Arben Iliazi

Kafka dhe Cvajg për Aleksandër Moisiun
Aktori i mirënjohur, miku im, i ndjeri Minella Borova, që shkoi deri në Buenos Aires, më tregonte dikur se në teatrin e kryeqytetit argjentinas kishte gjetur gjurmët e Aleksandër Moisiut, nëpërmjet kujtimeve dhe fotografive. Moisiu kujtohej atje çdo vit. Por sot, në Shqipëri, çuditërisht, asnjë institucion kulture dhe arti nuk u kujtua për të.
“Aleksandër Moisiu” (2 Prill 1879 – 22 Mars 1935), konsiderohej si aktori më i madh i teatrit evropian i kohës së tij. Talenti i tij i jashtëzakonshëm, spikati në skenat e ndryshme, ku ai intepretoi role kryesore nga veprat e Shekspirit, Gëtes, Tolstoit, etj.
Një djalë i lindur nga një baba Shqiptar, dhe një nënë me gjak arbëresh, do të bëhej njeriu që magjepsi teatrot e Evropës.
Një zë që drithëronte shpirtrat, një mimikë që rrëfente histori të paimagjinueshme i adhuruar nga Berlini e Vjena, nga Parisi e Roma, nga Londra e Nju Jorku e që para publikut ishte shqiptari artist i dashur i teatrit. Në çdo skenë qe shkelte nuk luante thjesht role por ai mishëronte artin në formën e tij më të pastër që shikuesit e vlerësonin tej mase artin skenik të tij që la gjurmë të pashlyeshme në historinë e artit botëror.
Me një art të nivelit të lartë, Moisiu mishëroi role kryesore në kryeveprat e teatrit klasik dhe në ato të kohëve të reja. Në historinë e artit skenik botëror, Moisiu u shqua sidomos për interpretimin e tij origjinal, temperamentin e fuqishëm, thellimin filozofik, lirizmin dhe bukurinë poetike të personazheve. Ka lënë mbresa edhe për zërin e tij që kishte një tingëllim të veçantë.
Gjigandë të artit botëror si Pirandelo, Chaplin, Stanislavski, Kafka, Caruso, Cvajg, ishin miqtë e aktorit. Vlerat e Aleksandër Moisiut dallohen dhe në thëniet që shkrimtarët më të mëdhenj të kohës, që kanë mundur ta shohin në skenë, kanë shkruar për të, duke mbushur gjithë trashëgimtarët dhe shqiptarët me emocion.
“Zëri, mimika dhe gjestet e Moisiut shfaqin diçka unike, diçka e cila nuk ishte parë asnjëherë në skenën botërore të artit. Të duket sikur në thellësinë e syve të tij vështron arkiva fotosh bardh e zi, me lëvizje të ngadaltë fantazmash. Ai I rrëmben njerëzit me sytë e tij, me mimikën e tij.” – Franz Kafka
“Hamleti është shkruar për Moisiun dhe Moisiu është lindur posaçërisht për të interpretuar Princin e Danimarkës.” – Max Brod
“E përshëndes Aleksandër Moisiu-n të cilit i jam përgjithmonë mirënjohës, si një nga interpretuesit më brilantë të personazheve të mi.” – Luigi Pirandello
“Një Burrë Jugu, mbetet gjithmonë një Burrë Jugu. Për të mos ngrirë ai e merr diellin e shtetit të tij kudo që shkon. Kurdo që je me të do të mësosh diçka të re për jetën dhe botën e tij.” – Stefan Cvajg
Po Stefan Cvajg shkruan: “Një gjeneratë e tërë e ka dashur atë, “dashnorin e pakrahasueshem”, i cili nëpërmes zërit të tij hyri thellë në zemrat e të gjithë kombit gjerman”.
Regjisori dhe reformatori i skenës gjermane Maks Rajnhard (Max Reinhard, 1873-1943) thotë: “Unë gjeta te Moisiu aktorin e vërtetë që kërkoja”;
Aktori dhe reformisti i teatrit francez Andre Antuan (André Antoine, 1858-1943) thotë: “Me interpretimin e rolit të Hamletit, Moisiu fitoi dashurinë e publikut francez”.
Në Shqipëri, Aleksandër Moisiu është shpallur, pas vdekjes, Artist i Popullit. Emrin e tij e mbajnë Pallati i Kulturës i Durrësit, teatri i Durrësit, Universiteti i Durrësit, Shkolla e mesme e përgjithshme në Kavajë, një shesh në Trieste. Për të, në Vjenë ka muze, por jo në Kavajë, në vendlindjen e të parëve të vet, aty ku është bërë pagëzimi i tij.