IN MEMORIAM NJË JETË ME NDERSHMËRI, DETYRË DHE DINJITET Petrit Kurti – ushtaraku që e nderoi uniformën dhe emrin e familjes
NGA: AGIM LIKA
Një nga bijtë që nderoi emrin e familjes Kurti ishte Petrit Kurti (1954–2014), një njeri që e ndërtoi jetën mbi punën, ndershmërinë dhe përkushtimin ndaj detyrës. Pas përfundimit të shkollës së mesme në Durrës, ai zgjodhi t’i shërbente atdheut duke u inkuadruar si nënoficer në Marinën Ushtarake. Ishte një zgjedhje që do të përcaktonte gjithë rrugëtimin e tij profesional, një rrugëtim i mbushur me disiplinë, përgjegjësi dhe dinjitet. Gjatë shumë viteve të shërbimit në PSV të Marinës Ushtarake, Petriti u dallua për aftësitë profesionale, korrektesën dhe ndjenjën e lartë të detyrës. Për periudha të gjata ai mbajti edhe detyrën e komandantit të postës, të cilën e ushtroi me kompetencë, vendosmëri dhe përgjegjësi të admirueshme. Ishte një drejtues që fitonte respektin jo përmes autoritetit formal të gradës, por përmes karakterit, profesionalizmit dhe shembullit personal. Ai besonte se uniforma ushtarake nuk ishte thjesht një veshje apo një gradë, por një simbol i nderit, disiplinës dhe përgjegjësisë ndaj shtetit dhe shoqërisë. Në çdo detyrë që iu besua tregoi aftësi organizative, gjykim të drejtë dhe përkushtim të plotë. Ishte kërkues së pari ndaj vetes, duke besuar se vetëm ai që punon me ndershmëri dhe përpikëri mund të kërkojë të njëjtën gjë edhe nga të tjerët. Për këto cilësi ai gëzonte besimin e plotë të eprorëve dhe respektin e kolegëve e vartësve. Autoriteti i tij buronte nga drejtësia, serioziteti dhe mënyra njerëzore me të cilën komunikonte me të gjithë. Ai dinte të ishte njëkohësisht drejtues i vendosur dhe njeri me zemër të madhe, gjithmonë i gatshëm të ndihmonte këdo që kishte nevojë. Vlerat e tij profesionale u kurorëzuan edhe me një nga vlerësimet më të rëndësishme të kohës.

Në vitin 1986, Presidiumi i Kuvendit Popullor e dekoroi me Medaljen “Për Miradministrimin e Vlerave Materiale”, një nderim që dëshmonte ndershmërinë, besueshmërinë dhe përkushtimin e tij të palëkundur në kryerjen e detyrës. Por Petrit Kurti nuk ishte vetëm një ushtarak shembullor. Ai ishte mbi të gjitha një njeri me virtyte të rralla. Urtësia, mençuria, mikpritja, bujaria, trimëria dhe ndershmëria e bënë të dashur për të gjithë ata që patën fatin ta njohin. Si bashkëshort, prind dhe qytetar, ai mishëroi vlerat më të mira të familjes Kurti, duke i ruajtur dhe pasuruar ato me shembullin e jetës së tij. Edhe sot, emri i Petrit Kurtit përmendet me respekt dhe mirënjohje. Ai mbetet dëshmi se nderi nuk fitohet me fjalë, por me vepra; se autoriteti nuk buron nga posti, por nga karakteri; dhe se pasuria më e madhe që një njeri mund t’u lërë brezave është emri i mirë, puna e ndershme dhe shembulli i një jete të jetuar me dinjitet. Jeta e Petrit Kurtit është dëshmi se madhështia e një njeriu nuk matet me postet që ka mbajtur, por me gjurmët që lë në zemrat e njerëzve.
Ai nuk kërkoi kurrë lavdi apo privilegje. Punoi në heshtje, me përulësi dhe ndërgjegje, duke e konsideruar detyrën një shërbim të shenjtë ndaj atdheut dhe shoqërisë. Edhe pas daljes në reformë, ai mbeti po ai njeri i urtë, i dashur dhe i gatshëm për të ndihmuar. Përvoja e gjatë jetësore, maturia në gjykim dhe fjala e peshuar bënë që shumë njerëz t’i drejtoheshin për këshillë e mendim. Ai nuk impononte kurrë vullnetin e tij, por dinte të bindte me logjikë, qetësi dhe shembull. Në familje ishte shtylla e shtëpisë. Me dashuri, përkushtim dhe sakrifica u kujdes për bashkëshorten dhe fëmijët, duke u lënë trashëgiminë më të çmuar: edukatën, ndershmërinë, respektin për punën dhe dashurinë për familjen. Ai besonte se pasuria më e madhe nuk janë të mirat materiale, por emri i mirë dhe nderi që një familje ndërton brez pas brezi. Miqtë e kujtojnë si një njeri të fjalës, që nuk e thyente kurrë besën. Ishte mikpritës, i buzëqeshur dhe bujar, i gatshëm të ndante me të tjerët jo vetëm sofrën, por edhe hallet e gëzimet. Prania e tij krijonte besim dhe qetësi, sepse ai dinte të dëgjonte, të respektonte dhe të gjente gjithmonë fjalën e duhur. Sot, kur kujtohet emri i Petrit Kurtit, nuk kujtohet vetëm një ushtarak i përkushtuar, por një njeri që jetoi me dinjitet dhe la pas një trashëgimi të vyer morale. Shembulli i tij mbetet një udhërrëfyes për brezat e rinj, një dëshmi se puna e ndershme, karakteri i fortë dhe dashuria për njerëzit janë vlera që nuk zbehen me kalimin e kohës, por ndriçojnë gjithmonë në kujtesën e atyre që i kanë njohur.
Jeta e Petrit Kurtit është dëshmi se njeriu nuk bëhet i madh vetëm nga detyrat që mban, por nga mënyra se si i kryen ato. Ai nuk kërkoi kurrë privilegje, as lavdi. Mjaftohej me ndërgjegjen e pastër dhe respektin që fitonte çdo ditë me punën e tij. Ata që e njohën e kujtojnë si një njeri të qetë, të matur në fjalë dhe të vendosur në veprime. Ishte nga ata burra që dëgjonte më shumë sesa fliste dhe që, kur jepte një mendim, ai mbështetej në urtësi e përvojë. Fjala e tij kishte peshë, sepse buronte nga karakteri dhe ndershmëria. Edhe jashtë uniformës ushtarake, Petriti mbeti po ai njeri i thjeshtë dhe fisnik. Dyert e shtëpisë së tij ishin gjithmonë të hapura për miqtë, të afërmit dhe këdo që kishte nevojë për një këshillë apo një dorë ndihme. Mikpritja dhe bujaria ishin virtyte të trashëguara nga prindërit e tij, të cilat ai i ruajti dhe ua përcolli edhe fëmijëve. Në familje ishte një prind i përkushtuar, që besonte se edukata, puna dhe arsimi janë themelet mbi të cilat ndërtohet e ardhmja. Ai ishte shembull me sjelljen e tij të përditshme, duke u mësuar brezave se nderi fitohet me punë, ndërsa respekti me karakter. Dëshmi nga bashkëshortja e tij, Sabijes! “Kur kthehem pas në kujtime dhe mendoj për gjithë rrugëtimin e Titit, udhë e paudhë, them me bindje se shembullin e tij nuk e kam parë askund. Ishte një njeri i veçantë, i lindur për punë, për njerëzit dhe për familjen.
Sot e shoh vazhdimësinë e tij te fëmijët tanë. Oli është si kopja e të atit: punëtor, i gjallë, shok i mirë, njeri që e do kushdo. Ornela i ngjan shumë në pamje, por edhe në ndjeshmëri; mjafton t’i thuash një fjalë dhe skuqet, ashtu si Titi. Edhe Tila ka trashëguar nga ai mirësinë dhe zemrën e bardhë. Një kujtim që nuk më ndahet kurrë është ai i drekës, katër a pesë ditë para se të largohej nga kjo jetë. Sapo ra telefoni, fytyra iu ndriçua. Me shumë gëzim më tha: ‘A do të vish? Paska ardhur Gimi!’ U bë menjëherë gati dhe u nis. Ishte shumë i lumtur. Atë ditë ishte e diel dhe unë, duke ditur se ai ishte me njerëzit e tij të dashur, vazhdova punët e shtëpisë. Kur erdhe ti, dreka kishte mbaruar. Sot besoj se ajo mbeti dreka e fundit e tij me miqtë dhe njerëzit që donte aq shumë. Titi ishte njeri bukëdhënës. Shtëpia jonë ishte gjithmonë e hapur. Na vinin shumë njerëz dhe ai gëzohej pa masë. Më kujtohet kur erdhi Vangjel Olldashi; Titi theri një qengj dhe për ditë të tëra fliste me kënaqësi për atë vizitë. Edhe Daja Mali e Hamzai, sa herë kalonin nga këto anë, ndalesën e parë e bënin te Titi.
Njerëzit e kanë dashur shumë, sepse ai dinte t’i respektonte të gjithë. Edhe sot, pas kaq vitesh, respekti për të nuk është zbehur. E ndiej çdo ditë në mënyrën si njerëzit flasin për të, si na respektojnë ne, fëmijët dhe familjen tonë. Është sikur Titi të jetë ende mes nesh. Ndoshta ti, Gimi, e ke njohur më mirë në punë dhe në shoqëri. Unë e njoha si bashkëshort, si baba të fëmijëve tanë dhe si njeriun që nuk kurseu asnjëherë mundin, dashurinë dhe bujarinë për familjen, miqtë e për këdo që trokiste në derën tonë. Për mua, ai do të mbetet gjithmonë njeriu që jetoi për të tjerët dhe la pas emrin më të mirë që mund të lërë një njeri: respektin. Takimi i fundit me Titin Kam shumë episode dhe kujtime me Titin. Janë aq të shumta sa mund të mbushin faqe të tëra, sepse ai ishte nga ata njerëz që dinte ta bënte çdo takim të veçantë. Me të nuk mbaronin kurrë bisedat. Gjithmonë kishte diçka për të kujtuar, për të treguar apo për të qeshur. Por, mes gjithë atyre kujtimeve, njëri ka mbetur i skalitur në zemrën time më shumë se të tjerët. Ishte takimi ynë i fundit. Atë ditë kisha shkuar në Shetaj për disa punë. Pasi i përfundova, mendimi më shkoi menjëherë te Titi. Mora telefonin dhe e telefonova. Nuk hezitova aspak. Më dukej e natyrshme ta takoja sa herë ndodhesha në ato anë. “Të pres te shtëpia”, m’u përgjigj me atë zërin e tij të ngrohtë e plot dashamirësi. Kur mbërrita, më priti me buzëqeshjen e zakonshme, sikur po priste një pjesëtar të familjes. Në atë shtëpi ndiheshe gjithmonë i mirëpritur. Nuk kishte formalitete. Kishte vetëm respekt, zemërgjerësi dhe ngrohtësi njerëzore. Drekën na e përgatiti Tila, pasi Sabija kishte dalë në punë. U ulëm të gjithë në sofrë dhe, si gjithmonë, buka u shoqërua me muhabet. Pimë edhe nga dy gota raki. Titi e ngriti gotën me gëzim, me atë buzëqeshjen e tij të çiltër që të bënte ta harroje çdo hall. Biseduam gjatë për jetën, për familjen, për miqtë, për kohët që kishim kaluar bashkë. Kujtuam ngjarje, njerëz dhe vite që nuk kthehen më. Ishte një bisedë e rrallë, nga ato që të mbushin shpirtin. Kur erdhi çasti të largohesha, Titi u ngrit menjëherë për të më përcjellë. Makinën e kisha lënë te furri i fshatit, vetëm rreth dhjetë minuta larg. Por ajo rrugë, që zakonisht përshkohej për pak minuta, atë ditë zgjati gati një orë. Ecnim ngadalë, ndaleshim herë pas here, vazhdonim bisedën pa u lodhur. Asnjëri nuk kishte nxitim. Sot, kur e sjell ndër mend atë ecje, më duket sikur Titi nuk donte të mbaronte ajo rrugë. Sikur donte të zgjaste edhe pak atë takim, edhe pak atë bisedë, edhe pak praninë e një miku. Fliste me qetësi, dëgjonte me vëmendje dhe herë pas here buzëqeshte. Nuk e di pse, por në sytë e tij dukej një mall i veçantë. Atëherë nuk i dhashë ndonjë kuptim.
M’u duk si një çast i zakonshëm. Vetëm më vonë e kuptova se ndoshta zemra e tij e ndiente atë që askush prej nesh nuk mund ta dinte. Kur arritëm te makina, ai nuk u nda menjëherë. Qëndroi pranë meje dhe më tha: “Do të vij edhe në Draç.” Më bëri përshtypje ajo dëshirë e tij për të vazhduar të rrinte bashkë. E pyeta: “Po si do të kthehesh?” Ai buzëqeshi me qetësinë që e karakterizonte dhe tha: “Mos u mërzit, kthehem në këmbë.” U përqafuam, u përshëndetëm dhe u ndamë, pa e ditur se ai do të ishte takimi ynë i fundit. Vetëm pesë ditë më vonë mora lajmin që më tronditi thellë. Titi ishte ndarë nga jeta. Që nga ajo ditë, sa herë kaloj në atë rrugë, më kujtohet ecja jonë e ngadaltë drejt furrës. Më kujtohen fjalët e tij, buzëqeshja, shtrëngimi i dorës dhe ajo dëshirë sikur të mos ndaheshim. Sot e kuptoj se disa lamtumira nuk thuhen me fjalë. Ato lexohen në sy, në heshtje, në një ecje që zgjatet pa arsye, në dëshirën për të kaluar edhe pak kohë me njeriun që do. Ky mbetet kujtimi më i dhimbshëm, por edhe një nga më të çmuarit që ruaj për Titin. Sepse ai takim më la kujtimin e një njeriu që e deshi jetën, familjen dhe miqtë deri në çastet e fundit. Dhe pikërisht kështu dua ta kujtoj gjithmonë: me buzëqeshjen në fytyrë, me gotën e ngritur për miqësinë dhe me zemrën e mbushur plot dashuri për njerëzit e tij. Sot, edhe pse Petrit Kurti nuk jeton më, kujtimi i tij mbetet i gjallë në zemrat e familjarëve, të miqve dhe të gjithë atyre që patën fatin ta njohin. Ai la pas një emër të mirë, një trashëgimi morale dhe një histori jete që meriton të rrëfehet si frymëzim për brezat e rinj. Sepse njerëzit e mirë nuk maten me vitet që jetojnë, por me gjurmët që lënë në jetën e të tjerëve. Dhe Petrit Kurti ishte pikërisht një prej atyre njerëzve që, me ndershmërinë, përkushtimin dhe fisnikërinë e tij, nderoi familjen Kurti, familjen Lika dhe gjithë krahinën e Ishmit. “Pasuria më e madhe që lë një njeri nuk është ajo që zotëroi, por emri i mirë që ua lë trashëgim brezave.” – Agim Lika Pikërisht, Titi la një emër të mirë në Shetaj dhe kudo ku ai punoi në shtet dhe në punën private. Petrit Kurti e nderoi uniformën që mbajti mbi supe, por mbi të gjitha nderoi familjen, vendlindjen Shetaj dhe emrin e mirë të prindërve të tij, duke lënë pas një shembull që vazhdon të kujtohet me respekt edhe sot. I paharruar qoftë kujtimi i tij!