirën ngadhënjyese
Të ngashërimave fluturake të dhomës.
Qershor 2002
* Shkëputur nga libri “Amazonë prej reje“
E VËRTETA IME
i ngjan asaj shpellës së pafund
në tufanin vorbullues të mllefit
drejt qiellit,
asgjë në fakt s’më thotë se është i tillë,
veç zakonit tim idiot
të mos dyshoj në atë që thonë të tjerët.
nuk di ç’dhemb më shumë,
ndërmjet dyshimit të vërtetës dhe mospërfilljes,
mjegull zë vend butë
si një puthje e harruar një pasdite të lagësht
mbi stolin e mardhur të pritjes pa emër.
ndoshta
ato që kanë vërtetë faj janë rrobat,
fillimi i turpit
i mëkatit të zhveshjes dhe zbulimit të mishit,
e pra, unë pa to u linda
u rilinda mbi trupin e djersitur,
tretjeve të papagëzuara nga hipokrizia
linda fëmijën tënd
dhe s’do të kishte epshe pa rrobat
as ekspedita të lagështa
mbi krateret e paeksploruara të vdekjes,
veç stina e thatë e shumëzimit
me aromën e hemoglobinës
ndryshkur buzë vajëzimit të mbrëmjes.
Qershor 2004
*Shkëputur nga libri “Ndoshta“
Ç’PLAN MAKABËR PËR NJË
PËRSHKRIM IRONIK TË GOGOLIT
gjethnajë e brejtur ku krahasime
banale të rinjsh romantikë
varen si cerga të çngjyrosura.
degët gjatoshe me nyje kryeneçe
shtrihen mbi rrugë mes nesh
dhe diellit.
të kulluara bekimet rrëshqasin
me çmimin e shtuar të dorës së dytë.
ca re të dremitura
trishtimit të zgjatur të pentagramit
janë sy të plotë fëmije
buzë një udhe të tjerrur
nga furkë e lashtë e legjendës.
vetvetja ime e çdo momenti
ulur mbi ëndrrat e të ikurve
në këtë autobus të gjatë. patericat
mbështetur brinjëve të ciflosura të qiellit
që hyn i mjerë
nga tejdukshmëria e kufizuar e syve.
sa pak e paskam njohur veten
tej buzëqeshjes së harruar në
grimthat rrokullisëse të rërës
konit të epërm në qelqin e orës.
patericat më mbërthejnë
me bindjen e tyre se
këmbët e mia kobë-ndjellëse
s’kanë më hapa.
të vdekura pa mua ushqehen
me frikën time të rrëzimit
ngrohin metalin e pangjyrtë mishit tim
të zhveshur.
gjurmët e tyre të kuqe mbi lëkurën e nënkrahëve
damka kompleksesh të heshtura.
Prill 2005
Shkëputur nga libri “Ujdhesës së përrallës tënde“
PO TË MOS ISHTE RËRA
I
po të mos ishte rëra mbretëresha
nuk do të humbte.
kërkonim kuturu.
flokët e derdhur që sollën natën
i mbuluan nga pas gjurmët.
pishtarët na kishin djegur gjymtyrët
vazhdonim të shkërmoqnim dunat
tallaz i nxehtë fshikullonte fytyrat
dhe shpresën tonë.
u kthyem me horizontin të palosur ndër duar
mbreti u ngashërye mbi të
para se ta ndrynte në sëndukun e saj të vjetër
në kullën me gjërat e humbura.
Maj 2007
*Shkëputur nga libri “Po të mos ishte rëra”
5.
“një rosë në Shën Elenë
me një Napoleon të gatuar
me portokaj”
Jacques Prevert (poezia “Korteu”)
Triptikë
tendenca e dobët e lëngut rrjedhës mbi
lëkurën e dorës
ishte përkëdhelja që kishte dëshiruar
tërë atë mbrëmje të gjatë
tej pavëmendjes që i kishte mpirë shqisat
që e kishte kthyer
në një zhuzhak
të trembur
mbyllur shtrëngueshëm
në bulat e grushtit të padukshëm.
currila e ujit iu dukë e ngrohtë
e i solli një krisje të përgjumur zbehtake
mëdyshjes së akët që e rrethonte
aureolë prej qelqi të shkrirë
që i ngathtësonte lëvizjet.
i erdh’ të hynte e gjitha brenda
atij shatërvani mërmëritës dhome
të tkurrej në një nga degëzat e koraleve
ngjitur buzëve qeramike
a të rridhte si një vektor kah-bjerrë harresës.
*** *** ***
kamerieri shoqërues u mat të
thoshte diçka standarde mbi rregulloren
por rimeli që nxinte bulëzën zbaruese
të zhurmërishtes memece poshtë qerpikut
ia nduku brenda gllënjkës së kapërcyer fjalët.
mori me falënderim të nojmët bakshishin
që zgjati fytyra sy-mbërthyer dritares së terrur
(ngjyra e tij e palosur e bëri
të ndiente më respekt për dhimbjen e saj)
dhe mbylli derën lyer me pa-empatik publik
pas vetes.
*** *** ***
jashtë zbardhte me këste një psherëtimë
Maj 2011
*Shkëputur nga libri Agsholi i vjelë dhe flurudha shkëputjesh inerte
6.
për emigrantin (që
s’i mësova emrin)
në brigjet e Evros
për vajzën 4- vjeçare që kaloi
natën pranë kufomës së të atit
dhe për veten e pacipë
që dua të bëj një poezi interesante
shkruar me gisht në xhamin e retinës
së të vdekurit
ndërresat brenda thesit me grimtha
foljesh në kohët e ndryshme të sintaksës
që mbante pas shpine
gazetarët thanë se qenë të sistemuara
kujdesshëm.
edhe flokët ende të lagur
të së bijës katër vjeçare
29 korrik 2015
*Shkëputur nga libri Agsholi i vjelë dhe flurudha shkëputjesh inerte
Marrë nga ObserverKult 03/11/2023
