Halil Rama – Mjeshtër i Madh


- Përmes faqeve të këtij botimi ne e spikasim atë herë si vëzhgues, perceptues e përçues të mbresave nga takime rastësore, fenomene e ndodhi të ndryshme, herë si tregimtar, herë si qytetar, por me një element të përbashkët, atë të njohësit të thellë të kulturës e trashëgimisë popullore, të specialistit që kontribuon në këtë drejtim për dekada të tëra.
Doktori i shkencave pyjore, studiuesi dhe publicisti me rrezatim kombëtar Selman Mëziu, autori i 10 librave publicistiko-shkencor e letrar me me titujt intrigues: “Lulet e mia, kënaqësia juaj” (2006); “Ajshtajni i Përcëlluar” (2013); “Revolucioni i gjelbër” (2014), “Testamenti i pylltarit”, Tiranë 2015; “Pylltaria në udhëkryq”, Tiranë 2016; “Dafina në hullitë e shekujve”, Tiranë 2016; “Belbëzimet pyllit”, 2023; “Brenga e qelbëzuar e kohës”, 2023; “Bekimet e shtatore së dijes”, 2023; “Klithmat e pyllit dhe mjedisit”, 2026 dhe “Përpushje në tisin e kohës”, 2026, si dhe i dhjetëra reportazheve, skicave, esseve e artikujve problemorë në rrjetet sociale dhe në shtypin qëndror e lokal, padyshim që është një emër i spikatur që nderon vendlindjen e tij, Muhurrin, Dibrën dhe gjithë Shqipërinë.
Dy librat e tij “Përpushje në tisin e kohës” dhe “Klithmat e pyllit dhe mjedisit” që u promovuan nga Kolegji Universsitar i Biznesit, nën kujdesin dhe moderimin e Sekretarit të Përgjithshëm të KUB, Prof. dr. Shpëtim Cami, më 20 gusht 2026, përkuan edhe me 70-vjerorin e ditëlindjes së këtij autori.
Në këtë ditëlindje jubilare, si mik i tij, i përcolla urimet më të përzemërta për jetëgjatësi mbi një shekull, me këtë vitalitet e shpirt krijues që ka aktualisht, me shëndet, mendje të kthjellët dhe lumturi pafund.
Gjithsesi unë kam zgjedhur të shpalos këndvështrimin tim analitik për librin “Përpushje në tisin e kohës”, si prurje e re e rëndësishme në publicistikën letrare, ku në tërësinë e tij ka shkrime që e lidhin me artin e fjalës.
PERSONAZHE DHE NGJARJE REALE,TË TREGUARA ME BUKURINË E GJUHËS LETRARE


Dr. Selman Mëziu, një emër i mirënjohur si publicist, shumë aktiv, në 50 vitet e fundit, vjen në këtë libër me një lëndë mjaftë të pasur e të larmishme, me shkrime të shumta në shumë zhanre, të botuara nëpër gazetat dhe revistat shqipe, si dhe në rrjetet sociale. Nga shumësia e lëndës, ai ka tërhequr interesimin e lexuesve me shkrimet kritike, vështrimet, analizat e ndryshme për tranzicionin e tejzgjatur shqiptar dhe shqëtësimet e miqve e shokëve, të cilave iu vesh edhe petkun letrar.
Ai përdor fakte të vërteta dhe ngjarje reale, por i tregon ato me mjete artistike dhe emocionale duke trajtuar çështje të rëndësishme shoqërore, politike apo kulturore, bashkuar me mendimin e qartë me bukurinë e gjuhës letrare.
Kjo qasje te libri “Përpushje në tisin e kohës” dallohet që në shkrimet e kapitullit të parë: “Kapitalizmi shqiptar dhe rruga pa shtyllë kurrizore”, “Ecejaket e gomoneve në La Mansh dhe Shqipëria e shkretueme” për të vijuar po në këtë linjë më artikujt: “Përse po shpopullohet Shqipëria”, “Lamtumirë Shqipëri me ndërtime, shpopullime e varfërime deri në palcë” etj.
Më tej do të ndalesha në në kapitullin e katërt “Veprimtarë të shquar dhe heronj” ku do të veçoja shkrimet me titujt: “Dëshmori Klodian Tanushi”, “Ushtima e një mentari” (kushtuar mësuesit Xhemal Berisha); “Zemra e fuqishme dhe vllaznore e një mjeku (përkushtim mjekut Sabri Çuni); “Alfabeti i shkërmoqur i një ditëlindje” dhe “Enea i Marsit 1991”.
ARTI I TË SHKRUARIT NË KAPITULLIN “MENDIME, SKICA E POEZI”


Po në këtë libër do të veçoja disa nga shkrimet e kapitullit të gjashtë “Mendime, skica e poezi”, që të botuara edhe në rrjetet sociale janë mirëpritur në qarqet letrare, si shkrime të dobishme për njohjen e vlerave letrare të këtij autori dhe si kontribut për zgjerimin dhe thellimin e mendimit kritik në fushën e letërsisë dhe të krijimtarisë artistike në përgjithësi.
Këtu veçojmë skicat letrare: “Fshati që s’bzan”, “Pafajësie e Samuelit” dhe “Kur do të syrgjynosen barbarët”.
Në këtë libër voluminoz me 496 faqe, sa intrigues aq edhe mbresëlënës, Selmani Mëziu prezantohet edhe si poet.
Mjafton qoftë dhe vetëm poezia “Mallkim i vetvetes”, për të dalluar madhështinë dhe magjinë e fjalës artistike të tij, përcjellë këto në vargjet:
“Kaltërsitë e qiellit të lirë gjithë kohërat ke kërkuar,
Me rrënjëzimin e thellë në tokën e amëshuar;
Por ç’e do, erëra e tajfune të kanë ndjekur si hijena,
Dhamët coptuese në trupin, si karthi thellë t’i kanë ngulur,
Nga damarët gjaku të ka rrjedhur si përrua.
…..
E ti shqiponjë kështu mbete e shumëvuajtshme gjer në zhdukje,
Askush s’ta shtriu krahun për të të kapur..
Në qiellin e kohërave të trazueme kështu ke ngelur…”
Në këtë poeziautori operon me një strukturë figuracionesh të ngjeshura, origjinale, që të befasojnë me të papriturën që krijon situatë poetike.
Shpirtin fisnik dhe talentin e rrallë poetik Selman Mëziu e ka derdhur pothuajse në meditimet, skicat dhe portretet e mëse 80 personazheve të këtij libri.
Kështu duke medituar në një fotografi ai shkruan për “vocërrakun Isuf Miha”, që kaloi fëmijërinë në ngjitje, në mes shpatesh thepe – thepe shkami, “një jetë që vërtetë e stërmundoi, e torturoi por nuk e përkuli, përgjumi, nuk meku moralin, forcat, energjinë. Librat, revistat, gazetat, kurset, shkolla, ushqim mendjeje do të ishin. E kësioj Isuf Miha i Qafë Mihës do të burrërorej. Do t’ju transmetonte të tjerëve këshillimet e një të urti: do të krijonte qelizën e re, familjen. Do t’i përdorte gypat e përçimit të filozofive të tija në të shkruajturën e botimin e poezive, skicave e reportazheve në gazetat e kohës”.
Po me këtë pathos S.Mëziu shkruan për poetin dhe prozatorin Naim Berisha, vlerë e shtuar e Dibrës, por dhe e shqiptarisë, fjala e të cilit “shkrin gurin”, por Ai e sjell tek lexuesi të ëmbël, të mirëmenduar, të goditur e përshtatur në rrethanat e duhura…
Me fjalë të arta e të përzemërta i ka skalitur Mëziu edhe portetet e Kajmak Hoxhës, të Zyber Krrashit që ledhatoi bustin e Dr. Shefqet Ndroqit që i kishte shpëtuar jetën; të syrgjynosurit Xhevdet Krashi, personazhin simpatik të një shkrimi të publicistit të shquar dibran Abdurrahim Ashiku.
Portreti është një gjini shumë komode dhe komunikuese, që sjell për lexuesin takimin e autorit me personalitete të fushave të ndryshme. Selman Mëziu ia ka dalë ta përmbushë më së miri këtë kriter, duke sjellë në këtë libër profile të larmishme: dhuntitë e talentet e personazheve në aspektet filozofike, morale, sociale, shkencore dhe letrare.
Libri i tij me titullin sa sinjifikativ aq edhe intrigues “Përpushje në tisin e kohës” vjen si një risi e botimeve tona për mënyrën e konceptimit dhe për mesazhet që mbart dhe përcjell. Ai vlerësohet si një kontribut me vlerë i Selman Mëziut në fushën e publicistikës letrare.
Përmes faqeve të këtij botimi ne e spikasim atë herë si vëzhgues, perceptues e përçues të mbresave nga takime rastësore, fenomene e ndodhi të ndryshme, herë si tregimtar, herë si qytetar, por me një element të përbashkët, atë të njohësit të thellë të kulturës e trashëgimisë popullore, të specialistit që kontribuon në këtë drejtim për dekada të tëra.
Me këtë cilësi autori e ndërton këtë libër si një korrelacion dhe transgresion vlerash që bashkojnë vite e vite të ndihmesës së tij në realitetin shqiptar, në atë pjesë të rëndësishme dhe të prekshme, siç është trashëgimia shpirtërore, kultura e popullit tonë.
Në këtë këndvështrim, kontributi i tij, nuk limitohet në kufij gjeografikë e njerëzorë. Me mendimin e vet, ai shtrihet në një hapësirë të gjerë, atje ku shpesh është i pranishëm edhe fizikisht.
Përmes gjinive të ndryshme të publicistikës, ai ndërton një raport efektiv mes vetes dhe mjedisit, mes asaj që sheh e përjeton, me atë që duhet të jetë sot e në të ardhmen.
PULSIMI I NJË PËRVOJE JETËSORE TË GJERË

Në çdo faqe të këtij libri, lexuesi ndien pulsimin e një përvoje jetësore të gjerë, të përftuar në terren, përmes kontakteve me njerëz realë, me ndërtues, arsimtarë, mjekë, dijetarë, pylltarë, minatorë, poetë e misionarë të shpirtit.
Kësisoj ka skalitur letrarisht, jo vetëm kujtimet me të paharruarit përçues të dijes, mësueset e mësuesit e tij në fillore e 8-vjeçare: Natasha Basha, Xhemal Berisha, Nazmi Mëziu, Rexhep Hoxha e Xhelal Meta, por edhe pasuesin e tyre të denjë Abaz Losha; si dhe mbresa nga takimet me miqtë e tij, shkrimtarët e publicistët e njohur Kamber Faruku, Sakip e Shpëtim Cami, Shaqir Skarra e Basri Tanushi, poeten Barie Boba Çupi e dhjetra të tjerë.
Në traditën e letërsisë dokumentare dhe të publicistikës shqiptare bashkëkohore, emri i Selman Mëziut qëndron me dinjitet në radhën e autorëve që kanë ditur ta kthejnë përvojën profesionale të shkrimtarisë në një formë arti dhe dëshmie kulturore.
Një nga veçoritë më të spikatura të këtij libri është gjuha e pasur figurative dhe stili i qartë publicistik, që e dallon Mëziun si autor me formim të dyfishtë, letrar dhe dokumentar.
Që në titullin e librit , “Përpushje në tisin e kohës” ai shpall programin e vet estetik. Fjala “përpushje” nuk është metaforë e zbrazët; është materiali jetësor, faktik, ai brumë i fortë që zakonisht i përket publicistikës. Por këtu ndodh një shndërrim i rëndësishëm: fakti jetësor nuk mbetet raportim, as kronikë, as dokument. Ai bëhet maja që e ngre brumin në art. Bëhet shkëndijë për tregim, për figurë, për impulse të fuqishme dhe botë letrare me frymëmarrje të plotë.
Vlerat e këtij libri konsistojnë në faktin se përveçse, i ngërthyer me profile të dhjetëra personaliteteve shqiptare, jo vetëm nga Tirana por nga të gjitha trevat shqipfolëse, pasuron dukshëm fondin e publicistikës letrare.
Faleminderit Selman Mëziu për këtë “dhuratë” të çmuar që i bën lexuesit në 70 vjetorin e ditëlindjes tuaj.
Festofsh e gëzofsh edhe dhjetra e dhjetra ditëlindje në gjirin e familjes tuaj të mrekullueshme.