As në varrezat e fshatit s’na lanë vend prehje-Blerina Behari

As në varrezat e fshatit s’na lanë vend prehje

KRYEPLAKU I KRAHINËS MUHARREM BEJ SEFEDINI LAPARDHAJA (ÇIFLIKU)

Ajo varrezë ishte vetëm pesë minuta larg shtëpisë sonë, e dukshme për këdo që kalonte buzë rrugës. Mjaftonte një të prekur dore, një lëvizje e thjeshtë e kokës, për ta parë. Por për më shumë se dyzet vjet, askush nga fisi ynë nuk guxoi ta kthente syrin andej, e aq më pak të prehej aty. Ne kishim qenë bejlerë e fisnikë – dhe për këtë, regjimi na dënoi dyfish: për dyzet vjet me radhë nuk na lanë të varroseshim në varrezat e lagjes sonë, por na detyruan t’i çonim njerëzit tanë gjysmë ore larg, në një kodër tjetër.

Një shikim i vetëm drejt varreve tona të vjetra mund të interpretohej si akt rebelimi. Dhe ne kishim mësuar se rebelimi kushtonte shtrenjtë… derisa erdhën vitet ’90 dhe u kthyem përsëri atje ku kishim rrënjët.

​Ne nuk ishim një familje e zakonshme. Gjyshi im kishte drejtuar krahinën për dekada të tëra. Kryeplak që në moshën njëzetepesëvjeçare, ai e kishte mbajtur atë post me nder e drejtësi. Njerëzit vinin tek ai për çdo gjë: për mosmarrëveshje, për këshilla, për drejtësi. Fjala e tij ishte ligj. Por pikërisht ky autoritet i dikurshëm u bë mallkimi ynë kur komunizmi mori pushtetin.

​Kur isha e vogël, e pyesja shpesh tim atë për gjyshin. Me kureshtjen e pafajshme të fëmijës që kërkon të dijë rrënjët e veta, e pyesja për pamjen e tij, për karakterin, për jetën. Por përgjigjja e tij ishte gjithmonë e prerë:

-Nuk e mbaj mend.

-Ku e ka varrin gjyshi?

Të shkoj ta vizitoj? – i thosha.

-Nuk e mbaj mend…

Është atje, në varreza, – përgjigjej ai, por dora e tij nuk lëvizte kurrë për të treguar drejtimin.

-Sa vjeç ishe kur vdiq gjyshi?

– Dymbëdhjetë.

– Si nuk e mban mend babanë tënd?

​Pyetjet e mia mbeteshin pa përgjigje, dhe heshtja bëhej mburoja e padukshme e asaj të vërtete të dhimbshme që fshihej brenda shpirtit të tij.

​I pyesja edhe xhaxhallarët, por ata bënin të paditurin.

Ulur rreth sofrës, me fytyra të lodhura nga puna dhe sy të trishtuar, shkëmbenin vetëm shikime me njëri-tjetrin, një gjuhë sekrete që unë nuk e kuptoja. Shkoja te gjyshja, por ajo thjesht më largonte:

“Ik, se po më dhemb koka!”

Dhe unë ikja, ndërkohë që pyetjet e mia mbeteshin jetime pa përgjigje.

​Prapa kësaj heshtjeje fshihej një histori e trishtë që askush nuk guxonte ta përmendte. Gjyshi im kishte ndërruar jetë në vitin 1945, por vdekja e tij nuk e shpëtoi nga mllefi i kohës.

Në vitin 1946, kur u shpall reforma agrare, regjimi donte të tregonte forcën me çdo kusht. Komunistët dhe servilët e tyre e nxorën gjyshin në fletërrufe në mes të fshatit: një karikaturë e varur mbi një kalë, me kokë poshtë, sikur ai të ishte gjallë dhe po protestonte kundër kooperativës. Ishte një absurditet i pashembullt – “Çifligarët “, fisi im nuk donin të futeshin në kooperativë, e ndoshta edhe gjyshi po të ishte gjallë nuk do të donte, por ai kishte vdekur prej një viti!

Nga varri, ai nuk mund të fliste, ndaj regjimi vendosi të fliste në vend të tij përmes poshtërimit publik. Kishin arritur ta dënonin dhe ta poshtëronin një njeri që kishte kohë që kishte mbyllur sytë.

​Për vite me radhë, emri i tij u bë tabu.

Më vonë, pasi dhimbja dhe guximi u bënë bashkë, im atë dhe xhaxhallarët u detyruan të shkonin e të ankoheshin në Komitetin e Partisë për të kërkuar heqjen e asaj fletërrufeje për një njeri që kishte ndërruar jetë para një viti.

A kundërshtonte dot një i vdekur? Vetëm pasi u ankuan atje, ajo u hoq.

​Ironia e kohës ishte se ndërsa regjimi e shënjestronte, njerëzit e thjeshtë e mbanin mend ndryshe. Ai kishte ndihmuar këdo pa dallim – edhe partizanë, edhe ballistë, duke strehuar të plagosur dhe shpëtuar jetë.

Ideali i tij ishte lufta kundër pushtuesve,por për pushtetin e ri, fakti që ai kishte qenë fisnik dhe kryeplak përbënte një krim të pafalshëm.

​Vite të tëra kaluan kështu, derisa koha filloi të ndryshonte. Gjyshja jonë vdiq pa e prekur lirinë, e mbytur nga hallet dhe frika e një jete nën terror.

​Kur u kthyem nga varrezat dhe po kryenim ritualet e zakonshme në oborr, im atë u drejtua nga ne dhe tha papritur:

– A vajtët te babai im?

U shtangëm të gjithë, duke e parë të habitur.

– Po ne nuk e dimë varrin! Nuk na the kurrë se ku ishte!

As xhaxhallarët, askush nuk na tregoi ndonjëherë!

​Në sytë e tij pashë diçka që s’e kisha parë kurrë: krenari dhe dhimbje gjysmëshekullore. Atë ditë kuptova se frika nuk kishte qenë vetëm e xhaxhallarëve apo e gjyshes; ajo kishte qenë një mur i padukshëm që e kishim mbajtur të ndërtuar brenda nesh gjithë jetën.

Ata i druheshin dipkaje tjetër më të frikshme që nuk guxonin ta shprehnin

​Kur koha ndryshoi përfundimisht dhe erdhi demokracia , im atë filloi të fliste. Shkuam së bashku në ato varreza të harruara, pesë minuta larg shtëpisë. I shkulëm ferrat dhe gjembat që kishin mbuluar gurin e tij – sikur vetë natyra të kishte dashur t’ia fshinte gjurmët nga faqja e dheut. Sot ai ka një qivur.

Mund të shkojmë atje, të ndalemi pa frikë dhe t’ia theksojmë emrin me zë të lartë dhe të krenohemi me të.

​Heshtja e tyre nuk ishte zgjedhje, ishte mbijetesë. Por mbijetesa u kushtoi shtrenjtë; ua mori kujtesën dhe të drejtën për të qarë mbi eshtrat e të atit. Sot, statusi i dikurshëm i bejlerëve është zhdukur përgjithmonë, por krenaria jonë mbetet.

​Kur qëndroj sot para varrit të gjyshit, mendoj për gjithçka kaloi familja jonë dhe gjyshi im e vulosi vetë fatin e tij.

Për një vit rresht nuk hante rregullisht ose ushqehej pak fare dhe nuk u ngrit më nga krevati derisa vdiq pas një viti.

Pas një muaji ngordhi edhe kali i tij .

Heshtja mund të të mbrojë nga vdekja fizike, por të vret shpirtërisht. Megjithatë, unë jam këtu për të rishkruar historinë e tij

Jam këtu pavarësisht shtrembërimeve dhe zhdukjes së dokumenteve origjinale.

​Figura e tij nuk përkiste vetëm trungut të fisit Çifliku, por gjithë krahinës, sepse për 40 vjet shërbeu si drejtues dhe lider historik .

​Njerëz të tillë janë shtylla e identitetit vendor, pasi mbajnë gjallë ngjarjet, traditat dhe shpirtin e një zone të tërë ndër breza.

Unë jam mbesa e atij burri që drejtoi krahinën me nder dhe dinjitet pa lënduar e vrarë askënd.

Dhe unë nuk do të hesht , sepse ata që harrohen, vdesin dy herë.

Blerina Çifliku Behari

P.S

(Për fat të keq nuk kam foto të gjyshit sepse u dogjën nga gjyshja të gjitha dokumentet që posedonte për veprimtarinë e tij, sepse donte të mbronte djemtë e saj nga rregjimi komunist,megjithatë disa pjesëza të vogla munda ti rigjej.)