Në qarkullimin e gjakut të Atdheut të munguar-Olimbi Dafa

Olimbi Dafa

Në qarkullimin e gjakut të Atdheut të munguar

Jam unë emigranti i dëshpëruar,
që ëndrrat më ngelën pezull në emigrim,
e dielli që s’më ngrohë
ia shton vlerat shpirtit të Atdheut tim.

Eca me zemër të ngrirë
drejt shtigjeve të panjohura
dhe etjes për të njohur atë botë,
por njoha zhgënjimin dhe dhimbjen e fortë.

Dashurinë e atdheut e mora me vete
dhe e mbajta thellë të ndezur në gji,
se ajo zbut dhimbjen time, ndaj flet,
se zhgënjimi dhemb dhe e vërteta vret.

Të flasësh atje ku s’të kuptojnë
është fatkeqësi.
Të flasësh atje ku bëjnë sikur të dëgjojnë
është e dhimbshme.

E veten e ndjej jetim, pa atdhe e pa njeri,
ndaj në vendin që lashë do të vij përsëri.

Atdhe! Në transparencën e syve të tu
shoh një dashuri të çiltër, të pastër,
që rrezaton atë buzëqeshje të ngrohtë,
ndaj këtij emigracioni s’po i përballoj dot.

Ti ke një zemër të mirë, të bukur, atdhe.
Një zemër e bukur buzëqesh pa thënë fjalë
e unë sinqeritetin e saj e kuptoj,
që arrin edhe përtej lotit të depërtojë.

Dua të kthehem, se sa bie për të fjetur
s’jam i qetë, se në vesh më vjen zëri i
fuqishëm i Atdheut tim që më thërret.

Edhe unë dua të thërras:
Mos e lini vendin tuaj,
se është vendi më i bukur që duhet vlerësuar!
Që të mos bëheni gjak i Atdheut të munguar.

Krenohem me ty, atdhe,
se me syrin e mendjes më mësove
që të jem me shpirt atdhetar
dhe kur më pyesin: “Si e ke emrin?”,
unë me krenari u them se jam shqiptar.

Sa vlerë ka ai vend që lamë!
Duhet të jesh larg për ta kuptuar
se çfarë bukurie dhe ëmbëlsie
ka për veshët fjala Shqipëri.

Malli i atdheut tim më dhemb,
që është pasthirrma e fatkeqësive,
që frymon në shpirtin e shqiptarit,
e kjo dhimbje kthehet në lot
e ushqehet nga emigracioni,
që është gangrena më e madhe në botë.

Vargjet për ty, atdhe, janë një
diell, një dritë, një pranverë,
e zemra për ty më qan e më ther
kur shikoj emigrantët që derdhin
djersën e tyre për të tjerë.

Sa bukur flet shpirti juaj,
që shpalos vlera njerëzore
që nuk vdesin kurrë,
për atdheun tuaj e atë flamur.

Atdheut i qan zemra për
gjakun e tij endur nëpër botë,
ndaj ju bën thirrje: “Ejani!”, u thotë,
se madhështi tjetër ka vendi juaj
kur ju i dilni për zot.