Pamflet flamingor…!Emi Krosi

Emi Krosi

E para ishte fjala. Fjala mban peshën e kryqit të secilit prej nesh. Dhe fjalët kryqëzohen në honin e teposhtës ose të përpjetës, ku varen si “çengeli” nga sqepi i propagandës në çdo cep të Albanistanit apo Absurdistanit, duke kuptuar sesa më i madh, më i rëndë, më mëkatar është “kryqi i fjalës” aq më shumë arristivë dhe zemërnxirë “verbojnë” diellin e dielltë korrikian mesdhetar.

-“Revolucioni flamingo”, zbuloj gjithë hapsirat e ngushta mendore, të njëmendësisë së urrejtjes me etiketime fluturakësh të lirë korbave/bibave/ sorrave, që ushqehen me kërma, me vemje, me minj dhe zvarranikë, duke “pastruar mbeturinat sorroiane” në mexhilisin tonë katunarosociofacebukist.

-Flamingot, nxorrën vrerin, urrejtjen, bullizimin mes shqiptarëve, ashtu siç shkruante prof. Sami Repishti, shqiptari i kuq vs shqiptarit të bardhë, shqiptari i zi vs shqiptarit laraman, pra kundër njëri- tjetrit, a thua se ato zonjat delikate dhe zotërinjtë e “gjithëditur” nëpër studiot ku herë zbythen, siç thoshte prof. Tupja, u janë djersitur të pasmet, duke “provonuar” kulturë/tolerancë fetare/pranim të mendimit ndryshe, janë thjesht hipokrizi mediatike dhe ulëritëse.

-Flamingot,

nxorën nga vrimat dhe errësirat e shpirtrave tanë plot me merimanga, minjtë, bubuxhelat, akrepat, zvarranikët, urithët dhe çdo lloj specie që jeton nëntokë, përkundër forcës, qëndresës, shpirtit protestues të atyre që u derdhën në bulevard, sepse zemërimi i tyre u bë rrjedhë/ rrëke/lumë/ detë/oqean/ cunam dhe pastroj çdo rrëzë, skutë, cep, vrimë me “fshesën” e pakthyeshmërisë më kurrë prapa ku liria vringëlloj “shpatën e Diklomeut” mbi kokat e satrapëve hileqar që “vranë Zotin” , se këto zotvrarës, nuk janë Niçër por hiçër.

-Flamingot,

na treguan se çfarë hendeku ka mes klasave në Shqipëri, ku kanalet e zeza me rropullitë e urrejtjes ndaj shqiptarit të thjeshtë, që ka vetëm krahun e punës vs sahanlëpirësve/puthadorësat/spiunëve/hafijeve të djeshëm dhe të sotëm që predikojnë “paqe” por nuk njohin empatinë, ( se çështë empati/a)[empatia është aftësia për të kuptuar, ndjerë dhe parë botën nga këndvështrimi i një personi tjetër. Ajo përfshin vendosjen e vetes në pozicionin e tjetrit, përjetimin e emocioneve të ngjashme dhe shfaqjen e kujdesit ose dhembshurisë pa e gjykuar atë], e kuptojmë sesa larg njeriut dhe njerëzores jemi. Ata që predikojnë besim, por nuk njohin faljen, ata që predikojnë barazinë, por nuk njohin njerinë, ata që predikojnë

dashurinë, por njohin urrjetjen duke u maskuar si [-kuazi] kulturorët/atdhetarët/nacionalistët/ politikanët/intelektualët, por me “thikën dhe helmin” vjellin vrer kundër prishjes së “rehatisë” të disa kulltukofogëve që herë tërhiqen, herë heshtin, herë sulmojnë, herë dyshojmë, herë anohen, herë qendërzohen, herë hipotezojnë, po më pas? Kush do vijë? Ku do shkojmë? Kush do na prijë? Kush ju drejton! Kush ju financon!Kush jo organizon!Kush jeni JU, ( pra turma), kush?…kush…kush?! Ca hipotetikë nacionalatdhetarë, me parimin e mosekzistencës së tyre, ngatërrojnë algoritmin me armikun e brendshëm, me kukuvajka, bufa,vajtimtarë, laraska, korba, të shitur, tradhëtarë, grekë, sllavë, rusofilë, antiamerikanë, turko-arabo etj. etj. etj….

– Flamingot,

ndryshuan konceptin e mëvetësisë dhe Qenies, mes qenies “unë” , “ti” , “ne” dhe “ju” në mjedisin shqipfolës, ku klasa e pensionistëve “të urtët” dolën zbuluar me kartën e “kontributeve” ndaj shoqërisë, por me urrejtjen e “verbër” të kohës së heshtjes dhe sllavërimit ndaj pushtetit kur ata, nuk e zhbënë komunizmin as pas ’90-ës, kokëulur pranuan ca kacidhe; ( sepse pensionistët e ndershëm ata që punuan në ara, vreshta, në kooperativa, në ferma, fabrika dhe uzina me turne) kanë mbetur akoma të varfër dhe po aq të “dehur”, nga “propagandat vrasëse” sipas Hanan Arend, të ish demagogëve të marksizëm-leninizmit që ishin” kuadro” dhe mburren me shtypjen dhe mizoritë e tyre kundër sivëllezërve dhe simotrave.

-Flamingot,

panë ish drejtuesit e kupolës, ish spiunët e ( të shpërblyer për shërbimet e veçanta) të ca ushtarakëve që akoma “tundin dosjet si trofe” të heroizmit vllavrasës që nga ’41 e tëhu. Pra, “NE” TURMA/POPULL, jemi “humbësit”, pra jemi me Europën, që “ATA” e quanin kapitalisto- revizionisto- imperialisto -Anglo- Amerikan ( por sot janë amerikanizuar) dhe flamingot u sorosizuan/ u korbëzuan, ashtu si korbi i Alen Po-së.

-Flamingot,

nxorën jo vetëm llumin por dhe fekalet e Lanës, bashkë me “trimëritë” dhe “kërcënimet” e politikës plakë 35- vjeçare, duke rrjetizuar spiunët e rinj patronazhista me mesazhe dhe adresa “fake” në rrjetet sociale, si turma e klasës qeverisëse-neveritëse “skllavopronare” e çdo gjëje shqiptare, madje dhe kultura e librat janë bërë ” investitorë strategjikë” me mijëra shkronja e fjalë që ata leximtarët mendjehapur bashkë me “revolucionin” flamingo, janë tmerruar nga rebelimi spartakian i një populli të shtypur, të vjedhur dhe të varfëruar. Më kot mundohen, me falangat heshtathyer të shpërndajnë mjegullirën e “malit të Prometeut” të flijuar.

-Flamingot,

na dëftuan, se as “survejimi me syrin oruellian” kundër çdo shpirti të lirë që guxojnë të ndryshojnë realitetin, më parë duhet të ndryshojë mënyrën se si ai realitet social/kulturor/politik perceptohet sot.

-Flamingot,

na mësuan se kriza nuk është komunikim, por kriza është mosbesimi, që ka “turma”, që reflektoj ndaj qeverisjes mbi parimin e barazisë kundër “sëmundjes” POLITIKE,

duke ndërtuar gabimisht “BESËN”kundër kryemotivit/kryeironisë/kryeparadoksit/kryebrutalitetit të besëthyerjes së votuesit me KRYEFJALËN: RAMA JEPE DORËHEQJEN!

Simbolet/analogjitë/narrativat/imazhet/gjuha/slloganet/ janë herpes që djegin në gusht, se narrativat politike, rrëzohen nga realiteti i përditshmërisë së qytetarëve.

-Flamingot,

na mësuan se liria është “hapsirë boshe iluzive” ku njerëzit e palirë, duan ta mbushin atë hapsirë me ” dhunën” e rrjeteve sociale, që nëse nuk mendon si unë, ti je “armiku” im imagjinar, në vend që kalosh në faqen tjetër ose në krahun tjetër të rrugës, çmimi i njeriut është aq i lirë saqë turpi dhe barbaria, në këtë kohë, nuk njeh më vlera shpirtërore në shoqërinë tonë.

Është një trishtim tragjik!

Eshtë një dështim epik!

Ju faleminderit!

EMI KROSI, Tiranë, më 30 korrik 2026.

©Copyright EMI KROSI.