“O Zot, a më dëgjon?”-Melisa Baboci

Melisa Baboci

“O ZOT, A MË DËGJON?”
(Baladë)

1

O Zot, ku mbeti drita,
që dikur ma fale Ti?
Sot ec zbathur nëpër hije,
si një shpirt pa shtëpi.

Mbi supe mbaj një mal,
që askush nuk ma sheh,
dhe çdo hap që hedh në tokë,
më duket sikur vdes.

2

Çdo natë të thërras në heshtje,
por më përgjigjet veç era,
ajo m’i numëron lotët,
si gjethet që bien nga vera.

Kam folur me muret e ftohta,
kam pyetur edhe hënën,
por askush s’ma ktheu fjalën,
veç heshtja hapi derën.

3

Nëse lutja ime ngjitet,
deri lart në qiellin Tënd,
mos më lër në këtë terr,
ku më është thinjur zemra.

Merri plagët që më dogjën,
merri netët pa agim,
se njeriu vdes përditë,
kur i shuhet çdo besim.

4

Dhe në fund e kuptova,
nuk kërkoja fundin tim,
por kërkoja fundin e dhimbjes
që më treti shpirtin tim.

Sepse vdes i gjalli brenda,
kur nuk ka më asnjë zë,
prandaj ruajeni njëri-tjetrin…
se një zemër nuk bërtet gjithmonë.

Melisa_Poetry