Penelopa-Robert Martiko

PENELOPA

S’ka këngë për atë që pret.
Askush s’i thur lavdi heshtjes.
Udhëtarët kthehen me rrudha në ballë,
por ata që mbeten
plaken brenda mendimeve.

Pritja s’është virtyt,
por zgjedhje e përditshme:
të mos ikësh,
as kur mendja shpërndahet
si tel i thyer në erë.

Natën shthuret pëlhura,
me gishta që dridhen mbi fijet e ftohta;
ditën fillohet nga e para,
nën peshën e syve që sodisin.

Dhe asnjë Odise
s’e kupton këtë lloj udhëtimi.