Poetja Irma Kurti botohet në Australi. Librat e saj janë botuar në 24 vende të botës

Një sukses tjetër për poeten shqiptare Irma Kurti: botohet në Australi libri i saj me poezi “Drops of water and tears” (Pika uji dhe lotë). Përmbledhja poetike mban logon e shtëpisë botuese Multicultural Press me botuese Mai White në Perth, të Australisë. Parathënia është shkruar nga Hamid Oqabi, kritik letrar dhe novelist. Ndër të tjera, në të shkruhet: “Irma Kurti, një poete dhe shkrimtare shqiptare, e natyralizuar italiane, shkruan në tri gjuhë (shqip, italisht dhe anglisht). Ajo është një nga zërat femërorë më të rëndësishëm në diasporë. Ka botuar dhjetëra libra me poezi dhe prozë, dhe veprat e saj janë përkthyer në shumë gjuhë, duke reflektuar një prani të gjerë të saj në skenën letrare evropiane. Teknikisht, Kurti përdor imazhe shqisore, përsëritje delikate dhe ritëm të qetë. Gjuha e saj është e thjeshtë; ajo mbështetet në qartësi dhe transparencë emocionale, gjë që i jep poezisë një ton të butë dhe intim. Ajo që e dallon veprën e Irma Kurtit është ndershmëria emocionale dhe identiteti i saj shumështresor, pasi krijimet e saj lindin nga kryqëzimi i personales dhe kulturës, duke ofruar një zë poetik që i kapërcen kufijtë.”

Vepra “Drops of water and tears” në muajin mars mori pjesë në në Takimin Botëror të Mendimtarëve dhe Shkrimtarëve për Paqen dhe në Festivalin Ndërkombëtar të Librit 2026, që u organizua në Kalkuta të Indisë. Libri, i prezantuar nga Mai White, si pjesë e eventeve kulturore, u prit mjaft mirë nga të pranishmit dhe lexuesit duke krijuar një dialog letrar dhe shkëmbim poetik ndërkombëtar.

IRMA KURTI është poete, shkrimtare, autore e teksteve të këngëve, gazetare dhe përkthyese. Ajo është italiane e natyralizuar. Ka fituar shumë çmime në konkurse të ndryshme letrare në Shqipëri, Itali, Zvicër, ShBA, Filipine, Liban e Kinë. Në vitin 2013 fitoi çmimin ndërkombëtar “Universum Donna” për letërsinë dhe emërtimin “Ambasadore e Paqes” nga Universum Academy dhe Universiteti i Paqes në Lugano, Zvicër.

Në vitin 2020, për kontributin në fushën e poezisë, nderohet me titullin “Akademike dhe Presidente Nderi” e Enciklopedisë poetike. Në vitin 2022 iu dha titulli “Damë e Urdhërit të Dante Alighierit” nga Republika e Poetëve.

Irma Kurti ka botuar mbi 118 vepra, që përshijnë libra me poezi, prozë dhe përkthime. Poezitë e saj janë përkthyer në 40 gjuhë. Ajo është një nga poeteshat shqiptare më të përkthyera dhe më të botuara jashtë kufijve të Shqipërisë. Librat e saj janë përkthyer dhe botuar në 24 vende të botës: Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada, Francë, Itali, Greqi, Holandë, Belgjikë, Spanjë, Gjermani, Portugali, Rumani, Turqi, Kosovë, Filipine, Kamerun, Indi, Kili, Serbi, Kolumbi, Argjentinë, Moldavi, Algjeri, Guatemalë dhe Australi.