4 NËNTOR 1944 – 4 NËNTOR 2026,82 – VJETORI I KONGRESIT TË PARË TË BGASH.

NËNË DUZE BAJRAMAJ, DELEGATE E KONGRESIT TË PARË TË BGASH, MBAJTUR MË 4 NËNTOR 1944 NË BERAT.
Midis 311 delegatëve të Kongresit të Parë të Bashkimit të Grave Antifashiste Shqiptare (BGASH), mbajtur në Berat më 4 nëntor 1944, ishte edhe Duze Bajramaj nga Kallarati, nëna e Heroit të Popullit Mumin Selami.
Kongresi i Parë i BGASH i bëri një analizë punës së kryer për realizimin e objektivave të LANÇ-it, u ndal në rolin dhe kontributin e gruas shqiptare, si një forcë e madhe aktive dhe përcaktoi detyrat që i dilnin BGASH pas çlirimit të vendit, për rindërtimin e Atdheut të shkatërruar nga lufta, për luftën kundër analfabetizmit e në përgjithësi për rritjen e rolit të gruas shqiptare në të gjitha fushat e jetës.
Ai i dha impulse të reja delegatëve të cilat do të përcilleshin në të gjithë masën e grave shqiptare për të realizuar detyrat e mëdha e të vështira. Mbas mbarimit të punimeve të Kongresit delegatët u ndanë me njëra-tjetrën me urimin “Mirupafshim në Shqipërinë e lirë”.
Vendimet e Kongresit qenë historike, ato i dhanë një impuls Luftës ANÇ; qytete e krahina vazhduan të çlirohen njëra pas tjetrës, nuk vonoi shumë dhe Shqipëria u çlirua më 29 nëntor 1944.
——————————————–
NËNË DUZJA (Duze Bajrami), (1890-1961). Veprimtare e shquar e gruas antifashiste, deputete.
Lindi në Bolenë, në familjen e Mingajve, dhe u martua në Kallarat me Selam Bajramin. Karakteri dhe shpirti luftarak i saj u sprovuan në LANÇ. Ajo jo vetëm nuk u thye nga humbja e djalit, Mumin Selamit, por u bë një veprimtare e shquar e LANÇ në Lumin e Vlorës, duke u kthyer në një simbol të gruas antifashiste e atdhetare. Krijoi në fshat organizatën e gruas antifashiste, u zgjodh anëtare e Këshillit Krahinor të Kurveleshit dhe të Qarkut të Gjirokastrës. Pjesëmarrëse në kongresin e parë të Gruas Antifashiste në Berat, deputete në Kuvendin Popullor në dy legjislatura.
U nda nga jeta më 31.05.1961.