Paska Peja Festival të Letërsisë…Marigona Zekaj

Më bën të lumtur ky fakt. Si poete dhe si artdashëse, më gëzon çdo aktivitet që i jep hapësirë letërsisë, kulturës dhe krijuesve tanë. Por bashkë me gëzimin më lind edhe një pyetje: a ka pasur ftesë publike për të gjithë artdashësit dhe krijuesit e Rrethit të Pejës për këtë festival?

Apo pjesëmarrja është menduar vetëm për ata që janë ftuar individualisht?Nuk e them këtë për të krijuar përçarje, por sepse mendoj se një festival i letërsisë duhet të jetë një derë e hapur për krijuesit, veçanërisht për poetët dhe shkrimtarët e vendit. Emri “Festival i Letërsisë” ka jehonë të madhe dhe krijon pritshmëri te secili që merret me art e letërsi.

Unë, si poete e 7 vëllimeve poetike nga Peja, shpesh pyes veten se kujt duhet t’i drejtohem për të ditur se çfarë ndodh në kulturën e qytetit tim. Nuk po kërkoj privilegj, por hapësirë dhe informim të barabartë.

Në promovimin tim të parë të tri vëllimeve, pata fatin që tashmë i ndjeri z.Aver Husaj të më dërgonte në sallën e Kuvendit Komunal të Pejës. Për mua ishte një gjest i madh, sepse më dha ndjesinë se dikush nga vendi im po e shihte dhe po e vlerësonte punën time.

Prandaj sot, kur dëgjoj se Peja paska një Festival të Letërsisë, gëzohem, por edhe pyes

Ku janë poetët dhe shkrimtarët e Pejës?

A kanë të gjithë mundësi të jenë pjesë e tij?

A ka një derë ku mund të trokasim?

Kultura nuk duhet të jetë një rreth ku hyjnë vetëm ata që e dinë njëri-tjetrin. Ajo duhet të jetë një hapësirë ku secili krijues që ka diçka për të thënë, të paktën të ketë mundësinë të dëgjohet.

Sepse letërsia nuk pyet se kush të njeh.

Letërsia pyet se çfarë ke shkruar.

Me respekt Marigona Zekaj.