Qetësia e shpirtit-Shkurte Berisha

QETËSIA E SHPIRTIT
 
Në zhurmën e botës ku çdo gjë nxiton,
Një zë në vetmi plot shpresë kërkon,
Jo mure me ar, as famë, as shkëlqim,
Por paqen e thjeshtë që fal shërim.
 
Ajo vjen si fllad pas stuhisë në det,
Kur njeriu gjen paqe me veten e vet,
Si rreze e ngrohtë që zbret përmbi tokë,
Ku shpirti harron çdo dhimbje në botë.

 

S’ka peshë që e mbyt, as brengë që e vret,
Kur brenda vetvetes një dritë po troket,
Kujtimet e hidhura ikin në harresë,
E dita e re agon plot me shpresë.
 
O paqe e shenjtë që shpirtin ushqen,
Ku çdo pikëllim një mbarim po gjen,
S’e gjen lumturinë mbi këtë dhe’,
Po s’pate këtë paqe që brenda vetes ke.