“Passhpinët” -Boris Miska

Pjesë nga novela ‘Passhpinët’, Boris Miska.

“Burri i shkurtër me kapele e çantë zuri vend në sedilen e pasme të makinës për të mos u venë re nga askush gjatë rrugëtimit të shpejtë.

Ajo rrëshqiti me shpejtësi nëpër orët e vona të natës, doli në bulevardin kryesor dhe mori drejtimin për nga stacioni i trenit.

Trotuaret me rrugët e lagura nga bryma ishin pothuajse të zbrazura, qyteti i lodhur nga dita po bënte gjumin e vet të përnatshëm.

Deri tek reparti 313-të, burgu që ndodhej pas godinës së arkivit të shtetit, u deshën pak më shumë se pesë minuta për të mbërritur.

Me të dëgjuar zhurmën e makinës porta e rëndë prej llamarine u hap prej oficerit civil në dy kanatat e saj. Kjo bëhej sa herë ministri i brendshëm vinte në ato orë të vona pas mesnate.

Ai ngjitej në katin e dytë ku ishin konservuar të gjithë të arrestuarit pas ngjarjeve të fund dhjetorit të tetëdhjetë e njëshit.

Projektorët që vëzhgonin hyrjen e burgut dhe llambat e ndriçimit të jashtëm fikeshin të gjitha. Gardianët zëvendësoheshin nga punonjës civil të armatosur, çdo gjë maskohej me kujdes për të mos rënë në sy.

Ministri i brendshëm me çantë në dorë u ndal në qelinë e parë djathtas, në korridorin e gjatë të katit të dytë, ku prej dy javësh mbahej i burgosur zyrtari i lartë që dikur mbante postin e tij.

Oficeri i shërbimit hapi derën e hekurt dhe ai pas dy hapash u gjend përballë ish-anëtarit me peshë të byrosë politike.

I arrestuari qëndronte i fiksuar pa lëvizur, lidhur këmbë e duar me pranga çeliku të trasha.

Urdhëroi oficerin ta lironte ish-ministrin e mbrojtjes nga metali i akullt dhe e ftoi të ulej në karrigen e vetme të asaj biruce.

Kur dera e hekurt u mbyll pas shpinës së tij, e ndjeu më shumë ftohtësinë dhe erë e rëndë të qelisë.

Gani Hazbiri, burrë i hollë me trup mesatar u përshfaq i lodhur dhe shumë nervoz.

Llampa e vetme me zbehtësin e ndriçimit i’a shquante më shumë rrudhat e portretit dhe faqet e futura nga halli e mundimi.

Hunda e hollë dukej më e gjatë, baluket i ishin rrëzuar mbi anën e majtë.

Vuri dorën tek flokët e vet, i ngriti me gishta në drejtim përpjetë dhe u ul në karrigen që sapo i’a kishte afruar burri i shkurtër që e kishte zëvendësuar.

Ministri i brendshëm nxori nga çanta disa letra dhe i zgjati duke i bërë me gisht që t’i shikonte.

Ndezi një cigare, të cilën e pinte shumë sipërfaqësisht pa e thithur në mushkëri. Pas kësaj filloi të bënte disa hapa ngadalë rreth ish-ministrit që nguti të lexonte me sforcim nga ndriçimi i zbehtë letrat e sapo kapura në dorë.

Syzet e tradhëtonin, i rrëshqisnin në hundë nga djersitja, ndaj herë pas here i ngrinte më lart.

Dergjur në karrige, nga rrjeshtat e para që lexoi kuptoi menjëherë se ajo i drejtohej Komandantit, ose më qartë ishte një letër qe atij po i kërkonin t’ia postonte ‘udhëheqësit kryesor’.

Ky etiketim formulë përdorej në të gjitha proceset zyrtare të hetimit e gjykimit, asnjëherë nuk lejohej të shkruhej emri i vërtetë.

Duart filluan t’i dridheshin më shumë nga tensionimi, ndërsa mbi fletën e bardhë i kalonte hija e ministrit të shkurtër që vërtitej me hapa të ngadaltë rreth karriges së tij.

Ndërsa sytë i’u fiksuan mbi fjalën e mbylljes koka filloi t’i rëndohej e fletët mezi po i mbante në dorë, pas pak i ndali tek gjunjtë e mbledhur.

-Me respekt, i arrestuari Gani Hazbiri, 1 nëntor 1982, kaloi shikimin mbi rrjeshtin e fundit.

-E kuptove, e pyeti ministri i brendshëm sapo vuri re që letrat ndalën në prehërin e të burgosurit.

-Po, i’a ktheu me zërin e fikur që dukej sikur i vinte nga fundi i humnerës ku kishte përfunduar.

-Atëhere që mos komplikohen më shumë gjërat duhet ta kopjosh këtë letër fjalë për fjalë me shkrimin tënd.

-Rrjesht për rrjesht, i përsëriti me ngulm fare pranë fytyrës së trishtuar.

Pa pritur dakortësinë prej tij, ministri i brendshëm hapi sërisht çantën e madhe që nuk e lëshonte nga dora dhe mbi tavolinën e fiksuar në cep të qelisë vendosi stilolapsin, ca fletë të bardha dhe një zarf të hapur.

-Ja ku i ke, penën, letrat dhe zarfin.

-Pasi ta kopjosh futi vetë në zarf, mbylle dhe shkruaj mbi të me gërma të mëdhaja:

‘Vetëm për shokun Komandant’

-Dakort, për atë dhe gishtin e ngriti drejtë tavanit të nxirë të qelisë.

-Letrën do vij ta marri hetuesi yt nesër në mëngjes, askujt tjetër, ai e di mirë se çfarë duhet të bëj.

-E ‘poston’ pa merak, ironizoi!

-Nuk i ke harruar besoj këto procedura s’e i ke praktikuar me armiqtë e partisë që tani përfunduan atje ku kërkuan të arrinin, po të presin krahë hapur t’u shkosh për shoqëri.

Nënqeshi me shprehjen e vet, i’a nguli sytë ish-ministrit të mbrojtjes, dikur ministër i brendshëm, për t’i lënë të kuptojë se tani të erdhi radha ty.

Ish-zyrtari i lartë tentoi të thoshte diçka, mundet të ishte kundërshti, por nuk arriti të ngrihej dot nga pafuqia e rënë përtokë.

-Më dëgjo me kujdes, i foli burri i shkurtër, sikur ta kishte pikasur reagimin e tij kundërshtues.

Ju afrua akoma më pranë fytyrës aq sa edhe frymën po i’a ndjente në hundë.

-Në rast se nesër në mëngjes hetuesi nuk e sjell në zyrën time zarfin me letrën e kopjuar nga ti, atëhere bëji hesapet mirë.

-Koka do të fluturojë ty me ç’ke pas, me soj e sorollop.

Kërcitjet e dhëmbëve për t’i bërë më të besueshme i shoqëroi me tundjen e gishtit para fytyrës së mpirë të njeriut pa shpresë.

Veç fletëve mbi gjunjë e kokës së varur, tani ish-ministrit i ishin këputur edhe shpresat me krahët e rrëzuara poshtë karriges.

Zëri i ishte gremisur thellë aty në honet e tmerrshme të cilat fatkeqësisht i njihte mirë, sepse kohë më parë pati kryer vetë po ato që tani të tjerë po bënin me të.

Nuk e kishte menduar fundin t’i qasej kaq shpejt!

Brenda disa muajsh çdo gjë ishte rrënuar ditë pas dite si një pirg dherash që ai s’pati më fuqi t’i ndalonte.

Ndoqi me sytë e gremisuar hijen e ministrit të brendshëm që u fshi vjedhurazi pas portës së hekurt.

Dëgjoi të porosiste me zë të ulët civilin tek dera që të mos e prangoste të burgosurin, por pa i’a ndarë sytë nga penxherja e vogël për asnjë moment kur ai do shkruante, pastaj ta lidhte sërish siç e gjeti.

Kërcitja e llozit të derës dhe mbyllja e saj me drynin nga jashtë e prenë si sharrë mbi fyt.

Ato klithje të njëpasnjëshme të shulave i ngjanë si thika të ngulura në trup, rituale të frikshme që përsëriteshin gjithnjë e më larg derisa mbyllej mekanizmi i fundit metalik.

Çdo gjë në qelinë e errët u kthye në heshtje.

Hodhi sytë mbi tavolinën ku e prisnin sendet e sapo lënë nga pasardhësi i tij.

Për një çast ndjeu nevojën e rrëfimit, por si mund ta kryente, kujt do i drejtohej!

Kishte një jetë të tërë që punonte në shërbim të pushtetit, i rrezikuar në çdo moment nga grupe, klane e interesa nga më të ndryshmet, brenda e jashtë vendit.

Rrokullisjet e muajve të fundit e patën futur në pendim për besimin që i kishte dhënë njeriut të sapo larguar si hije, sidomos Remzi Aliut, inati e pamundësia për të reaguar po e gërryenin nga brenda.

-Tryelat, mërmëriti ndër dhëmbët e shtrënguar.

Ish tunduar nga oferta e postit të lartë të kryeministrit që tinzarët i kishin afruar kur patën filluar së bashku goditjen ndaj numërit dy të shtetit.

Tashmë ishte vonë, ndodhej i izoluar në qelinë e errët me shpresë të shterruar, pa asnjë rrugëdalje.

Prej përfshirjes nëpër ingranazhet e intrigave ndaj kryeministrit e pati humbur përkrahjen dhe besimin e Komandantit.

Ai nuk i’a kishte falur mos sinqeritetin, sepse nuk pati asnjëherë kurajon t’ia thoshte të vërtetën, me besimin e kotur se mund të shpëtonte diçka.

Ktheu kokën sërish nga tavolina ku e prisnin letrat, zarfi dhe stilolapsi.

Guximi i ardhur atë çast për t’i shkruar ai vetë ‘udhëheqësit kryesor’ i’u gremis menjëherë mbi dyshemen e ftohtë, sapo në qeli i kumbuan sërish në veshë fjalët paralajmëruese të ministrit të brendshëm.

Edhe sikur të guxonte ta bënte ai e dinte fare mirë se rrëfimi i tij nuk do të kishte as shansin më të vogël të binte në duart e drejtuesit të lartë.

Sa letra me përgjerim kishte djegur ai vetë kur drejtonte proceset!

Hija e fshehur pas portës së qelisë për një çast i’u bë se ishte sërish e tij.

Ai i dukej se po qëndronte ende aty pa levizur, nga e çara poshtë hyri një zë me skërrmitje ndër dhëmbë.

-Sakën seeee…oshëtiu qelia dhe një hije si gisht u shfaq fantazëm në muret e ftohta.

-Koka do të fluturoj ty megjithë ç’ke passss…!

Jehona e kërcënimit vijoi të përhapej frikshëm si valë murë më murë në birucën e akullt.

I tronditur zuri veshët me duar, ndenji gjatë ashtu me kokën varur poshtë mbi çimento.

Nuk kishte rrugë tjetër, ndaj mblodhi ato pak forca që i kishin mbetur dhe u dorëzua mbi tavolinë me takëmet e servirura përpara.

Shkruante ngadalë me sytë e picërruar nga ndriçimi i pakët mbi fletët e bardha. Rënkimin e stilolapsit që zvarritej rrjesht pas rrjeshti, e ndërpriste herë pas herë refreni i shikimit të syve te oficerit tek kuadrati i vogel dhe hapat e shkurtra që hidhte pas asaj dere ferri”.( Vijon).