Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj

Sot përulemi me respekt përpara figurës së Kapitenit të Rangut të Parë (L) Dr. Çapajev File, një personalitet i shquar i Forcave të Armatosura, një studiues i përkushtuar dhe një edukator i brezave të tërë detarësh shqiptarë.
Për 47 vite me radhë, ai i shërbeu Atdheut, nga të cilat 35 vite nën uniformë, duke mishëruar në çdo hap të jetës së tij përkushtimin, disiplinën dhe dashurinë për detin dhe për Shqipërinë. Si Doktor i Shkencave, pedagog dhe akademik, ai u bë një nga mendjet më të ndritura në fushën e strategjisë detare, të artit të luftës në det dhe të historisë ushtarake-detare.
Kontributi i tij nuk ishte thjesht individual – ai ishte një ndërtues shkollash mendimi. Për më shumë se dy dekada si pedagog në Shkollën e Lartë të Oficerëve të Flotës Detare dhe në Akademinë e Mbrojtjes, ai përgatiti dhe formoi profesionalisht e moralisht breza të tërë oficerësh. Mendimi i tij i thellë teorik u bë pjesë e dokumenteve doktrinore të Forcës Detare dhe ndikoi drejtpërdrejt në zhvillimin e saj në dekadat e fundit.
Veprimtaria shkencore e Dr. Çapajev Files është një trashëgimi e vyer. Dhjetëra studime, tekste dhe botime mbajnë vulën e dijes dhe përvojës së tij, duke u bërë udhërrëfyes për ata që i shërbejnë detit. Ai ishte ndër të paktët që arriti të ndërthurë në mënyrë të harmonishme përvojën praktike të lundruesit me kërkimin shkencor të thellë.
Por mbi të gjitha, ai ishte njeri. Një njeri i thjeshtë, i urtë, i drejtë dhe i sinqertë. Një pedagog që nuk kurseu asnjëherë dijen, një koleg që ndau përvojën me bujari, një drejtues që udhëhiqte me shembull. Ai mbeti gjithmonë i lidhur me natyrën, me vendlindjen dhe me vlerat më të mira njerëzore.
Për kontributin e tij të çmuar, ai u nderua me urdhra dhe medalje të shumta, ndër të cilat spikat “Medalja e Mirënjohjes”, dhënë për një karrierë të spikatur në shërbim të Forcës Detare dhe të vendit.
Sot, duke kujtuar Dr. Çapajev Filen, ne nuk kujtojmë vetëm një ushtarak të shquar, por një themelues, një pionier të shkencës së detarisë shqiptare. Një figurë që la gjurmë të pashlyeshme në historinë e Forcës Detare dhe në ndërgjegjen profesionale të atyre që patën fatin ta njohin.
Dhe ndoshta, për ta përmbledhur më mirë se çdo fjalë tjetër, i shkon për shtat ajo thënie e njohur: “Akademikët mendojnë shumë, shkruajnë pak dhe flasin sa më pak që të jetë e mundur.”
I tillë ishte Dr. Çapajev File. I tillë do të mbetet në kujtesën tonë.